Dy-tri fjalë rreth “Zëri i Shqiptarëve” (portali VOAL)

SG – Ars Poetica, J 2017

/ Gjithçka e shtruar si “sofër” shpirtërore, “mbrojtja e të vërtetës” në akëcilën mënyrë, secila farfuritje e përrroit ku shuhet etja kulturore… i kapërcen fjalët /

(notë personale, fare informale, dedikuar miqve dhe dashamirëve të letërsisë, mirënjohje dhe respekt, dy-tri fjalë lidhur me portalin VOAL – Voice of Albanians – Zëri i Shqiptarëve, që është nën përkujdesjen e Elida dhe Skënder Buçpapaj, nga Zvicra – Moto e VOAL: Mbroje të vërtetën – Defend the Truth)

***
Mbrëmë u ndesha me surprizën më të bukur sa i përket leximit në këtë fillimvit, pra tek akoma s’e kemi kapërcyer muajin e parë të 2017-ës. Surpriza është e lidhur fort me gjërat që do i rendis këtu më poshtë.

Ka më shumë se 10 vite tashmë, nuk i nis shkrimet “askund”, përveç që i postoj ato në faqen personale. Me “askund” e kam fjalën: nuk i nis ato enkas në ndonjë gazetë, revistë, faqe internetike, portal e këso të ngjashme… që të publikohen. I depozitoj në bog-faqen personale, por dhe i ndajë me disa adresa emailash, ku pjesa dërrmuese janë adresa miqsh. Anise ka dhe një pjesë adresash që kanë “ngelur” nga lista e dikurshme, e cila lidhej me aktivitetin rreth revistës elektronike “Ars Poetica”.

I nis ato duke menduar si “sharing”, si ndarje e gjërave kreative me miqtë, pakashumë ngjashëm si një lloj “korrespondence poetike”, sa për lexim eventual nga ata vetë. Në të njëjtën mënyrë i marr dhe unë shkrimet e ndryshme nga miqtë.
Ndër postimet kishte dhe ka gjërash nga më të ndryshmet, s’është fjala për strikt materie poetike, letrare, dhe as për aso strikt diskursive. Herë-herë ka poezi, vjersha, pastaj komente, opinione, veshtrime, piktura, gjërash eseistike… e madje dhe shaka-barcoleta, jo rrallë dhe shkrime të të tjerëve, e ndonjëherë “lajmesh” kryekëput familjare, gjërash kot (si info për miqtë).

***
Në Google po kërkoja diç tjetër… mirëpo më doli “vetja”. Siç jemi mësuar tashmë, me ta “pyetur” diç, makina e fuqishme e “guglimit” aty për aty na e sjell një mal me info. Ldhur me “veten” fjala ishte për një përkthim të poezisë së Ezra Pound. Gjithsesi klikova dhe lidhja më hodhi aty ku dhe “thoshte”, në adresën e portalit VOAL.

Dikur më qe bërë e ditur nga z. Buçpapaj se një shkrim me titull “Hipatia e Aleksandrisë – Bukuria dhe Pafajsia e Shkencës” qenka publikuar nga ai. Në rregull, natyrisht e pata falënderuar. Ishte vetëm kaq, dmth. kaq dija unë, 1 shkrim.
Arsyeja që nuk dija më shumë, ka të bëjë me faktin se unë s’para i vizitoj faqet “politike”, realisht ndoshta s’e kam vizituar portalin VOAL më shumë se 2-3 here në jetën time (le të jenë 5 herë së shumti). Është për keqardhje, por dhe e vërtetë.

Thashë keqardhje sepse zbulova që kam humbur shumë. Jo se VOAL është diç “politike” si faqe (në fakt nuk e di nëse është apo nuk është), edhe sikur t’ishte s’ka asgjë të keqe në këtë, por ç’po doja të thosha është – më qe krijuar përshtypja që “shtylla” kryesore e informimit te VOAL janë lajmet dhe vështrimet-opinionet rreth politikave.

Zakonisht që në hapje te faqeve-portaleve figurojnë të parat lajmet dhe opinionet rreth politikave. Sepse normale, politika mbase i tërheq masat më shumë se çdo fushë tjetër interesash. Lidhur me një portal (cilido të jetë), “hambari” i madh politik është ai faktori kryesor i “mospërputhjes” me preferencat e mia sa i përket informimit. Më së paku që më interesojnë, nga gjithçka e kësaj bote “informatike”, janë opinionet politike.

Anise kjo s’do të thotë që t’mos i gjejmë ca minutash për gjërat më relevante të sferës politike. Mirëpo “interesat” dhe vesi për ta ndarë “torten” e informimit ditor janë gjëra personale. Thjesht janë ashtu siç janë. Bie fjala, mund t’i shpenzoj 2 orë për artin, për shkencën e për letërsinë, por 2 minuta për politikën mund t’më duken si humbje kohe. Në rregull dhe kjo, askush s’na përzihet si e ndajmë “torten” e relevancave… gjithkush sipas të vetes.

Në rastin e VOAL keqardhja që përmenda më lart ka të bëjë me faktin se nga ato pak vizita ashtu fluturimthi, më është shmangur vetë ajka e portalit, rubrika e Kultures dhe tutje seksionet “Jeta Artistike”, “Shkenca”, “Letërsia”, “Arti”.
Tashmë meqë pra e “zbulova” surprizën, i harrova të gjitha rubrikat tjera, ia bera një “scan” gjithë seksionit letrar.

Ra “vetja”, përkthimi im i poezise së Ezra Pound, dhe e zbulova vetë “keqardhjen”, sa i përket shmangies nga rubrika më e çmuar e VOAL. Surpriza e kishte dhe shtresoren tjetër, doli që dhe unë vetë, pa e ditur as pa qenë i vetëdijshëm, qenkam nderuar tërë kohën nga redaksia, duke u bërë vend shkrimeve të mia, vjershave, poezive, përkthimeve, eseve… me dhjetra, ndoshta mbi 40 a 50 gjera e mbanin emrin tim (ashtu siç dhe i kam nisur postimet në emailat për miqtë).

Meqë s’e kishe as idenë, atëherë duhet ta harrosh “veten” – i thashë vetes, vazhdova tutje me “eksplorimin” e kësaj surprize të bukur brenda VOAL.

Edhe sikur të lihen anash të gjitha rubrikat e portalit, që nga “Ballina”, “Politika” e deri atje në fund… tek “Sporti”, edhe sikur të lihen anash të gjitha kontributet tjera në kuadër të 1 rubrike të vetme të Letërsisë, me qindra e qindra sosh), tutje të flisja qoftë dhe vetëm për prurjet, përkthimet e 2 përkthyesve të vetëm (në seksionin e poezisë), të z. Skënder dhe të Znj. Elida Buçpapaj, në Internetin shqiptar (që njoh unë) nuk di që ka një seksion “Letërsie” më dinjitoz sesa i portalit VOAL.

Rubrika në fjalë s’ka ndonjë qasje për rigorozitet a për korrigjim gjuhësor, të gjitha gabo-shkrimet dhe lëshimet ortografike janë “përgjegjësi” autoriale, s’ka qasje as për tendenca e kahjesh, për “elitarizëm”, për grupnajash gjoja elitare letraristike, s’ka përzgjedhje tepër strikt e “antologjike”… etj., por thjesht dhe vetëm titujt dhe infot për materien ekzistente brenda rubrikës më mrekulluan.

Me rreth 2700 postime, sipas meje rubrika “Letërsi” në kuadër të portalit VOAL është përmbledhja më e çmuar dhe më dinjitoze e Internetit shqip (dhe e kam fjalën ekskluzivisht për materien letrare). Materie të cilën shqiptarët anembanë botës mund t’ia “dhurojnë” vetes në cilëndo kohë, duke lexuar e duke u mrekulluar.

Në rrafshin personal, ashtu-kështu jam dhe ngelem mirënjohës për nderimin që më është bërë nga redaksia. S’kam ditur gjë, dhe pikërisht kjo mosdije për mua sikur gjithçka e kthen në nder.
Për të tjerat… ç’të them, gjërat s’mund të “kapërthehen” me mirënjohje e me informalitete personale. Gjithçka e shtruar si “sofër” shpirtërore, “mbrojtja e të vërtetës” (aludoj në moton e VOAL) në akëcilën mënyrë, secila farfuritje e përrroit ku shuhet etja kulturore… i kapërcen fjalët.

Rubrika Kulturë e VOAL [ https://www.voal.ch/KULTURE/ ]