“Negociatat e Vështira” (Ayala Fishaimer, 2020)

(Comedy Wildlife Photography Awards 2020)

…kam qenë dhe vetë dëshmitar i një situate të njëjtë “negociatash”, anise s’jam kujtuar për foto – me iPhone mbase dhe mund ta kisha dokumentuar, s’më ka vajtur mendja, kuptohet se duhet t’jesh i shpejtë me mendjen, po aq sa me iPhonat : )
…në rastim tim të dëshmisë, ishte një mace (jo e “panjohur”, them e njohur – sepse e di që është e dikujt nga fqinjët) dhe një miush, i ngrati kërcente aq vrullshëm duke “luftuar”, thuase këmbët i kishte me susta, në një moment madje dhe macja sikur u tremb pak, sepse miu duke mos patur kontrollin aq të saktë të akrobacioneve të veta, u ndesh me hundën e saj…

…mund ta vë “dorën në zjarr” se macja gjithçka e bënte që të zbavitej vetë, sepse e provokonte miushin e rraskapitur, e “rrotullonte” sa andej-këndej, për t’ia filluar i ngrati rishtas nga e para, rishtas aso lufte e padrejtë, akrobacione kërcimtare e rezistencë, tamam si një trimulush – ato sekonda dhe për mua patën qenë befasi, s’kisha si bëhesha “shpëtimtari”, veç e thashë mendja e “ngadalshme”, përndryshe pse t’mos bëhesha heroi i padrejtësisë…

…kur mendja më brofi prapë s’kisha si intervenoja, ndodhesha përtej xhamit, për t’vajtur rrotull kah dyert duhej t’isha super-i-shpejtë (ndoshta si vetë supermani i filmave), i rashë xhamit ndoshta si “qortim” (për ta ndaluar torturën), macja e ktheu kokën furishëm, për ca çaste më shikoi gjoja e “çuditur”, sipas meje nuk u turpërua aspak, rishtas indiferente thuase loja e saj s’na ishte “gjë”, sakaq e kapi mini-protagonistin tonë ndër dhëmbët dhe iku si vetëtimë…
(sg – ap, mars 23)