Reliktet e “dobishme” të proletariatit!

( sg – ap, mars 23 – pak humor )

…tek një faqe ishte postuar fotoja dhe bëhej shaka “ja pse na duhej komunizmi – për hapjen e shisheve pas një dite të vështirë pune” (e qartë, madje shakaja s’m’u duk dhe aq shakalogjike, pas një dite të rëndë me çekanat fyti bëhet shkrumb, dhe vetë buzëqeshjet vyshken, duhet shuar etjen disi, qoftë me birra qoftë me oranzhata a limonata) – çekani i punëtorit dhe drapëri i fermerit, ishte simboli tradicional i sovjetëve (dhe i vendeve tjera që e pretenduan si simbol) – sqarohej tutje, madje mund dhe të blihet në “Etsy” (figuronte linku aty)…

…hm, mos vallë disa “relikte proletare” na qenkan më të dobishme si veglurina sesa si simbole, s’qenka aspak shpikje e keqe, ideologjikat s’i kuptoj dhe aq ama ky çelësi na qenka fort simpatik, ide perfekte si dhuratë ideologëve të rrallë, psh. për ditëlindjet, i kam ca mikesha dhe unë, herë gazetaresha, herë poetesha, herë thjesht mikesha të vërteta, ndaj meje shtiren gjoja “neutrale, se e ruajnë mesin e artë”, insistojnë as demokrate as proletare, as të djathta as të majta, thjesht profesionale – pothuaj tërë kohën dhe u besoj, ama nganjëherë s’ma varin, ikin, zhduken, më harrojnë, qebesa nganjëherë më bëjnë të “dyshoj” : )

…për fat të keq klikova me vonesë, tek Etsy thuhej se na qenkësh shitur komplet, s’u kishte ngelur as dhe 1, eee t’u pikëllova, vallë prapë, pse vetëm unë i pafat, si për inat, gjithmonë unë me vonesë, përherë i vonuar e pa shpresë : )