Eksperimenti i Pikasos!

S. Guraziu, 2007 (Humoreskë – eksperimenti i parë kryeneç… dhe i fundit, eksperimenti i vetëm i Pikaços me Diellin në Vallauris)

Vallë të ketë dëgjuar kush (nga lexuesit) për ndonjë shkrimtar të madh të Beverly Hills-it? Jam mjaft kureshtar të di, mirëpo i bindur dhe me plot siguri them se jo, kurrë. S’e besoj një diç të tillë. Nuk është se s’dua ta besoj, s’është fjala për kokëfortësi apo se e paskam të vështirë t’i besoj gjërat e “pabesueshme”. Por thjesht mendoj se nuk është nevoja; se si jam i bindur fort për pamundësinë e ekzistencës së shkrimtarëve të mëdhenj në Beverly Hills!

Po ashtu, dyshoj të ketë dëgjuar kush për ndonjë shkrimtar, poet, artist a piktor të famshëm… për shembull nga Dubai i ngrohtë dhe magjik, nga Las Vegas-i përrallor, nga Ibizza piktoreske apo dhe nga Palma de Majorca! Kurrën e kurrës. Jo pra.

E pse jo?! Dihet! Ata që janë të rrethuar me luks e marifete, me glamour-ozitetin e me bukuroshet e kësaj bote… mund të kënaqen vërtetë, por askush nga këta artistë e shkrimtarë s’ia del të sjell në dritë vepra të mirëfillta artistike. Dhe prandaj, natyrisht, s’mund të quhen të “mëdhenj”.

Dihet se verdhushkat mund ta lëkundin stabilitetin ndjesor të artistit, ta çrregullojnë si mos më keq. Në qarqet akademike shkojnë akoma më larg; disa ngulin këmbë (nga ata që e tjerrin holl) se thjesht, nëse dhe vetëm shkëlqimi i verdhushkave të ketë feksuar në bebzat, vetëm një “blitz” i vetëm retinal do ta shkaktonte të padëshirueshmen… do shfaqeshin simptomat e para të vartësisë. Pak ditë më vonë, kushtimisht nga karakteri dhe temperamenti, simbianti artistik do dështonte me rezistencën ndaj tundimit, dhe artisti vetë do t’rrezikonte (anise pavetëdijshëm) fenomene të tjera kataklizmike në qenien e tij.

Një vartësi e tillë, në stadin kronik – insistojnë analistët – lirisht mund të krahasohet me vartësinë nga Viagrat fals (aso me prejardhje nga tregu i zi i Lindjes së Largët, të përziera me narkotikë të padëgjuar). Apo me vartësinë nga halucinogenët më të fortë! Ndërsa flitet gjithandej, jo vetëm në botën akademike, s’ka vartësi më të rrezikshme në “shtatë dimensionet”, se konsiderohet më e tmerrshmja dhe shtohet, aty për aty, se është e pashërueshme, s’ka ilaç për të.

Gjithashtu, sa herë bie fjala për eros-faktorin analistët nguten të shtojnë se ky s’mund të përjashtohet nga dimensioni artistik. Mirëpo papritmas mimika e tyre pëson ndryshime. Aty për aty balli iu rrudhoset, kurrë s’harrojnë të ngrysen, kjo ndodhë pothuaj automatikisht. Në fytyrat e tyre mund të shihni plot trishtim teksa, me zë të ngjirur, fillojnë t’i përmendin kundërindikacionet famëkeqe të eros-faktorit. Përjashtimi i tij mund të ndodhë me vullnetin e vet, domethënë nëse të vetëpërjashtohet, por kurrësesi të jetë imponim nga artistët, e madje as i kushtëzuar.

Eros-faktori funksionon fare spontanisht në autonominë e vet. Modelet duhet të përzgjedhen me seriozitetin më të madh – theksojnë ata. S’ia del kush ta fiksojë nëpër pikturat një Diell të denjë nëse, për shembull, vithet e Adulina Cicimalit t’i bënin hije peizazhit aty pranë. Jo vetëm sepse Dielli s’mund ta durojë hijen e Adulinës! Kur është në pyetje modeli i gabuar (si orientir për frymëzimin) kërkohet shumë kujdes, pa përjashtime!

Sepse – sipas tyre – ngjeshja, elektriciteti artistik dhe koncentrimi i tepruar erotik (në një bombulë të vetme artistike) jo vetëm se do ta hidhnin nga ekuilibri cilindo maestro, por dhe do t’pasonin ndëraksione tjera të pakthyeshme; respektivisht të gjitha proceset artistike dhe ato kimike në trurin e sofistikuar të artistit do çoroditeshin totalisht.

Do t’rezultonte pastaj, pashmangshëm, njëfarë kaosi ndjenjash dhe do ngatërrohej e gjithë bota ndjesore e artistit. Qenia e tij e ndjeshme do katandisej si një pupëz mëndafshi e krimbit letargjik kinez. Dhe dihet, që nga kohët më të hershme, ndoshta që nga hapat e parë të njeriut në fushën e artit… nëse kjo ndodhë, do t’thotë mpirje, anestezi fatale për simbiantin artistik – do t’thotë se është ndotur e infektuar thellë koncentrati mimetik, se është dridhur e plasaritur gjithë ai kompleksitet, në të gjitha Unazat e Krizalidës, se është shkokluar e shkapërderdhur mozaiku shumë-shtresor kristalor.

Natyrisht, pas një katrahure të tillë është e pamundur të riparohet akëcila strukturë. Kur dihet se qeniet artistike janë kristalet më komplekse të Universit, amëzat më të pastra të ndjeshmërisë kozmike (entuziastët madje i konsiderojnë si super-struktura, me kushedi sa shumë nivele të hiper-ndjeshmërisë). Me fjalë të tjera, askush s’e vë në dyshim faktin se artistët mund ta kapin e përthithin çdo vibracion, se artistët ndoshta janë vetë ndjesia kozmike, se janë qeniet më të brishta dhe, pa dyshim – shtojnë ata vetë sa herë u jepet rasti – qeniet më galante, në gjithë Universin.

Sa i përket riparimit, ka një lloj ngjashmërie me ato katastrofat në miniaturë. Është njëjtë sikur ta minosh Statujën e Lirisë me një sënduk TNT, apo bazamentin e Skënderbeut në sheshin gropa-gropa të Tiranës dhe pastaj të ëndërrosh syhapur se pas rikonstruktimit çdo gjë do t’ jetë siç ka qenë dhe më parë! Mjaft e vështirë kjo për ta gëlltitur, për të qenë e besueshme!

Kuptohet, mosbesimi në këtë drejtim është fort i arsyeshëm, sepse riparim efektiv nuk ka. Kristalet janë kristale. Pas një trilioni efektesh zinxhirore, secila fije me ato gjurmët e veta të padukshme optike-termike do ta tradhtonte njëmendësinë e origjinalitetit.

Mjeshtri i madh Pikaço i pati hetuar të gjitha këto problematika, dhe i pati kuptuar fort mirë. Një herë, kryeneçësisht, provoi të vërtetonte se një artist i klasit të tij ndoshta dhe mund t’u bënte bisht, por hoqi dorë. Në fund, sikur i pushtuar nga një ndjenjë faji, pati deklaruar: “ka artistë që një pikë të verdhë mund ta kthejnë në diell, por ka dhe aso që një diell të vërtetë e degradojnë… në një pikë”!
E qartë, secili lexues do pajtohet me mençurinë pikaçiane

***
I dalldisur në kryeneçësinë e vet, siç thamë më lart, Pikaço madje pati eksperimentuar. Tri javë rresht e pati lutur një miken e vet që të kthehej në diç si “lulediell i rebeluar”, të qëndronte pipëz në këmbë me shpinë kah dielli. Dhe kur ajo më në fund u bind për nderin që ia kishte caktuar fati në një plazh afër Vallaurisit, maestroja si babaxhan me veglat e brushat në dorë, provoi ta kapte diellin tej-e-përmes këmbëve të saja.

Edhe tri javë të tjera qe vërtitur Pikaço i gjorë; fiksonte e skiconte, jepte e merrte me lapsat e brushat. Për tri javë të tëra fjeti vetëm tri net, i hëngri vetëm kokërrkuqet nga tre fruta shege, u fut në det të lahej vetëm tri herë. Por as muzika e lehtë dhe atmosfera magjike, as ëmbëlsia e ajrit si prej çokollate, as nudistika elektrike dhe as vetë modeli i hijshëm nuk e kishin fajin!

Sëpaku kështu i dukej atij vetë për një kohë, anise… aq i sigurt nuk ishte. S’e kuptonte se çfarë e shtynte ta thumbonte gjoksin e vet me gisht; padashtas prirej t’ia hidhte gjithë fajin vetes! Kjo e tërbonte maestron dhe dridhej si kacagjel, plot inat. Krenaria dhe shumçka në kokën e nxehur i qenë trazuar. Megjithatë, dalëngadalë, në mendjen e tij zuri rrënjë përshtypja se tashmë e njihte mirë thembrën e vet akiliane.

Shumkush e pëlqente diellin e tij, por ai vetë jo! – thonë dëshmitarët okular. Njerëzit do ta admironin në heshtje pafajësinë e modelit, ëmbëlsinë dhe buzëqeshjet e trëndafilta, mirëpo Pikaço vetë assesi të kënaqej me produktin final artistik.
I njohur për durimin e palëkundur, pothuaj si një pinguin akullnajash, i spikatur për këmbëngultësi, do ta provonte prapë dhe përsëri, por e kotë. Do t’i ndërronte pozitat me qindra herë, do t’i tymoste cigaret e dredhura ngutshëm, do t’nervozohej e do qetësohej, pastaj do t’i ndërronte brushat, do t’i ndryshonte qasjet, do t’i mprehte përspektivat… por pa sukses. Pas tri javësh, i lodhur dhe i rraskapitur, me ndjenja artistike të topitura, thuhet se më në fund pati hequr dorë.

Qe dorëzuar Pikaço i Madh! Dhe kjo nuk ndodhi atëbotë tek ashtu, pra pa u errësuar qielli i tij, me gjithë horizontin rreth e rrotull. Zemra i qe fryrë e tendosur deri në dhimbje, i vinte të pëlciste nga inati. Ndjehej mllefi i tij në kulm dhe dukej si një katapult romakësh, i mbushur e i ngjeshur – tregojnë dëshmitarët. Askush s’pati guxuar të nxirrte zë, t’i drejtohej qoftë dhe me një fjalë të vetme, ta shihte në sy; as një lëvizje as pluhur, as frymë as pipëtimë.

Jo gjithë njerëzia e plazhit, por ata që merrnin vesh nga arti, vunë re atëbotë se Pikaço qe pikëlluar e trishtuar sepse ia vërtetoi vetes (artistikisht) ca dyshime të vjetra. Ato dyshime të përhershme në kokën e tij i dolën plotësisht të bazuara. Eksperimenti nxori në pah se kishte patur më shumë sesa vetëm të drejtë.

Ca të tjerë menduan se pikëllimi kishte t’bënte me dhimbshurinë; sipas tyre i qenë dhimbsur këmbët e mikeshës së vet. Këso thëniesh mbase dhe mund t’jenë të vërteta, sepse tri ditë radhazi më pastaj – flasin dëshmitarët – provoi t’ia kthente borxhin asaj, me dhimbshuri të madhe. Tri ditë të tëra ua kushtoi këmbëve të saj të pafajshme me fërkime dhe masazh të hollësishëm, për së gjeri e për së gjati. Pikaço përdori gjithfarë vajrash, i aplikoi të gjitha teknikat, zotësinë dhe mjeshtërinë e tij – thonë ata.

Sa i përket vitalizimit të modelit, falë përvojës së Pikaços… s’e beson kush t’i ketë shkuar mundi kot. Jo vetëm ngaqë këmbët e saj nuk ishin të qelqta, jo vetëm për faktin se qëndrimi heroik në këmbë për aq gjatë pati qenë i mundur nga pasioni. Jo vetëm sepse akti në plazh i rrëzoi apo theu të gjitha rekordet (u shpall akti më i gjatë i palëvizshmërisë së modelit). Apo jo vetëm sepse qëndrimi i saj stoik pati qenë eventi më spektakolar i plazhit.

Këtij tani s’bënte e t’mos i dhimbsej një krijesë aq e devotshme, aq e motivuar për suksesin e artit të tij. Një krijesë që e pati prekur thellë me heshtjen, me qetësinë, me stoicizmin engjëllor. Si një artist që ishte, Pikaço padyshim ndjente se mosmirënjohja s’do përputhej me karakterin e tij nëpër shkrimet e kritikëve, të historianëve të artit; s’do anashkalohej kurrë e vërteta se ajo i dhuroi për tri javë rresht buzëqeshje të panumërta, ngrohtësi e frymëzim…

Nga këndvështrimi ynë, pavarësisht dështimit të Pikaços në planin artistik, cilindo motiv ta marrim ose dhe ta shpërfillim, mjafton fakti kyç se këmbëve të mpira të modelit u duhej jeta e gjallëria. Në fund të fundit, nëse hiçgjë tjetër t’mos ia guduliste ndërgjegjen Pikaços, sakrifica e saj kishte t’bënte me kryeneçësinë pikaçiane, me marrëzinë e pafalshme për ta fiksuar diellin si një pikë të verdhë në kanavac.
Thonë se ky pati qenë eksperimenti i parë kryeneç… dhe i fundit, eksperimenti i vetëm i Pikaços me Diellin në Vallauris.

[ ngjitur: foto e Pablo Picasso (1881-1973), gettyimages ]