Ovidi – “Do t’jem i Pavdekshëm, i Famshëm, më lart se Yjet”!

S. Guraziu – AP, N 2022

Siç e dimë, poeti romak i njohur shkurt si Ovid (Publius Ovidius Naso) qe internuar nga perandori August në Konstanca (të Rumanisë së sotme). Se përse qe internuar, kurrë s’ka qenë e qartë, shkollarët dhe sot e kësaj dite vazhdojnë me “idetë” rreth pse-së.

Internimi i Ovidit ishte “relegatio”, të tilla dënime shpesh ishin vetëm përkohësisht. Dëbimet “relegatio” jo patjetër ishin përgjithmonë, dhe jo patjetër të pafalshme. Por dhe heshtja e Ovidit në vetvete mjaft e “çuditshme”! Dinte të shkruante aq bukur, por s’qe kujtuar që në shkrimet t’na e linte ndonjë qartësi se pse, apo çfarë e shkaktoi internimin e tij. Ndoshta qëllimisht s’ka dashur të qartësohet. Apo ndoshta t’na e ketë lënë ndonjë “mesazh të koduar”, maskuar e fshehur, të cilin për fat të keq akoma s’e zbuloi kush, s’e deshifroi.

Sidoqoftë, sipas meje, përmbyllja e “Metamorfazave” na e ofron njëfarë “ndjesie” se Ovidi ndjehej i viktimizuar pafajësisht. Se pse duhej të heshtte s’dihet, nga ana tjetër nëse i pafajshëm atëherë pse duhej heshtur – e megjithatë sikur një viktimë e pafatësisë. I syrgjynosur e në dhimbje, i përfundon “Metamorfozat” dhe, fare në “bisht” (pasi e metamorfozon Jul Cesarin, pasi e shndërron në Yll), sikur i thur vetes një “auto-eulogji” për përjetësinë.

Supozimi se materiali i ‘shthurur’ i Ars Amatoria ishte pjesërisht shkaku i dënimit e Ovidit, nga shumkush merret se është i pabazë. Se supozimi i tillë më tepër “i pasqyron ndjeshmëritë moderne sesa faktet historike”.

Në përgjithësi, plot autorë thonë se internimi kishte t’bënte me librin “Ars Amatoria”, dhe se Ovidi ishte akuzuar për imoralitet. Akuzë aq e rëndë, akuzat e tilla s’janë aspak të lehta. Bie fjala, edhe Charles Baudelaire e pati “shijuar” ligjin korrektues për imoralitetin e vëllimit “Lulet e së Keqes” (Fleurs du Mal). Intelektualisht, ato kohë duhet t’kenë qenë mjaft të vështira për të pafajshmin Baudelaire. S’ka si t’jetë e lehtë të të fshikullojnë për “imoralitet”!

“Ars Amatoria” (Arti i Dashurisë) shkruar në 3 libra në fakt është një lloj “doracaku” erotik, mësimdhënie klasike se si duhet gjetur dhe ruajtur “dashurinë” (le ta quaj njëfarë lloji i Kama Sutra – sepse dhe është pakashumë “kama-sutresk”, qëkur libri i 3-të merret dhe me “pozat” e me qëndrimet a la kama-sutreske).

Disa autorë thonë (psh. Kathleen Kuiper) se vepra e paraqet një portret të aristokracisë hedonistike, se mesazhi në thelb ishte përmbysës ndaj programit zyrtar të reformave morale që atëherë promovoheshin nga perandori August. Sipas Kuiper, libri i Ovidit mund t’jetë pritur keq nga ata që ishin përkushtuar seriozisht me aspiratat e “Augustanizmit”.

Mirëpo, nëse dihet se “Ars Amatoria” qe publikuar në vitin 1 (ose 2 – të erës sonë), mjaft shkollarë të tjerë janë skeptikë, dhe mbase me të drejtë. Pse do priste perandori deri në v. 8 dhe ta internonte Ovidin? O do e kishte përzënë menjëherë (brenda 1 a 2 viteve), pse duhej prituar aq gjatë – thonë ata. Për më tepër vepra na pati qenë një sukses i madh, pati “vajtur si hallvaja”. Aq sa Ovidi do ta shkruante dhe një vazhdim, tashmë me titull “Remedia Amoris” (Ilaç për Dashurinë).

Frances Norwood (në “Enigma e Relegatio-s Ovidiane”) shkruan se “ka më shumë gjasa që Ovidi të jetë kapur disi nga politikat fraksionale rreth trashëgimisë së fronit perandorak. I adoptuari i perandorit August, me emrin Agrippa Postumus, dhe mbesa e perandorit, Julia (Vipsania Julilla), të dy qenë ‘përjashtuar nga skena’ në të njëjtën kohë – kjo do t’shpjegonte gjithashtu pse Ovidi nuk qe ‘falur’ kur Augusti qe pasuar në fron nga Tiberiusi, ka gjasa se Ars Amatoria të jetë përdorur si justifikim për internimin” – thotë Norwood.

Mirëpo për mua një pjesë e sqarimit të Norwood ngelet mjaft e paqartë; s’e kuptoj si u “shpjeguaka” mosfalja e Ovidit nga Tiberiusi (siç ka shkruar Norwood)! Dihet se Ovidi qe internuar në v. 8, ndërsa Tiberiusi e pasoi Augustin pas vdekjes së tij, në v. 14.

Apo ndoshta Norwood do ketë menduar “e pakuptimtë mosfalja e Ovidit”! Në v. 14 (plot 6 vite pas vuajtjes së internimit) Tiberiusi me ndonjë dekret mund ta kishte “falur” Ovidin, dhe i cili i lumtur do na kthehej në Romë. Kjo do kishte qenë fort bukur – për fat të keq s’pati ndodhur ashtu. Duke i shtuar tani ca detaje rreth pjesës së “paqartë” të Norwood, uroj të lehtësohet sadopak, e jo të “turbullohet” akoma më tepër : )

Perandori August fillimisht e konsideroi Postumin si pasardhës të mundshëm. Zyrtarisht e caktoi atë si trashëgimtarin e tij, por meqë një “djalë i keq, vullgar, i pasjellshëm” e dëboi nga Roma në v. 6. Edhe mbesa e perandorit, Julia u internua nga vetë perandori në v. 8 (të njëjtin vit kur dhe Ovidi).

Julia qe dëbuar për arsye, apo me akuzën se kishte një aferë dashurie me senatorin Decimus Silanus. Aferë që s’do duhej ta kishte. Kjo aventurë e saj me senatorin, e “fyente” dhe vetë perandorin August. Pasi dy-tre vite më herët, në v. 5 perandori vetë i pati ndrequr punët që ajo të martohej me Lucius Paullus (i cili më vonë do bëhej Konsul, e madje dhe Censor i Romës).

Pra, dëbimi i Postumit (në v. 6) dhe i mbesës Julia (v. 8) praktikisht do ta siguronte fronin e Tiberiusit. Pikërisht siç e ka cekur dhe Norwood.

Më lart e përmendëm se instruksionet e Ovidit rreth dashurisë qenë popullarizuar fort, se “Ars Amatoria” na pati vajtur si hallvaja, aq sa Ovidi do e shkruante dhe një “Ilaç për Dashurinë”. Nëse “hallvaja” tepër e ëmbël, natyrisht që duhet kujdesur dhe për ndonjë ilaç. Përndryshe aristo-shoqëria romake, ashtu-kështu e delirizuar me qejfet e hedonizmat, do na ishte “sëmurë” tej mase me ëmbëlsirat e dashurisë.

Nëse dhe Julia (mbesa e perandorit) do ketë nxjerrur ndonjë “mësim teorik” nga libri i Ovidit, s’dimë gjë, s’ka të dhëna. Kronikat romake s’thonë gjë. As Tacitusi as kush tjetër nga kronistët s’ka përmendur këso detaje rreth mbesës së perandorit. Nëse Julia t’i ketë testuar “mësimet ovidiane” në praktikë, as këtë s’kemi si ta dimë.

Por nëse po, nëse t’mos jetë përmbajtur, nëse t’jetë marrë me afera jashtëmartesore (siç pati bërë me Senatorin Silanus, duke e tradhtuar të ngratin Paullus), atëherë tingëllon mjaft logjik dhe “hidhërimi” i perandorit August. Sa i pikëlluar, sa i hidhëruar do ta dëbonte mbesën e vet në v. 8. Po atë vit dhe Ovidin, mësuesin e famshëm të dashurisë, autorin e “amoriadave” romake.

Tani, plot 2020 vjet pas botimit të “Ars Amatoria”, nëse ca data e detaje na përputhen, atëherë pse t’mos supozojmë se perandori i kishte marrë “inat” dhe Ovidit (jo vetëm mbesës Julia, për dashuriçkat e aventurat). Që të dy do i dëbonte, të njëjtin vit. Sipas perandorit, edhe mësuesi na kishte faj, po aq sa dhe nxënësja e dashurisë…

***
[ fundi i “Metamorfozat” – Libri 15 – 6 “Jul Cezari, i shndërruar në një Yll” – Përkthyer në Anglisht nga Brookes More ]

[871] Dhe tani kam përfunduar një punë (vepër) të madhe, të cilën as zemërimi i Jupiterit, as zjarri, as çeliku, as kalimi i shpejtë i kohës s’mund ta fshijnë. Herëdokur vjen, le t’vjen dita, e cila ka sundim vetëm mbi këtë kornizë të vdekshme, dhe le ta përfundojë për mua rrjedhën e pasigurt të jetës. Megjithatë për pjesën më të mirë do t’jem i pavdekshëm, shumë lart atje mbi lartësinë e yjeve, dhe imi do t’jetë një emër i pashlyeshëm. Kudo që fuqia romake ta shtrijë ndikimin mbi tokat e pushtuara, unë do t’lexohem nga buzët e njerëzve. Nëse profecitë e poetëve kanë ndonjë të vërtetë, gjatë gjithë viteve që pasojnë të epokave të ardhshme, unë do t’jetoj në famë.