Lindja, rilindja, zgjimi dhe mëkëmbja “virtuale”…!

(s. guraziu, shk 2016)

…siduket, më shumë se shqiptaret askush s’do përfitojë nga Interneti, qemë vonuar pakëz me “zgjimet, me lindjet e me rilindjet”, mirëpo tani me zgjimin virtual s’ka gjel a këndez i Konicës që zgjohet para nesh – nuk mohohet fakti që historia shpesh na e pati vënë “ndërskamcën” padrejtësisht, pastaj dhe vetë merreshim me cafarë shkencash lazdrushe, silleshim vërdallë të përhumbur, sorollateshim pa e gjetur kurrë veten, ndërsa grekët e të tjerët rreth e rrotull i ujdisnin kronikat e gënjeshtrat, e shkruanin historinë sipas qejfit…

…ishte se ç’na ishte, tjetër këngë këndonin gjelat dikur e tjetër sot, tani do ta kompenzojmë gjithçka nga ky oqean i paskajshëm dijesh, oqean i mbushur plot me gjërash të ëmbla, me reçel e me pekmez… ndoshta Interneti është diç si fuçi e flladanikut të gjyshes ngjeshur me trurët turshi të njerëzimit, Interneti është oqean-parajsë për eksplorues, për magelanë e kolumbianë, për lundrues e për studiues të kalibruar…

…përkulem para diellit të dijes e të dritës, para shkencës ultra-moderne të historisë virtuale shqiptare, të cilin diell, këto dekadat internetike të fillim-mijëvjeçarit 2+1 sikur kurrë s’ia dola ta shoh gjatë dhe drejt në sy… nga turpi – kuptohet, askush s’më ka faj, mosdija është njëjtë si ai mjerimi “migjenian”, kafshatë që s’kapërdihet…