Albansk Film (Dita e Filmit Shqiptar), Malmo, Suedi

(S. Guraziu – Ars Poetica, Mars 2023 – teksti përshtatur, bazuar në të dhënat e faqes zyrtare)

Duke filluar nga v. 2020, në Malmo të Suedisë mbahet një festival njëditor për filmat shqiptarë “(Albansk Film) Dita e Filmit Shqiptar”. Ashtu qe nisur, “1-ditor”, sidoqoftë, bazuar në suksesin dhe vlerësimin pozitiv, nga 2021 e tutje është kthyer në 2-ditor – ma konfirmoi menaxherja e festivalit Znj. Osmanaj. Si aktivitet kulturor festivali organizohet çdo vit, kryesisht me përkrahjen financiare të qytetit Malmo. Menaxherja e festivalit është Znj. Fitore Osmanaj. Angazhimi i saj është të krijohet një platforme për filmat shqiptarë në kinemanë Panora, Malmo. Fitorja është përgjegjëse për organizimin e festivalit dhe për programaturën.

(skenë nga filmi “The Albanian Virgin”, 2021 – Regjia: Bujar Alimani)

***
Evidente se prodhimi i filmave shqiptarë vitet e fundit është rritur, por kjo s’do të thotë që këta filma shfaqen në kinematë suedeze. Dhe kjo është diç që Fitorja dhe stafi impenjohen ta ndryshojnë. Pikërisht ky angazhim është pjesa e tyre e ndihmës për t’ua ofruar njerëzve mundësinë të shohin filma shqiptarë në kinematë suedeze. “Dita e Filmit Shqiptar” është festivali njëditor, dita kur shfaqen filmat, por ka dhe aktivitete anësore të ndryshme. Ata planifikojnë të kenë shumë më tepër në të ardhmen. Kjo në thelb është ajo për çfarë ata e kanë ideuar gjithë konceptin “(Albansk Film) Dita e Filmit Shqiptar”.

Filmat që i zgjedhin janë aso që i konsiderojnë tërheqës për audiencen suedeze, dhe me të cilët filma mund ta arrijnë një audiencë sadopak më të madhe. Pasi qëllimi gjithmonë është, dhe do t’jetë promovimi i filmit shqiptar në Suedi. Ata shpesh hulumtojnë sa të njohur janë filmat paraprakisht, si në Suedi por dhe ndërkombëtarisht. Në proces e sipër, e shqyrtojnë gjithashtu nëse filmat kanë një temë të përbashkët me programaturën e “Ditës së Filmit Shqiptar”.

Në mënyrë që t’arrihej një audiencë sa më e gjerë, zgjedhja e filmave s’pati qenë vetëm për t’patur një grup të synuar, por mëtonin t’i kishin dy grupe (apo nëngrupe) audiencash. Njëri nga grupet e synuara ishin ata që janë të interesuar ose që kishin ndonjë lidhje me gjuhë-kulturën shqiptare. Grupi tjetër i synuar ishin ata që e duan filmin jokushtimisht, e dmth. dhe filmat e huaj që i përcjellin në kinemanë Panora.

Në v. 2020, kur e patën eventin e parë filmik në Panora, qenë përballur me t’njëjtin problem si gjithë të tjerët, me masat rreth pandemisë. Megjithatë organizatorët ia dolën dhe krijuan interes jo vetëm në Malmo, a në Suedi, por do kishte të interesuar dhe nga Danimarka. Sigurisht, do i ndiqnin dhe këshillat e autoriteteve për distancën dhe për numrin e vizitorëve. As pandemia s’do ishte pengesë serioze, pavarësisht rrethanave ia dolën dhe qenë shitur 95% të biletave.

Një bashkëpunim i suksesshëm mes Folkets Bio dhe kinemasë Panora

Kinema Panora është më shumë se një kinema – thuhet nga stafi i “Albansk Film” në faqen e tyre. Panora është shtëpia e filmave të banorëve të Malmos në zemër të Mollevangen, një vendtakim për artin filmik ku çdokush mund ta “shijojë” botën e filmit. Panora ka qenë prej kohësh një pjesë e rëndësishme e kulturës së filmit në Malmo, me disa festivale, ngjarje dhe shfaqje të llojeve të ndryshme. Pra, Panora ishte zgjedhja e natyrshme si partnere, kur stafi patën filluar me kërkimin e një vendi të përshtatshëm për “Ditën e Filmit Shqiptar”.

Mbështetja kulturore e qytetit Malmo është në dispozicion, buxheti i qytetit ofron përkrahje financiare për aktivitetet kulturore në Malmo. Ata kanë qenë sponzori i tyre kryesor gjatë gjithë procesit dhe zgjedhja e natyrshme kur patën aplikuar për grantin e kulturës. Siç e thotë vetë stafi, asnjëherë s’ka patur pikëpyetje rreth “(Albansk Film) Ditës së Filmit Shqiptar”, në fakt janë inkurajuar të aplikojnë sa më shpejtë që t’jetë e mundur. Gjithçka e impenjimit të tyre thjesht ka rezultuar në një kombinim perfekt me filmat shqip dhe me qytetin e Malmos.

Pak fjalë për logon e “Albansk Film”

Stafi sqaron se logotipi është një version i shqiponjës së flamurit shqiptar. Zgjedhja për ta përdorur vetëm një pjesë, kishte t’bënte me krijimin e një siluete më ikonike, por dhe me kontrollin mbi formën. Synonin diç që funksionon si logo e madhe por dhe si e vogël, dhe njëkohësisht si diç e thjeshtë që t’përdoret nga çdokush. Ideja me ngjyrat kishte t’bënte me identitetin, synimi ishte ta krijonin një logografi unike për “Albansk Film” dhe për Ditën e Filmit Shqiptar.

Natyrisht, Znj. Osmanaj dhe stafi i “Albansk Film” janë mirënjohës për ndihmën dhe përkrahjen që s’ka munguar, ata i falënderojnë gjithë partnerët, qytetin Malmo, sponzorët, por dhe ata që i shpërndanë postimet e tyre në rrjetet sociale, si dhe kuptohet  gjithë audiencën ndër vite.

(Menaxherja e festivalit “Dita e Filmit Shqiptar” Znj. Fitore Osmanaj, ajo është regjisore dhe studiuese e pavarur e kinematografisë, nën drejtimin e saj “Fitore Osmanaj Productions” është një kompani që merret me video-vizualitetin, me prodhimin e dokumentarëve, të filmave fiksionalë etj. )

***
(Albansk Film) – “Dita e Filmit Shqiptar”, Malmo, Suedi, 2020

Gjatë ditës “inauguruese” të festivalit, më 17 Tetor 2020, përkundër rrethanave dhe vështirësive ardhur nga pandemia, qenë shfaqur 3 filma, “Zana“, “Shpia e Agës“, “Tri dritare dhe një varje“.

1 – “Zana” (2019, Kosovë – Shqip, 97 m – Regjia: Antoneta Kastrati – Aktorë: Adriana Matoshi, Astrit Kabashi, Fatmire Sahiti, Mensur Safqiu, Irena Cahani, Vedat Bajrami, Shengyl Ismaili)
Në filmin “Zana” e takojmë Lumen e cila lufton me pritjen e mëmësisë dhe me plagët e saj mendore në një shoqëri patriarkale. Një dramë me elemente të pezullimit dhe misterit ku kufiri mes realiteti dhe fantazisë është delikat.

 

2 – “Shpia e Agës” (2019, Kosovë – Shqip, 107 m – Regjia: Lendita Zeqiraj – Aktorë: Arti Lokaj, Rozafa Celaj, Adriana Matoshi)
Një film argëtues dhe mbërthyes për fatin e njeriut në një zonë malore të Kosovës. Një dramë që jo vetëm na tregon se si ndjeshmëria mund të shërojë, por na bën të rritemi si njerëz. Nëntë vjeçari Aga jeton me nënën e tij dhe katër gra të tjera në një zonë malore të Kosovës. Karakteri i vetëm mashkullor që ai ka në jetë është Cera, një person i dhunshëm dhe i pamëshirshëm, i cili sidoqoftë kujdeset për Agën. Aga i kalon ditet duke e kërkuar babanë e zhdukur, por është shumë i ri për t’kuptuar pse babai s’është i pranishëm. Kur lind një emergjencë e papritur, ai detyrohet të ndihmojë, dhe kjo shkakton një sërë ngjarjesh ku e vërteta fillon të shfaqet.

 

3 – “Tri Dritare dhe një Varje” (2014, Kosovë – Shqip, 91 m – Regjia: Isa Qosja – Aktorë: Irena Cahani, Luan Jaha, Donat Qosja)
Një dramë e fuqishme që i eksploron shenjat e fshehura ngelur si psiko-bagazh nga përdhunimet e përdorura si armë psiqike. Në një fshat të rëndomtë ku jeta po rindërtohet gradualisht pas luftës, mësuesja Lushe shtyhet të paraqitet për një intervistë me një gazetar ndërkombëtar. Gjatë intervistës tregon se si ajo dhe tri gra të tjera qenë dhunuar nga ushtarët serbë gjatë luftës. Intervistë që i bën burrat e fshatit të zemërohen dhe ta fillojnë një fushatë urrejtjeje kundër Lushes dhe djalit të saj, ndërsa fillojnë t’i marrin në pyetje dhe gratë e tyre.

 

***
(Albansk Film) – “Dita e Filmit Shqiptar”, Malmo, Suedi, 2021

Në v. 2021 gjatë “Dita e Filmit Shqiptar” u shfaqen 4 filma, “Mërgimi“, “Nëntor i ftohtë“, “Një pranverë e paharrueshme në një fshat të harruar“, “Cirku Fluturues“.

1 – “Mërgimi” (2020, Kosovë, Gjermani, Belgjikë – Gjermanisht, Shqip, 121 m – Regjia: Visar Morina – Aktorë: Mishel Matiçeviq, Sandra Hüller, Rainer Bock, Uwe Preuss, Stephan Grossmann, Thomas Mraz, Flonja Kodheli, Daniel Strässer, Piet Fuchs, Christian Skibinski)
Një burrë nga Kosova që jeton në Gjermani beson se është viktimë e ksenofobisë, por mund të jetë paranoja e tij që del jashtë kontrollit.

 

2 – “Nëntor i ftohtë” (2018, Kosovë – Shqip, 93 m – Regjia: Ismet Sijarina – Aktorë: Emir Haxhihafizbegoviq, May-Linda Kosumoviq, Adriana Matoshi, Kushtrim Hoxha, Labinot Lajçi, Gordana Boban, Kushtrim Sheremeti, Bislim Muçaj, Dukagjin Podrimaj, Fatmir Spahiu)
Fadili, një arkivist, e gjen veten në situatë të vështirë ku i duhet të zgjedhë mes dy opsioneve, duke e ditur mirë që të dyja janë të gabuara. Si pasojë e vendimit të tij, ai zgjedh ta gëlltisë turpin dhe të durojë presionin nga të dyja palët.

 

3 – “Një pranverë e paharrueshme në një fshat të harruar” (2019, Kosovë, Shqipëri, Maqedoni Veriore – Shqip, 110 m – Regjia: Kushtrim Bekteshi – Aktorë: Shkumbin Istrefi, Osman Ahmeti, Ndriçim Xhepa, Adriana Matoshi)
Jeta e qetë dhe normale në një fshat të harruar ndryshon në mënyrë drastike kur tre prostituta mbërrijnë në lokalin e fshatit.

 

4 – “Cirku Fluturues” (2019, Kosovë – Shqip, 115 m – Regjia: Fatos Berisha – Aktorë: Velibor Topiq, May-Linda Kosumoviq, Tristan Halilaj, Bislim Muçaj, Fisnik Ademi, Refet Abazi, Luan Jaha, Besart Sllamniku, Armend Smajli, Armond Morina, Afrim Muçaj, Shpëtim Selmani)
Katër aktorë udhëtojnë ilegalisht nëpër kufijtë e Ballkanit në kohë krize për t’shkuar në një festival teatri. Por misioni i tyre i vërtetë është të gjejnë idhullin e tyre Michael Palin.

***
(Albansk Film) – “Dita e Filmit Shqiptar”, Malmo, Suedi, 2022

[ – – të dhënat mungojnë – – ]

***
(Albansk Film) – “Dita e Filmit Shqiptar”, Malmo, Suedi, 2023

[ – – të dhënat mungojnë – – ]

(S. Guraziu – Ars Poetica, Mars 2023 – teksti përshtatur, bazuar në të dhënat e faqes “Albansk Film”, fotot dhe grafikat po ashtu © Albansk Film )