Obama, Trump, dhe “Shtëpia Rozë” (jo e Bardhë)!

(sguraziu – ap, dhjetor 2012 – pak humor)

Padyshim ju kujtohet kur Donald Trump (ai pasaniku i madh, ai pronari i show-spektaklit “Miss Universe” – po e cekë këtë detaj, sepse më duhet më poshtë në kontekst – ndonëse pronar dhe i shumçkaje tjetër, s’ia mohon kush as pronat as zotësinë ) e pati akuzuar z. Obama se ky nuk qenkësh tamam “amerikan”, se nuk kishte çertifikatë valide të lindjes. Dhe për ta vërtetuar amerikanizmin e vet, z. Obama atëbotë u desh ta gjente çertifikatën “ku është e ku s’është”. Të ngratit i patën dalë mjaft telashe, u desh ta shkundulloste pluhurin nga gjithë arkivat në Hawaii për ta gjetur dëshminë. Dhe pirolla i qoftë, me fakte e faktosi se kishte lindur “amerikan”, e jo eskimez!

Në rregull, çertifikata nga Hawaii e pati “vulosur” njëherë e përgjithmonë amerikanizmin e tij. Çlirim i madh, frymëmarrje e thellë, na ishte se ç’na ishte. S’është mirë të ta nxirosin jetën, ama s’ke ç’bën. Sidoqoftë, buzëqeshja e tij nuk nëkuptonte se duhej dhe të harronte. Assesi jo, natyrisht që do revanshohej, thjesht sa t’vinte ai moment-momentumi ideal. Dhe kështu, herët o më vonë gjithçka do vinte në vendin e vet, njësoj si çertifikata që pati ardhur nga Hawaii.

Në një gala-mbrëmje (nëse s’gabohem ishte diç festive, kuptohet aty prezent dhe z. Trump), derisa Presidenti Obama filloi të fliste para qindra personaliteteve, në ekranin e madh filloi të shfaqej një foto-slajd me Shtëpinë e Bardhë (presidenciale), tashmë të ngjyrosur rozë. Dhe shumçka tjetër rozë. Pastaj Presidenti filloi t’i komentonte fotot.

“Ja, kështu do dukej Shtëpia e Bardhë, nëse Trump të bëhej President”. Të pranishmit desh u shkokluan së qeshuri me batutat e tij. Thumbat revanshues drejtuar z.Trump sikur e patën ëmbëlsuar gjithë gala-mbrëmjen festive. Anise ky i fundit as gojën s’e hapi, krenarisht i “kapërdiu” të gjitha. Thjesht ia bëri me shenjë, thuase donte t’i thoshte: “bravooo… ke të drejtë tani, ja pse jemi krenarë që këtu i thonë Amerikë, na ka hije herë pas here dhe për gafa e kalamallëqe politike”.

Këtë grafikën që e gjeta, ma kujtoi gjithë marifetin e “revanshit”. Po ashtu, doli ne pah se ideja e “Shtepisë Rozë” nuk ishte dhe aq origjinale si ide. U bë e qartë se prej nga frymëzimi i stafit Obama. Sipas imazheve “pa të keq” (gjatë një kontesti humoristik me temën “If Women Ruled the World” – Nëse Gratë ta Qeverisnin Botën), birra holandeze Heineken do ishte rozë dhe do quhej Sheneken, marka e njohur Burger King do ishte Burger Queen, revolet s’do ishin për vrasje, municioni sa për sy e faqe pasi diç si fishekë-buzëkuqe etj etj.

Pra ajo Shtëpia Rozë, e di se burim “origjinal” nga Shtëpia e Bardhë, ujdisje nga stafi i Presidentit Obama – për të tjerat s’i di emrat e autorëve, s’e kam idenë kreativitet i kujt do kenë qenë.

(sqarim i vogël, tani në v. 2023 – duhet të kihet parasysh se në kohën e komentit tonë, në v. 2012 Donald Trump ende s’ishte bërë President, kjo do ndodhte 4 vite më vonë, historia thotë se në zgjedhjet e 2016-s kandidati i republikanëve z. Trump do fitonte ndaj kandidates së demokratëve, znj. Hillary Clinton)