“Zani” i znj. Jahjaga – Frymëzim simpatik për femrat kosovare!

(sguraziu – ap, sh 23)

(…“jo” vegël politike për axhendat e burrave të politikës, jo dhe jo, s’jam “zgjidhje e përkohshme 6 mujore”, prindërit s’e rritën një vajzë që shërben vetëm si “zgjidhje e përkohshme”, derisa burrat t’na akordohen mes vete, sipas qejfeve e tekave…)

Them se Interneti, falë ish-Presidentes Jahjaga, ma fali mbi një orë buzëqeshje e kënaqësi. Duke u marrë me edicionet e revistës “Za”, publikime të Fondacionit Jahjaga, hasa në shumçka të bukur, info të ndryshme interesante dhe plot artikuj. Revista “Za” impenjohet të përcjellë histori të fuqishme rreth ripërtëritjes në përpjekjen për ta ndryshuar narrativën e barazisë gjinore.

Sipas sqarimit të tyre, emri i revistës “Za” ka kuptim dyshtresor, ose të dyfishtë; “za” në shqip, gegnisht dtth. za (zani – zëri), dhe i referohet zërit të grave, avokatëve të barazisë gjinore. Ndërsa në serbisht “za” dtth. për (në favor të) që është një përkushtim për të gjitha gratë dhe burrat e fortë (por “elastikë”) të cilët i kalojnë sfidat për t’krijuar kushte të barabarta ndërgjinore.

Një shkrim i znj. Jahjaga i v. 2020, diç si letër e hapur drejtuar vajzave të reja kosovare, sikur linte përshtypjen e një lloj “rebelimi” feministik mjaft simpatik, s’di si ta përshkruaj ndryshe. Nëse ekzagjerimit t’ia shtonin një grimë ëmbëlsi, do tingëllonte pothuaj njësoj siç rebelohen shtrigat-feministe të Evropës. Tani kujdes, për “shtrigat” nuk duhet sakaq t’ju shkojë mendja keq. Absolutisht jo. Thamë “shtrigat”, por jo se Znj. Jahjaga na qenka ndonjë shtrigë. Ruana zot, larg keqkuptimeve, e patëm fjalëm sipas “kuptimit” modern për shtrigërinë, e për feminizmat.

Askush s’e mohon faktin që znj. Jahjaga ka të drejtë të jetë feministe. S’di nëse ta ketë “pranuar” publikisht, ama ekspertët e dinë se ajo është feministe e flaktë, ndoshta 99.9%. Madje, duke qenë feministe ka të drejtë ta ketë dhe një dashnore-feministe, apo jo. Tekefundit në Evropë të gjitha feministet e kanë sëpaku nga 1 dashnore. S’jemi duke iu “përzier” në punët e brendshme, assesi jo. Ajo si shefe-police, me gjithë ato grada të larta, saora na lidh n’pranga. Por, dmth. nëse helbete t’i mbushej mendja, pse jo… why not. S’kemi si ta dimë, ndoshta vërtet e ka ndonjë “zemërlushe” sekrete : )

Nëse i shihni fotot e saj të kohëve të fundit, përveç rinimit, fare lehtë do ta hetoni dhe një lloj “metamorfoze” sa i përket stilit, buzëqeshjes e bukurisë. Për vita-lizime të tilla dhe stilistikash moderne, në të 50-tat jo gjithkush mund të krenohet…

Tjetër se kjo temë në rrethanat kosovare mund t’jetë mjaft e ububushme, sepse rrethanat atje janë pothuaj “unikale”. Si n’Kosovë si n’ Shqipëri ende është “tabu-temë”, madje mund të ngelet përgjithmonë “tabu”. Edhe nëse diskutohet si temë (ta zëmë në TV), gjithçka që thuhet e artikulohet… prapë thuase bëhet me aso instrumentesh klishe-istike. Përkundër përparimeve evidente, disa punë nuk sheshohen dhe aq kollaj. Hesapet “sekrete” të punëve të brendshme ashtu-kështu nuk llogariten. Gjërat që nuk “shihen” s’i kapërthejnë madje as statistikat (që nevojiten për shkencat : )

Mirëpo, shikuar holl e holl, ekspertët e feminizmit e dinë fort mirë se znj. Jahjaga, përveç si feministe, përputhet dhe me “statusin” e shtrigave moderne. Siç dihet, në kohën tonë “shtrigat” s’kanë asgjë të keqe, përkundrazi, vetëm gjëra të mira dhe të bukura. Sot të gjitha shtrigat moderne të Evropës krenohen që janë shtriga. Sidoqoftë, mjaft me shakatë e tilla, paçka se shaka-serioze, plot vërtetësi. Le ta prekim rastin simpatik i cili lidhet me Fondacionin Jahjaga, sëkëndejmi dhe me vetë znj. Jahjaga, si Presidente e Fondacionit, dhe si ish-Presidente e Republikës.

Në v. 2018, kur qe themeluar Fondacioni Jahjaga, po atë vit qe themeluar dhe “Vajzat e Shtrigave”, siç ato vetëquhen (Daughters of Witches). Kjo platformë e-komerciale është diç si “besëlidhje” feministe e shtrigave që duan ta mbështesin njëra-tjetrën. Faqja e tyre madje ka zgjedhur ta ekspozojë një aso pikture “hot” (me nudo-bukuroshet e Luis Falero), “Shtrigat duke shkuar në Sabat”, 1878.

Dihet se në kapitalizëm nuk ka konsum etik – thonë ato, mirëpo meqë ekziston kapitalizmi, “Vajzat e Shtrigave” përpiqen ta kthejnë konsumin të jetë sa më etik. Mundohen ta bëjnë këtë, duke i joshur konsumatorët aneskaj botës (dmth. shtrigat – feministet dhe simpatizantët) që t’i blejnë produktet e tyre. Ato pohojnë se mund ta përdorin fuqinë blerëse të konsumatorëve për ta përkrahur (katalizuar) erozionin e kapitalizmit, dhe kështu për t’krijuar një ekonomi më të drejtë.

Sa pi ujë kjo “joshje-taktikë”, kuptohet shumë më mirë e dinë ekonomistët, s’jam duke i gjykuar taktikat e shtrigave, pa le që më mungojnë dhe ekspertizat : )

Pyetjes së vetështruar pse e kanë zgjedhur pikërisht emrin “shtrigat” – edhe këtë e sqarojnë ato vetë. Sepse, dikur në të kaluarën, kur magjia konsiderohej si krim në Evropë dhe Amerikë, imazhi i shtrigës përdorej për t’i shtypur femrat e margjinalizuara (padyshim aludohet në “magjinë e zezë”, kjo e “zeza” përndiqej rreptësisht, historia s’e fsheh se shtrigë-zezat mozomokeq, likvidoheshin e digjeshin të gjalla, ato të “bardhat” nuk ndiqeshin dhe aq mbase : )

Shtrigat shpesh ishin shëruese, femra të mençura, inteligjente, udhëheqëse të kryengritjeve e të protestave, ato i përdornin njohuritë e tyre për t’i ndihmuar të tjerët. Shtrigat ishin gjithashtu femrat inteligjente që shiheshin si kërcënim për sistemin patriarkal, heteroseksual, e po ashtu dhe për sistemin imperialist (kapitalist). Ndërsa tani shtrigat moderne impenjohen dhe janë krenare që e kanë mundësinë t’i rikthejnë këto “etiketa” të denja (dikur ishin etiketa të liga, etiketime famëkeqe, tashmë e vërteta njihet botërisht, vlen pikërisht e kundërta).

Dhe në rregull, u muar vesh, shtrigat moderne s’kanë asgjë të përbashkët me ato të Mesjetës, të cilat me shekuj patën qenë viktima të paragjykimit e të keqkuptimit, qenë ndjekur e likviduar pa mëshirë. Por ç’lidhje na paska Fondacioni Jahjaga i Kosovës me “Vajzat e Shtrigave” të Evropës?! Epo, jo vetëm se të dyja qenë themeluar në v. 2018, por gjithashtu po atë vit “Shtrigat” e Evropës do solidarizoheshin publikisht me Fondacionin kosovar.

Natyrisht, përkrahja e tyre, me titullin “Mbështetja nga Daughters of Witches” do prezantohej në faqen zyrtare të Fondacionit Jahjaga. Se pse “Daughters of Witches” nuk qe përkthyer në shqip, këtë s’e dimë, s’e kemi idenë. Ndoshta sepse në shqip (s’duhet mohuar) “shtrigat” ende tingëllon “errët”, ndoshta në Kosovë akoma s’janë pjekur kushtet që shtrigëria të (mirë)kuptohet njësoj si në Evropë. Sidoqoftë, krenaria për përkrahjen e tyre do prezantohej si vijon:

“Jemi të nderuar për mbështetjen nga Daughters of Witches, një platformë feministe online e cila bën shitjen online të posterëve të grave që i thejnë stereotipet, si dhe shitjen e bluzave, kapelave, gotave e materialeve të tjera, me mesazhe fuqizuese e feministe. Me fitimet nga shitjet, dy gratë e reja, themeluese të kësaj platforme kanë vendosur t’i mbështesin kauzat e Fondacionit Jahjaga…”

Diç si përmbyllje…

Them se përpjekja rreth përmirësimit dhe avancimit të barazisë gjinore në Kosovë është përpjekja më fisnike që mund të ekzistojë. Mbase fat që (fati qëlloi) si frymëzim vetë ish-Presidentja e Republikës sot i prin “feminizmit” kosovar, denjësisht, mirë dhe aq bukur, si askush tjetër. Fatlumnisht, pothuaj diç si mrekullia vetë. O asaj i ec “zani” o askujt. Politikisht, si zyrtare e politikave më lart s’kishte ku ngjitej. Për ekspertizat e “punëve të brendshme”, për trajnimet profesionale dhe për gradat, zor se i afrohet kush. Në të gjitha aspektet, shembullore e paarritshme. Them bravooo Fondacionit, u lumtë për aktivitetet e ndryshme, për kurset e për eventet në shërbim të emancipimit, i lumtë redaksisë së edicioneve të “Za-nit” për mbulesën e mrekullueshme të tematikës, për infot e për artikujt e shumtë, bravooo madje dhe për dygjuhësinë, për kujdesin që aktivitetet dhe ecuritë t’i prezantohen dhe audiencës së Evropës e të botës. Suksese dhe mbarësi!

***
[ më poshtë copëz e shkëputur nga letra “Të dashurat vajza të Kosovës – Letër e Presidentes Jahjaga”, revista “Za”, 29 Dhjetor 2020 – shtesat (në kllapa) shtuar nga unë, përshtatur aty-këtu, për arsye të gjatësisë së tekstit ]

“…meqë burrat (e politikës) s’ia dilnin të pajtohen për një koalicion, ma kërkuan të shërbej si Presidente, derisa ata ta arrinin një marrëveshje. Plani i “daljes” për mua (nga presidentllëku) ishte i planifikuar tashmë, përpara se t’ia filloja… Besimi i përgjithshëm ishte se ky funksion u takon vetëm meshkujve. Në Ballkan kjo (pozitë, femër presidente) s’merrej me mend, e aq më pak në Kosovë. Si gruaja e parë në këtë pozicion, kisha përgjegjësinë të dëshmoja se ky rol është po aq i përshtatshëm për femrat, ashtu sa dhe për meshkujt. Dhe këtë (dëshmi) pritej ta arrija brenda 6 muajve, si “zgjidhje e përkohshme”… Pas 6 muajsh, pritej që ta përfundoja mandatin, dhe kështu të tërhiqesha nga dy pozita të larta, pa i mbushur ende 36 vjeç… Meqë për t’shërbyer në rolin e Presidentes më është dashur të jap dorëheqje nga pozita në Policinë e Kosovës. Kisha shumë arsye për t’u menduar e për të hezituar. Ky do ishte vendimi më i vështirë që kisha marrë ndonjëherë… Kjo mundësi (për Presidente) m’u ofrua. Ma ofruan mua, një gruaje! Vendosa ta pranoj (pse t’mos e pranoja, askush nga burrat s’do hezitonte, shumë prej tyre mund dhe t’kenë “plasur nga inati”). Ishte nder dhe vetëm konsiderata, në radhë të parë, e aq më tepër ta merrja dhe besimin e përfaqësuesve të popullit… Ndërkohë (edhe gjatë muajve të parë si Presidente) planet rreth meje vazhdonin… Pritej që t’i përmbahesha planit, sipas marrëveshjes politike që (burrat) kishin bërë paraprakisht. Mendojeni këtë gjë për një moment. Më kishin bërë pjesë të një marrëveshjeje politike, pa qenë unë vetë fare nënshkruese e saj. Në anën tjetër të kësaj marrëveshjeje ishte Kushtetuta e Republikës. Aty thuhet qartë se pas marrjes së besimit nga 2/3 e deputetëve, Presidenti ka një mandat 5-vjeçar. Unë e kisha marrë këtë besim të deputetëve. Kam dëgjuar argumente të ndryshme se zgjedhja ime ishte diç si përjashtim, pasi isha “rezultat i një marrëveshjeje”… Mandati im s’ishte çështje interpretimesh politike (të burrave). Kështu që çështjen ia drejtuam Gjykatës Kushtetuese. Dhe Gjykata e dha vendimin e saj. Aty thuhej qartë se kisha të drejtë të vazhdoja mandatin deri në fund. Më qe ofruar mundësia (për Presidente) dhe e pranova. S’kam qenë pjesë e marrëveshjeve tjera (të burrave), dhe si e tillë s’kam patur detyrimin t’i respektoj (marrëveshjet e tyre). Në fund të fundit, pse do ta bëja një gjë të tillë? Vetëm sepse disa burra do binin dakord që unë mund t’shërbeja si “zgjidhje e përkohshme”, derisa (ata vetë) ta arrinin një marrëveshje që u përshtatej më së miri? Jo. S’kisha punuar aq shumë vetëm që t’shërbeja për axhenda të caktuara politike. Prindërit e mi nuk e rritën një vajzë që shërben vetëm si “zgjidhje e përkohshme” (veglurinë politike), derisa burrat të akordohen mes vete…”