U lumtë Zviceranëve – mos u lumtë Britanikëve!

(sguraziu – ap, mars 23)

(…u lumtë madje dhe Shqiptarëve, me 7.2% Shqipëria krenohet për inflacionin sadopak nën kontroll, ngjashëm siç krenohet Luksemburgu për inflacionin më të ulët në BE, 5.8%…)

Se do t’i paguaj vetë (për aq sa më takon) problemet me ekonomikat, krizat me energjitikat, se do ta paguajmë nga xhepthi ynë grykësinë e Putinit, këtë e dija ende pa ia mësyer ai Ukrainës. Kuptohet, sanksionet kushtojnë (gjithçka e paguan populli), sikur dhe politikat që e kanë çmimin e vet. Sidomos politikat e “pashoshitura”, gabimet e politikanëve gjithmonë i paguan populli. Madje dhe pata shkruar rreth “pafajësisë sime të vogël, kundruall paturpësisë së madhe të Putinit“.

Po ashtu, për 2-3 vite rresht (para datës fundimtare të “Brexit”) i pata lutur britanezët të rrinin, u thosha madje dhe inglizisht “don’t go”. Jo vetëm sepse fqinj (të andej gardhit), por dhe sepse faktorët e ekonomikave e thoshin qartë. Atëbotë, me kohë qe parallogaritur gjithçka – (duke i lënë tjerat vende të BE) “ikja e tyre dhe vetëm Holandës do t’i kushtojë me dhjetra miliarda” – thoshin ekspertët.

Shkurt, i pata “lutur” të rrinin për të mirën reciproke, “të dyja palët jemi humbëse”, u thosha – por siç dihet (histori tashmë), s’më dëgjuan.
Tani i “degjoj” tek qajnë e ankohen çdosecilën ditë (meqë s’i kam larg, vaji i tyre sikur dëgjohet madje dhe nga dritarja e banjos), “na mashtruan politikanët, na e bënë mendjen dhallë, nuk i patëm shoshitur gjërat aq mirë”. Natyrisht se m’vjen keq, aq i “keq”, sa t’mos ndiej keqardhje për gabimet trashanike, qebesa s’jam.

Sidoqoftë, sot ankohet e gjithë Evropa, jashtë e brenda BE, pa përjashtime, të gjithë varg e varg qahen për inflacionin e për krizat. Përveç zviceranëve… se desh harruam, ka 1 përjashtim, këta janë të vetmit që s’dëgjohen. Shtiren madje dhe modestë, gjoja sikur s’janë mburravecër e të ngjashme, vetëm buzëqeshin.

Dhe ç’të thuhet tjetër pos “u lumtë zviceranëve”. Inflacioni i tyre pothuaj s’ka “lëvizur”. Ose thjesht pakëz dallim simbolik (nga ato statistikat e mëhershme), sa për t’mos ngelur fare “statike”. S’u ka hije as statistikave të “palëvizshme”, duke ndenjur tepër gjatë në një vend (psh. si papunësia e Kosoves) thjesht nisin e duken bajate.

Me 3% inflacion Zvicra pra shembullore, më shembullorja e Evropës. Madje “i lumtë dhe Shqipërisë”, edhe këta më bukur se BE-ja, pothuaj më bukur se e gjithë Evropa. Si ia dolën Shqipëria dhe Zvicra me “mrekullinë”! Rëndësi ka që ata vetë e dinë. Vetë s’e di bash “saktë”, ama s’e dinë as britanikët, meqë sikur të dinin padyshim do i kishin statistikat më mirë, s’do qaheshin : )

Sipas shifrës së 23 Janarit 2023, me 7.2% inflacion Shqipëria disa herë më stabile se Turqia (58% inflacion – e qartë se Turqia mozomokeq). Shqipëria më bukur se Kosova (me 12.1% inflacion), më bukur se Maqedonia (17.1%), se Mali i Zi (16.2%), se Bosnja e H (14.8%), se Mbretëria e Bashkuar (10.1%), se BE (10%), e madje më bukur se e gjithë BE-zona (8.5%).

Shkurt, Shqipëria me 7.2% krenohet për indeksin “inflativ’ sadopak nën kontroll, së bashku me Luksemburgun (5.8%, më i ulëti brenda BE). Mbase duhet shtuar dhe Spanjën (5.9%), Maltën, (6.8%) e deri tek Franca (me 7%) – të tjerët, inflacioni i dhjetra vendeve mos pyet, secili keq e më keq. Listës së “keqe” (të EU27) i prin Hungaria me 26.2% inflacion.

Ekonomistët thonë se pandemia e papritur (e 2020-es) ishte “tronditja” prapa shumë faktorëve të tjerë që ndikuan në inflacionin. Çrregullimi i ardhur nga pandemia ishte masiv. Hallkat e furnizimit global ende nuk janë rikuperuar nga problemet e prodhimit, nga kufizimet e udhëtimit dhe nga problemet me fuqinë punëtore (dmth. shkaktuar nga pandemia). Rritja e kostove të energjisë vetëm sa do ta përkeqësonte problemin e furnizimit – thonë ata. Pasi efektet do reflektoheshin veçanërisht në sektorin e transportit (i cili sektor ka normën më të lartë të inflacionit, nga çdo sektor tjetër në BE).