Kryeministri holandez Rutte i trembet vetëm Ramës!

S. Guraziu – AP, Sh 2023 (Humor, referencat: Show-mbrëmje me A. Lubach (S3) – VPRO Holandë – 22 shkurt 2023)

( …nga 69 krerët e qeverive të botës, vetëm 1-rit prej tyre Rutte ia ka frikën, e ky është Kryeministri shqiptar, Edi Rama. Këtij i trembet, sepse Rutte s’pati ditur me “diplomatikat”, pati thënë Shqipëria është e korruptuar, nga inati Rama e pati “kërcënuar me vrasje”, tani Rutte assesi s’guxon t’ia kthejë shpinën… )

***
Mos vallë Kryeministrit Rutte t’i jetë mërzitur Holanda! – shtireshin dje kureshtarë shakaxhinjtë Arjen Lubach dhe Tex de Wit.
Pasi Rutte tërë kohën duke bredhur nëpër botë. Statistikat dëshmojnë se ai po “socializohet” me politikanët e botës secilën herë e më shumë. Nëse hiqen vitet e pandemisë, Rutte s’paska bredhur kurrë më shumë sesa vitin e kaluar. E 2022-ta qenka “rekordi” i bredharakut.

Pse kjo mani e bredhjes, pse ky intensitet vizitash! Mos vallë t’i jetë mërzitur Holanda, mos vallë t’jetë lodhur nga debatet “bajate” të parlamentit!

Sipas Lubach, ndoshta vërtet mund t’i jetë mërzitur Holanda. Natyrisht, kur i bën 12 vjet si Kryeministër dhe mërzitet njeriu. Rutte qenka takuar me krerët e qeverive të 69 vendeve, të paktën nga 1 herë, sy më sy. Rutte i paska realizuar 194 takime “politike”. Paska ikur jashtë vendit 129 herë, ndërsa krerët e huaj e paskan vizituar në “shtëpi” 65 herë. Dhe kjo duke i lënë anash shumë gjëra, pa i llogaritur psh. samitet e BE, samitet e NATO, samitet e OKB etj etj. plot këso “tjerash”.

Me shumicën… vetëm nga 1 takim, me ndonjërin politikan takuar dhe më shumë herë. Nr. 1 e mbajka Angela Merkel, me 13 takime. Takimi i tyre i parë (në v. 2010) paska qenë madje “diplomaci në shikim të parë”. Sepse Rutte e paska falur puthjen e parë. Gjatë viteve Rutte qenka marrë me dorështrëngimin 188 herë, por i paska falur vetëm 6 puthje. Të gjitha puthjet i qenkan falur znj. Merkel. E qartë se puthjet ishin ekskluzive, 13 takime me fqinjen ama vetëm 6 puthje, i bie se 7 herat e tjera do jetë “turpëruar”, o refuzuar.
Nr. 2 i takuaka Macronit, me 11 takime. Ndërsa me 5 takime, Putinit i takuaka Nr. 3. Kuptohet atij ‘të vjetrit, sa ishte i mirë’, jo këtij sherraxhiut, luftënxitësit, Putinit aktual asnjë takim.

***
Sidoqoftë, një detaj nga humori i djeshëm m’u duk “më interesanti”, sepse kishte t’bënte me shqiptarët. Mësova se nga 69 krerët e qeverive të botës (me të cilët është takuar), vetëm 1-rit prej tyre Rutte ia paska frikën, e ky qenka Kryeministri shqiptar, Edi Rama. Do provoj tani sadopak një përafrim kontekstual me shakaxhinjtë de Wit dhe Lubach.

Ramës i trembet, sepse Rutte s’pati ditur me “diplomatikat”. Pati thënë Shqipëria është e korruptuar. Mbase do mendoni: e çfarë pastaj, gjithkush mund ta përmend korrupsionin, pse t’mos thuhet e vërteta. Epo, dhe mund ta thuash, pse jo, ama jo vetë Kryeministrit në surrat. Sepse Rama s’është një liliput si Putini, as zhaglaman si Macroni. Shih, në të djathtë e ke Ramën, ai djalo-vogli në të majtë është Macroni. Pa shihe Ramen, një arushan alamet, s’është aso arushi kalamjsh, ta përgëdhelësh e qimebutë.

Si kundërpërgjigje rreth akuzës për korrupsionin, gjoja si shaka “kërcënuese”, Rama i pati thënë “do duhej të të vrisja (në fakt)”, mbase shaka do ketë qenë. Dhe sipas Ramës të gjithë patën qeshur, përveç vetë Kryeministrit Rutte. Zakonisht ndodhë e kundërta, apo jo, të gjithë ngelin ose heshtin, vetëm i kërcënuari ia kris së qeshurës.

Dhe pastaj, ca kohë më vonë, në t’njëjtën kohë Rutte dhe Rama do arrinin në një samit të BE. Sa për sy të botës shtireshin miq, me ombrellat e duke llafosur, ama njerëzia e vunë re se Rutte s’guxonte asnjë hap para Ramës. Sepse kishte frikë Rama do ta sulmonte nga pas. Pak kujt ia mban, s’lihet pas shpine një arushan. Gjoja si mirësjellje, sa për sy e faqe gjoja respekt burrëror, i jepnin përparësi njëri-tjetrit, “pas teje”, “jo, ti para meje”… ama videoja e dëshmon qartë, Ramës ia kishte frikën.