(mars 2017 – diç si parathënie shaka-logjike : )
Unë seriozisht s’merrem me politikat, sa herë m’është dhëne rasti e kam cekur këtë, mirëpo kjo s’do t’thotë që nuk ditkam t’i shpreh dhe unë opinionet e mia. Këtij opinioni (ngjitur më poshtë, hedhur dikur në Fb) vetëm z. Filip Guraziu nga Shkodra ia kishte bërë “like”, dhe mund ta kuptoj z. Filip pa asnjë sforcim (babai i tij qe pushkatuar nga diktatura enveriste, nga sistemi i verbër i diktatures komuniste). Mirëpo e çuditshme që askujt tjetër në Fb s’i paska pëlqyer “mendimi” im : )
Uroj t’ju pëlqejë juve (si lexues i rastit, eventualisht) pavarësisht mendimit tuaj. Sepse sikur të mendonim të gjithë “njësoj” padyshim bota do kishte ngelur në vend, asnjë hap s’do bëhej tutje. Ndoshta ende do ishim në kohën e akullit duke bërë gjoja patinazh artistik akullnajave të Evropës. Ose duke fshirë pluhurin shpellave të “kohës së gurit” me mjekrat e gjata : )
E rëndësishme që t’ketë laryshi mendimesh, tmerresisht bajate nëse t’mendonim të gjithë njësoj (psh. siç mendonin komunistët e dikurshëm të Xhaxhit). Do vdisnim nga monotonia. Duke patur më shumë ide, sikur formohen cafarë “komunizmash të ideve”. Tekefundit dhe vetë parlamentet e botës janë diç si “komunizma idesh”, apo jo. Dhe vetë paralmenti i EU është një komunitet mendimesh. Dalin në shesh mendimet e ndryshme, filtrohen lloj-lloj filizash ideatikë, herë ide të mençura e ndonjëherë (mjaft shpesh) aso të krisura. Që nga më të djathtët ekstremë (ta zëmë: populistët) e deri tek të “kuqtë nostalgjikë” i shpalosin idetë e tyre. Jepet e merret me pluralizmin… derisa më në fund zgjedhet ideja me e “mençur” për ta aplikuar në praktikë.
Madje, pse jo, dhe vetë klanokraturat shqiptare do ishte mirë t’i fusin idetë së bashku në një koshere. Idetë e tyre do zukasnin si zgjua bletësh të zhurmshme, ama do ta gjenin një “kompromis” : )
Hallkat kauzale të “politikëbërjes enveriste”!
S. Guraziu, Ars Poetica, Prill 2014
(koment i shkurtër i lidhur me komentin e Adem Nimanit “Atdhetari më i madh shqiptar, Enver Hoxha”, postuar nga ai më 26 Prill 2014, në Fb)
Nëse fjala ishte për “simpatinë” tuaj ndaj Enverit, nuk besoj se do ta mohojë kush faktin që ai ishte “atdhetar”. Por ç’është atdhetarizmi vallë? Me sa di unë atdhetarizmi e patriotizmi janë thjesht ta duash vendin tënd, ta duash jokushtimisht.
Ja që ndonjëherë duhet ta duash duke i “hapur sytë”, duke mos ngelur i verbër në kthetrat e megalomanisë dhe të arrogancës. Pasi që, nga gëzhoja e ngushtë personale, nëse në pozitën e udhëheqjes së vendit, edhe si “atdhetar e patriot” mund t’i bësh shumë dëm Atdheut.
Sipas meje Enver Hoxha nuk ishte dhe aaaaq i mencur politikisht për Atdheun e vet. Ishte madje i “verbër”, ishte i ngulfatur nga mentaliteti “despotik”, nga mendësia “autokratike”, ishte thjesht një “diktator” egocentrik. Enver Hoxha vuante si tepër nga ndjenja megalomaniake e superioritetit. Qasja e tij ishte pothuaj një qasje narcizistike prej politikani, një “narcizist” i paparë i politikës.
Duke i përjashtuar “nostalgjikët” e kohëve të tij, sot shumkush flet keq për të, për arsye të “komunizmit” si ideologji. Por të jesh komunist as sot e kësaj dite s’ka diç të keqe në vetvete. Evropa ka plot socialistë e komunistë, ka gjithfarë llojesh. Në të ardhmen mund t’ketë ndoshta dhe më shumë (sistemet pluraliste të politikave moderne përfshijnë ose mund të përfshijnë dhe komunistë, mbase jo aso dekadentë, ithtarë të totalitarizmit, të tipit “a la enverist”, por komunistë të moderuar).
Njerëzit flasin keq sepse aparatura e diktaturës enveriste ishte nga më të egrat që ka parë njeriu ndonjëherë. Partia e udhëhequr nga ai vetë, e likvidoi a burgosi secilin që mendonte qoftë dhe vetëm pakëz më ndryshe nga “mendimi zyrtar i Partisë… nga mendimi i tij”.
Unë ia zë për të madhe që ai ndoqi politikë të gabuar, ose një lloj politike “dëshpërimi”, gjoja politikë e “deles bardhoshe në tufën e të zezave”. Të gjitha shtetet e botës rreth e rrotull ishin “zezona” që duhej patur frikë, ndërsa Shqipëria dhe “egoja” e liderit të saj ishin Dielli që i falnin botës dritë.
Enveri nuk tregoi fleksibilitet, strategji as maturi politike… ai mbijetoi jo me Grushtin e Partisë as me Kazmën, por me “grushtin e centralizmit” politik, me oportunizmat e tij të paturpshëm. Në fund fare, e izoloi vendin totalisht. Populli u robërua dhe u prangos nga vetë “koha dhe liria”.
Si fakte të frymës së tij “despotike” mund t’përmenden shumë sosh, ka sa të duash. Mirëpo që t’mos na zgjatet komenti sa “muri kinez”, le ta përmendim vetëm 1, që sipas meje ia vlen – psh. praktikën e tij (gjoja në emër të Partisë) për ta krasitur rrugën nga “vëllazëria” nonkonformiste. E kishte si mani, si ves prej maniaku të paparë, për t’i krasitur të gjithë filizat e ideve që nuk përputheshin me “idetë” e tij.
Ka mjaft gjërash që nuk i falen kurrë nga historia (tekefundit s’ia “fal” unë personalisht).
Enver Hoxha duke i ngritur interesat vetjake dhe ato të “klikës” servile (sunduese, të Partisë) mbi interesat e Atdheut, u soll thjesht si një “arrogant” i politikës. Gjë që shkaktoi ngeljen e Atdheut në vend. U stagnua në të gjitha aspektet, e që, kuptohet shtylla kryesore e të gjitha dhimbjeve ishte aspekti “ekonomik” dhe zhvillimi.
Pasojat e politikës së tij shkurtpamëse e sollën njërën nga dekadat më “kritike” në historinë e Shqipërisë si shtet (1995 – 2005). Dekadë mjerimi e turpi, e cila madje për pakëz sa nuk e pati hedhur vendin në humneren e anarkisë e të luftes civile (vëllavrasjes).
Stagnimi për 3-4 dekada në planin e zhvillimit dhe pritja aq e gjatë për të qenë e mundur që Shqipëria t’i bashkohet “aspiratës” reale për në EU, janë po ashtu hallkash kauzale, pasojë e politikës së dikurshme të verbër.
Natyrisht, në gjithë katrahuren historike të diktaturës 40-50 vjeçare ka dhe disa gjëra të mira, të cilat sikur vetëm ashtu me “dorën e fortë” të tij qenë të mundura. Kjo qëndron, s’e mohon kush as këtë. Njëra nga këto të mira (që unë e çmoj më shumë se gjithçka tjetër) është “liridhënia dhe emancipimi i femrës” shqiptare. Pra sa për ta përmendur dhe ndonjë të “mirë”…
***
Është ngjashëm me rastin e Thaçit modern dhe të tovarish-ve kosovarë, aspak më ndryshe. T’i bësh ca “aventurash partizaneske”, ta shohësh veten si “warlord”… dhe hoop ta shpallësh fitoren me “ndihmën e tjetërkujt”, ta udhëheqësh pastaj në LIRI vendin e çliruar (jo vetëm nga ti, madje as nga vetë populli, por dhe me ndihmën e NATO-aleancës), ka shumë dallim, tepër shumë dallim.
Me fjalë të tjera, “strategjikat” partizaneske, kërcëllimi i dhëmbëve patriotikë ndaj policëve të armikut, kërkojnë sa trimëri po aq sadopak dhe mençuri. Afërmendsh, nuk luftohet symbyllur, në luftë nuk mjafton vetëm trimëria. Prandaj dhe shpesh gjeneralët fitojnë dekorata e lëvdata, askush s’ua çon posht kokëdhimbjen e tyre ushtarake.
Ama gjeneralët e kanë vendin e vet, Cesarit çfarë i takon Cesarit. Tashmë në LIRI ta udhëheqësh politikën e vendit (gjoja si një “mareshal pa dekorata”) kërkohet shumë mençuri e kthjelltësi. Politikat, diplomatikat, ekonomikat, strategjikat… e LIRISË, s’mund të krahasohen me “mençuritë partizaneske”. Dallimi s’ka “brirë” – ky është ai dallimi i vockël i vetë dallimit. Këtë duhej ta kishte kuptuar dikur Thaçi dhe “neo-oligarkët” e klasës së tij. E jo të shtiret gjoja si “Enver” modern i demokracisë, si ndonjë Mini-Sulltan që i blen votat (ndër 88 katundet e Drenicës së Poshtme dhe të Epërme) vit pas viti, pothuaj për 2 dekada tashmë.
[ Ilustrimi ngjitur: Pikturë e Vilson Kilica – “Shoku Enver Hoxha”, 1976 (detaj) ]

