Maturia dhe Vigjilenca – Çmimi i Lirisë (NATO)

(sguraziu – ap, mars 2023 – përsiatje rreth moto-simbolikave të NATO-s moderne, rreth nxënieve nga historia, rreth urtësisë e maturisë, rreth Romës (Romake) të Cesarit e Ciceronit etj)

Fraza në latinisht “Animus in Consulendo Liber“, siç e dimë është motoja e NATO-s, me kuptimin përafërsisht: “Mendje e Papenguar në Shqyrtim (në Maturi, në Gjykim)”. Po ashtu, motoja zyrtare e Shtabit Suprem të Fuqive Aleate të Evropës (SHAPE) është “Vigilia Pretium Libertatis” (që do përkthehej: Çmimi i Lirisë është Vigjilenca). Pra dhe vetëm në motot e NATO-s e kemi Vigjilencën dhe Maturinë.

Fillimisht 2-3 gjëra të vockla rreth NATO-s.
Kuptohet, dhe vetëm NATO, me kaq nënkuptohet gjithçka. Ama të thuash NATO është njësoj si të thuash Everest, apo Planet (psh. Toka komplet). Strukturë super-komplekse. Shkurtesa që e përmendëm më lart, SHAPE është selia ushtarake e NATO-s, ndodhet në Mons të Belgjikës. Nën një kulm shkurtesor ndodhet dhe “shkurtesa” tjetër ACO (Komanda e Operacioneve të Aleancës). Kjo “shurtesë” psh. i komandon të gjitha operacionet e NATO-s, në mbarë botën. Me “gjuhën” tonë i bie të jetë komando-shkurtesë suprematike, diç si krye-shkurtesë.

Po ashtu bën të thuhet se Komandanti i të dyja shkurtesave (ACO dhe SHAPE) quhet Komandant Suprem i Aleatëve në Evropë (SACEUR). Ose, megjithatë më “shkurtimisht” do ishte të thuhet se komandat strategjike të NATO-s janë shkurtesat SACEUR (ACO, SHAPE, në Mons të Belgjikës) dhe SACT (ACT, në Norfolk të SHBA). Bukur, i cekëm shkurt motot dhe ca cikërrima teknike të NATO-s, sepse dhe shkurtesat i kanë motot e veta, madje dhe vetë NATO është shkurtesë : )

Motoja e përgjithshme e NATO-s “Animus in Consulendo Liber”, besoj qe zgjedhur për ta pasqyruar frymën e konsultimit dhe maturinë e gjykimeve të aleancës. Motoja psh. shfaqet në murin e sallës, në selinë e NATO-s në Bruksel.
Në rregull, moto e thjeshtë dhe e bukur. Jo vetëm universitetet dinë të zgjedhin moto të mençura, apo jo. Latinishtja dhe lashtësia ofrojnë plot gjërash të tilla : )

Motoja qe huazuar nga vepra e historianit romak Sallust, “Bellum Catilinae” (Lufta e Katilinit), botuar rreth v. 43-40 pes (e njëjta njihet dhe si “Komploti i Katilinit”, pasi kishte t’bënte me komplot në v. 63 pes. dhe, apo me prapaskenat konspirative – do i kthehemi kësaj më poshtë). Konteksti origjinal i motos (huazuar nga fjalimi i senatorit Kato, në Senatin romak – dmth. via penës së Sallust) është:
“Por kishte cilësi të tjera që i bënë ata (paraardhësit tanë) të mëdhenj, të cilat cilësi ne s’i posedojmë fare: efikasiteti në shtëpi (dmth. në Romë, atëbotë Kryeqytet i Republikës Romake), rregulli e drejtësia (jashtë, në provincat anembanë), fryma e pavarur në këshillim, pa ndonjë faj a pasion”.

Mirëpo pse qe zgjedhur pikërisht kjo frazë si moto, pse “Animus in Consulendo Liber”? Sipas meje ia vlen sadopak hamendësia, pasi tepër saktë ndoshta s’na e sqarojnë as vetë historianët : )
Përzgjedhja do ketë qenë diç si “urtësi thelbësore”, diç si thelb paksa i maskuar, vetëm ata që e vrasin mendjen do ta dinë. Por dhe diç si leksion nga historia. Thashë “maskuar”, në kuptimin e domethënies së fjalimit të Mark Antonit, pas vrasjes së Cesarit. Anise retorikë letrare dhe zhdërvjelltësi shekspiriane, por Mark Antonit i duhej t’i “zgjedhte” fjalët me shumë maturi. I duhej ta thoshte “këtë apo atë”, dhe të kuptohej diç e tretë, fare diç tjetër.

Cesari i ngratë qe goditur me thikat plot 23 herë – thonë kronikat. Vrasje tronditëse. Pastaj do ishte përcjellja, funerali në Forumin madhështor të Romës. Miku i tij Mark Antoni në fjalimin e vet do t’i dënonte publikisht vrastarët (që ndodheshin në publik), pa e kuptuar ata vetë. Pra sikur i duheshin jo fjalë “neutrale” por ca fjalësh me maska, thuase duhej t’i “shante me lavde”. Andaj nëse “Brutusi ishte njeri i ndershëm”, sipas Shekspirit publiku do ta nënkuptonte pikërisht të kundërtën. Ashtu dhe pati ndodhur, mesazhin e “maskuar” të Shekspirit me gojën e Mark Antonit, publiku e pati kuptuar “drejtë” : )

Cesari do vritej, por mos vallë ishte vrasje e “pakuptimtë”! Vrasje e motivuar vetëm nga “frika” (ndaj diçkaje), akt mizor bazuar në spekulime konspirative, akt i pajustifikuar me arsyen e me mendjen. Mendja e lirë, e jokorruptuar, mbase do gjykonte: Cesari sëpari duhej t’ishte gjykuar, duhej t’i sheshoheshin faktet e mëkatet, qofshin të asgjëshme. Dyshimet serioze duhet mbështetur në diç serioze. Akuzat serioze s’mund të mbështeten në asgjë, në spekulime. Dhe vetë baza duhet ta ketë bazën e vet, nënbazën. Roma ishte demokraci, republikë e llojit të vet (demokracia do zhvillohej në Athinë e në Romë pothuaj njëkohësisht, paralelisht – dëshmon historia), andaj pse duhej “ngutur” me krimesh të pakuptimta!

Cesari qe bërë një ushtarak i suksesshëm, falë kampanjave të tij territore të mëdha do bëheshin provinca të Romës. Dhe vetëm Galia (përafërsisht sa e gjithë Franca e sotme) do ishte sukses marramendës. I udhëhoqi legjionet ndër betejash fitimtare, andej diku larg në tokat e Spanjës e të Galisë, e “vizitoi” madje dhe Britaninë. Kuptohet, me suksesin ushtarak vinte dhe fuqia politike, gjëra të lidhura këto. Më parë veç ishte Konsull i Romës, por Cesari do bëhej madje “dictator perpetuus”, diç si diktator i përjetshëm. Titull “specifik” dhe i rrallë, nuk përdorej shpesh, s’i ipej kujt përveç në raste krizash të mëdha, në raste emergjente… nëse duhej “shpëtuar” Roma.

Në Republikën e kohës së Cesarit, “diktatorllëku” s’ishte shenjë e mirë. Tani si një “diktator” krenar, atyre që nuk e donin u dukej se Cesari s’e “përfillte” Senatin dhe aq. Ndoshta thjesht ua bënte me dije “dua këtë risi, dua atë, kështu më pëlqen” dhe e kryer. Senatorët zgjedheshin për gjithë jetën, jo me mandate as me vjeçarë, ishin fuqia legjislative e Republikës. Dhe s’ishin pak, por nja 300 kokash të mençura, secili më aristokrat se tjetri.

Nëse tërë jetën senator, patjetër se i njeh “vegëzat” e Republikës, të gjitha pikat e lavdisë e të kritikës. Për fat të mirë, tani në kohën tonë fare ndryshe me politikat, s’ka më sekrete, gjithçka transparente, nuk përdoren as hilet as ndërskamcat “a la romake”. Bie fjala, nëse ta krahasonim Cesarin me Ramën (e politikës moderne) s’ke si ia fillon as imagjinatës. Rama “dictator perpetuus” booo mospërputhje totale, krahasim aq i pakuptimtë, e paimagjinueshme. Mbase Xhaxhi dikur dhe do i afrohej sadopak përputhjes, por ja që s’vlen e dikurshmja, e kishim fjalën për të tashmen – krahasimi diskualifikohet : )

Romakët me kohë i patën braktisur “mbretërit”, kishte kaluar kohë e gjatë tashmë, qenë civilizuar e avancuar, qenë bërë Republikë. Tani me “diktatorllëkun” e Cesarit, senatorë të ndryshëm kishin frikë Roma do kthehej mbrapa në “histori”. E qartë se Cesari ambicioz, mbase dhe arrogant.. e vërtetë dhe kjo. Por dhe i zoti, si ushtarak a si komandant, si orator i madh e guximtar, prezantonte dhe reforma madje, meritat dhe atributet e tij (ashtu siç ishin, keq e mirë) rezultuan në një kohë të begatë.

Plot nga senatorët, dhe nga ata që ia kishin “zilinë politike”, ishin të shqetësuar se Cesari mund ta shfuqizonte senatin krejtësisht. Asgjë që “prekej” si dëshmi s’kishin, përveç se imagjinatën. U dhimbsej Republika dhe duhej bërë diç ta shpëtonin. Vetëm me teoritë konspirative patën vendosur ta mbronin të ardhmën e Romës. Kështu që në v. 44 pes. do ta planifikonin komplotin dhe do ta vrisnin. Konspiracioni dhe vrasja qenë planifikuar bukur, pati qenë vrasje e suksesshme. Ama vrastarët sikur patën harruar ta planifikonin të “pastajmen”. Në rregull, e vrasim, por ç’duhet bërë pastaj – thuase askush s’qe kujtuar.

Pas vrasjes së Cesarit Roma do ia fillonte me trazirat e me kaotikat. Ngritja e Oktavianit (si August) do t’i stabilizonte gjërat, por do ishte “ndryshe” – ky do ishte “perandor” tashmë, Perandori i parë. Republika do merrte fund (funksionale me shekuj, që nga fund-shekulli VI pes.) – tani do fillonte Perandoria Romake. I bie sikur komplotistët s’e donin një diktator, dhe kjo në rregull, kishte rrezik bëhej diç si mbret “republikan” – por si duket s’e patën llogaritur perandorllëkun fare (mbretëria ~ perandoria, pakashumë njësoj : )

Sidoqoftë, ç’lidhje na paskan, si “lidhen” motot e NATO-s së sotme me Romën e dikurshme? Fraza “Mendje e Papenguar në Shqyrtim” lidhet me veprimin e ngutshëm dhe kontradiktor të Ciceronit, i cili e pati keqpërdorur fuqinë e postit politik dhe influencën për t’i ekzekutuar komplotistët e v. 63 pes, pa gjyq dhe pa mjetet juridike. Do ekzekutoheshin, por jo siç e paracaktonte ligji i Republikës Romake. Njësoj siç qe ekzekutuar dhe Cesari dy dekada më vonë, pa “gjykim”, pa lirinë e mendjes, pa maturinë – thuase verbërisht, me mendje të korruptuar.

Motoja e NATO-s aludon në maturinë, në mendjen e lirë dhe të kthjellët, “Mendje e Papenguar në Shqyrtim” – sepse s’mund të gjykosh mirëfilli me mendje të korruptuar. Pavarësisht se motoja nuk lidhet tekstualisht me komplotin ndaj Cesarit, analogjia (e korrupsionit mendor) “vetëlidhet” me komplotin dy dekada para vrasjes së tij. Pra jo komplote të larguara dhe aq në kohë, komplot pas komploti, mendësi konspirative…

Po ashtu, sipas NATO-s “Çmimi i Lirisë është Vigjilenca”. Edhe kjo mund t’lidhet me simbolikën. Psh. Cesari pati dështuar me vigjilencën, pikërisht atëherë kur i duhej. Ditën që do vdiste vetë gruaja e pati “paralajmëruar”, i pati thënë se e kishte parë ëndër të gjakosur në prehër të saj. Edhe kur qe afruar tek vendi i vdekjes dikush do ta sinjalizonte që t’kishte kujdes. Sikur diç e dyshimtë rrinte pezull në ajri, atmosfera s’dukej në “rregull”. Mirëpo asgjë.

Jo si Akili i “Iliadës” homerike, ky i pati shpërfillur hesapet thjesht nga trimëria. Fare i vetëdijshëm, me motivin e lavdisë së përjetshme. E patën paralajmëruar nëna Thetisa e edhe të tjerë, por aq i bënte Akilit, thembër-plagosur, zemër-plagosur, prapë trimëri luaneske sepse e dinte që do vdiste. Ndërsa Cesari, ec e merre vesh shpërfilljen e tij, mbase nga përhumbja e madhështisë – thjesht pati dështuar me vigjilencën. Sipas NATO-s, qoftë në rrafshin personal (si gjeneral a komandant), qoftë në rrafshin madhor e strategjik, prore duhet vigjilencë e maturi.

***
Historiani romak Sallust në “Komploti i Katilinit” e ilustron dekadencën morale dhe shoqërore të klasës sunduese të Romës, veçanërisht të Senatit. Gjatë shkrimit ai vazhdimisht e kritikon korrupsionin romak. Sallust e përshkruan tentativën e përmbysjes së qeverisë romake nga aristokrati Katilin në v. 63 pes. Senatorin Katilin e portretizon si karakter imoral, flet rreth qëllimit të tij për ta fituar pushtetin me çdo kusht.

Në fund, pas mjegullës konspirative, gjatë rebelimit Katilin tenton t’i rekrutojë fisnikët e falimentuar dhe plebejtë e pakënaqur politikisht. Përfundimisht Senati i ndërmerr masat ushtarake, në betejën e vetme Katilin vritet, forcat e tij prej rreth 20.000 vetash ia fillojnë me ikjet e me dezertimin. Dhe pra, një betejë e vetme do i jepte fund rebelimit.

Për komplotistët Ciceroni insistonte të ekzekutoheshin pa gjyq e pa hiç, edhe pse vetë ekspert i juridikave. Kërkesa e tij ishte kontradiktore dhe e dyshimtë, mbase mendja e Ciceronit e “korruptuar”. Sepse e caktuar me ligj, të cilin ai e njihte më mirë se askush. Ligji i Republikës e diktonte se burrat e komplotit fillimisht duhej të gjykoheshin.

Ciceroni vinte nga një familje e pasur, ishte i arsimuar, me një karrierë juridike të suksesshme, ishte orator i aftë. Gjatë kohës së Republikës Ciceroni mbajti poste të ndryshme prestigjioze të pushtetit. Ndërsa senatori Katilin ishte një aristokrat por i zhytur në borxhe dhe i korruptuar, afër falimentimit. Do provonte të bëhej Konsull, shpresonte se ashtu do ta zbuste problematikën me financat, por pati dështuar. Në garën e fundit pati fituar Ciceroni.

Senatori Katilin e mendonte veten si një kampion për të varfërit, diç si shpëtimtar për të pakënaqurit, për veteranët e fisnikët e falimentuar. Ndërse Ciceroni e shiste veten si një dikush që beson në respektimin e ligjit dhe të parimeve themelore të Republikës. Andaj propozimi i tij për ekzekutime pa gjyq mjaft i “çuditshëm”.

Në debatet e Senatit, Cesari do propozonte që fajtorët thjesht të burgoseshin, dhe pronat e tyre të konfiskoheshin. Senati do akordohej me Cesarin, derisa fjalën do ta merrte senatori Kato (i Riu, mik i Ciceronit). Fjalimi i tij i zjarrtë dhe nxitës e përkrahte Ciceronin, komplotistët duhej të ekzekutoheshin, s’kishte zgjidhje tjetër. E qartë se Ciceroni do e ketë përdorur fuqinë politike dhe ndikimin për ta realizuar planin e vet, propozimin e vet.

Dhe kështu, komplotistët do ekzekutoheshin pa gjyq, burrat do vareshin ndërsa Ciceroni do quhej “pater patriae” (baba i atdheut). Pavarësisht se avokat i suksesshëm, e njihte ligjin e Republikës fort mirë, pastaj ishte Konsull, e madje dhe poet, pandehte se fitorja e tij ndaj senatorit Katilin ishte “arritja më e madhe”. Mirëpo reputacioni i tij tutje do përkeqësohej, morali nuk “përputhej” me integritetin, diç s’ishte në rregull me ato që ai trumpetonte. Kishte shumë të tjerë që nuk pajtoheshin me ekzekutimin e qytetarëve romakë ashtu pa gjyq.

***
Pra s’mund të mohohet se motoja e NATO-s ishte ose është huazim i bukur, gjetje e bukur dhe domethënse, huazim nga “lashtësia”. Dhe vetëm fjala “maturi” aq kuptimplote. Nëse dikur “baballarët e ShBA” (dmth. Franklinat e këso) qenë kujdesur që Amerika ta “kopjonte” modelin romak sa më shumë që t’ishte e mundur (qoftë modelin e Republikës pararendëse, qoftë të Perandorisë pasardhëse), atëherë pse t’mos huazonte dhe NATO-ja ndonjë diç që ia vlen. Patjetër se duhet “kopjuar” gjërat që kanë domethënie, dëshmuar ndër mijëvjeçarët : )

Natyrisht, s’e kemi fjalën për “arkitekturat”, për Kapitolat, për ndërtesat, stilet e këso (këto patjetër “kopje”, s’kishin vetëm romakët Kapitolina). Por pse jo psh. “kopjimin” komplet të qeverisjes romake, pse jo gjithë “sistemin”, madje dhe veset bankare dhe luftën me inflacionin. Bie fjala romakët i kishin degët “legjislative” + “ekzekutive” + degën “ligjore”, edhe amerikanët modernë ekzaktësisht të njëjtat.

Romakët e kishin “Senatin”, sikur dhe Amerika që krenohet me “Senatin” e vet. Romakët e kishin “asamblenë”, amerikanët e quajnë diç si “shtëpi reprezentative” ama kopje-mrekullia vetë, qëkur të dyja me kompetencat për krijimin e ligjeve, të dekreteve etj. Roma i kishte “Konsulët”, Amerika i ka Presidentët, pajisur njësoj me kompetenca të udhëheqjes federale dhe të komandës ushtarake. Roma i kishte “gjyqtarët”, Amerika ka “gjykatën supreme”, njësoj… interpretuese të ligjit dhe të denja për gjykimet suprematike.

S’ke si kopjon diç më shumë, në fakt dhe vetë Uashingtoni (dmth. Presidenti i parë, fillestari, prijatari) do e ketë kontrolluar listën e kopjacëve – s’pati ngelur gjë pa kopjuar : )

[ info: vepra e Sallust “Conspiracy of Catiline” ndodhet e depozituar në Perseus Catalog, Tufts University, dmth. në angl. (Conspiracy of Catiline. Sallust. Rev. John Selby Watson, M.A. New York and London. Harper & Brothers. 1899 ]