Dua-Ritat dhe “Diskriminimi” i Shqiptarëve!

sguraziu – ap, mars 23 – humoreskë

(…ku është problemi (me juve shtetet që s’na njihni), jo vetëm Pavarësinë, i shpallëm madje dhe 2 bukuroshe të ndershme, pse kjo mosnjohje…)

Siç e dinë gjithë shqiptarët anembanë, vitin e kaluar yllit të muzikës Dua Lipa shqiptarët ia dhanë “nënshtetësinë shqiptare” (e kemi fjalën për shqiptarët e Shqipërisë, jo për ata të Kosovës). E mori nënshtetësinë me motiv-justifikimin se “e promovon vendin përmes muzikës dhe famës së saj”. Vetë Presidenti Begaj do e ketë vulosur vendimin dhe pastaj e nderoi zyrtarisht e publikisht.

Fort bukur, i lumtë Presidentit. Natyrisht, s’më erdhi inat aspak, përkundrazi, u gëzova. E thirra Duan dhe ia urova, pastaj s’u durova “ta dhanë vetë” e pyeta? “Po, tha – nuk është se i pata lutur”. Tek pastaj sikur ia nisa ta “vras” mendjen. Po bëhet pothuaj një vit sikur ende s’ia dal ta kuptoj. Diç nuk shkon, diç s’është në rregull me shqiptarët. As me ata shqiptarët andej “gardhit”, as me këta këndej.

Se Dua Lipat, Rita Orat e këso yjesh kanë “lindur me fat”, s’e mohon kush këtë. Se Dua Lipa me shtatin si selvi (kosovarët thonë “si peshk” – ves i tyre), me vithet “mrekulli” na ditka të përdridhet pothuaj njësoj si ato Sandrat e Samantat gjoksmëdha të së kaluarës, as këtë s’e mohon kush. Ama ç’faj paskemi ne të tjerët që s’e patëm asnjë “fat”, vallë s’na takuaka neve nënshtetësia!

Se Dua Lipat e Rita Orat i bëjnë kosovarët krenarë, dhe se janë diç si “zëvendësim” nostalgjik i atyre yjeve “lokalistikë” të së dikurshmes (kujtoji Adulina Cicimalat, Blerona Çerremetat e të ngjashme) edhe këtë mund ta kuptojmë. Se kosovarët i shpallin Duat Lipat e Ritat “ambasadore nderi”, as rreth këtij fakti s’kemi ndonjë mospajtim, s’është se na duket e “pakuptimtë”.

Paçka se asnjë shtet s’e ka njohur Kosovën për hatër të tyre, që nga kur qenë shpallur “të ndershme”. Ok, Dua qe shpallur vitin e kaluar, akoma herët është, energjia e vitheve e pashtershme, Dua ende ka gjasa ta “dëshmojë” veten. Ama për bukuroshen Rita po bëhet pothuaj një dekadë, që nga v. 2015. Cili shtet i botës e njohu Kosovën për “hatër” të saj?

Është pyetje serioze, s’është shaka me njohjen e shteteve. Njëherë m’pati vajtur mendja me iPhone (pasi aq e lehtë, iPhone vetë i vërtit numrat tit-tat-tyt-ti-tat) t’i pyes varg e varg të gjitha shtetet e botës. “what’s the point, ku është problemi (me juve shtetet që s’na njihni), jo vetëm Pavarësinë, i shpallëm madje dhe 2 bukuroshe të ndershme, pse kjo mosnjohje…”.

Gabimi që bëra ishte se, duke i patur bota afro 200 shtete, pothuaj 100 prej tyre ende s’na kishin njohur, kështu që duhej pothuaj 100 telefonata – thashë t’ia nisja nga A-ja. Mirëpo sa për sherr iPhone ia filloi nga Amerika (s’di pse iPhone u jep përparësi). Një sekretareshë e sjellshme dhe e këndshme, zëri i saj aq i ëmbël, më tha: “po zotëri, s’ka problem, ja se po ju lidh me z. Joe Biden, dilni në “linjën e kuqe”. Jo, i thashë, s’kam “telefon t’kuq”. E ngrata, i erdhi keq për mua, sepse duhej t’më refuzonte, sikur u pikëllua “e pra na vjen keq zotëri, pa telefon t’kuq s’mund të flisni me z. Biden”. Ra kjo punë dhe e lashë gjithë marifetin, s’i thirra tutje ato shtetet “mosnjohëse”.

Se Dua Lipa na i paska sjellur ca miliona verdhushka më shumë në Kosovë, qebesa s’ka sjellur më shumë se ne të tjerët. Milioni për të s’është asgjë, e saktë kjo, ama sa për miliarda mos ta mprehë as dhëmbin. BQK-ja (banka qendrore) thoshte se gjatë v. 2022 “ndihmat” tona altruistike për Kosovën ishin rreth 1 miliard e 200 milionë. Vallë mos ndihma jonë na qenka pak, ca miliona të Duas na qenkan më shumë se miliardi ynë, apo si!

Se Dua Lipa ka patur më shumë se “one kiss”, më shumë se “1 puthje” të virgjër, më shumë se 1 tjetër djallëzore, se të dashurit e saj zakonisht na qenkan ca “hippie” me tatuazhe e me “piercings në stilin e “djajve” si Hadidat a si ata Barker-at (e Ritas), asgjë. Pasi krahasuar me bukuroshen Rita, Dua na del madje e “virgjër”.

Rita psh. që nga viti kur qe shpallur Pavarësia e Kosovës qe betuar “tani e tutje, secilin vit, vita pas viti do i ndërroj “të dashurit”, secilin vit do i kem 1, 2, 3 apo dhe më shumë, sipas nevojës”.
Dhe pirolla i qoftë, e ka mbajtur betimin strikt deri sot e kësaj dite. Pa i numëruar të mëhershmit (ata të adoleshencës, e tutje 4-5 vite të përvojës nuk “llogariten”), Rita tani 30-vjeçe dhe që nga 2008 (sapo qe shpallur Pavarësia) vit pas viti ka gjasa t’ia kalojë dhe atij Leonardos së Hollivudit, atij DiCaprios (i cili tani për tani e mban rekordin me 70 e kusur, ose meqë infot tona të mbamendjes mund t’jenë “vjetëruar” paksa, fare lehtë mund t’jetë dhe afër 100-shit).

U shpall Pavarësia dhe Rita (në akord me betimin) ia filloi me Marsat 2009-11, me Kardashianat 2011-12, me Drake… Drangoj, apo si duhet thënë 2012, me Harrisat 2013-14, me Hilat 2014-15, me A$AP-at 2015, me Brown-at 2015, me Barker-at 2015, me Hamilton-at 2016, me Watt-at 2017-18, me Garfield-at 2018, me Gavras-at 2020-2021, me Taika-t 2021… etj etj. Po i lëmë të tjerët, s’po i përmendim as të mëparshmit, as të mëpastajmit.

S’janë numrat… “the point”. E qartë, vit pas viti nga 1, 2 a 3… aq sa njëherë m’pati vajtur mendja të ankohem… “Rita, aman ç’është kjo amoriadë-maratoniadë, vetëm mua do m’harrosh, apo si”. Mirëpo s’pata guxuar, qesh zbrampsur sepse u tremba m’bën gaz, si ajo Blerona Çerremeti dikur që u thoshte shqiptarëve “ty jo, trus ti aty, ti s’di as me ia lyp yllkës”.

Shkurt, ec e kuptoje “diskriminimin” e shqiptarëve, Duas ia dhanë, e çfarë nuk i dhanë, shqiptarët tek ia kanë nisur me “dhëniet”, kushedi ç’do i japin deri në pleqëri. Tani për tani, përveç tjerash ia dhanë + nënshtetësinë + ndershmërinë, dmth. “ambasadore e ndershme” etj. Ndërsa ne të tjerët që s’patëm fat, neve s’na takuaka as nënshtetësia, e ndoshta s’jemi tutje as shqiptarë të mirëfilltë. Sepse padashtas na kanë kapur ato ligjet e gjysmë-asimilimit, të integrimit… e këso të ngjashme, plot “ligjesh” të natyrshme.

Madje sikur më “dhimbset” njëfarë Shqiptar Oseku i Suedisë, këtij dhe vetë emrin ia patën zgjedhur “Shqiptar”, dmth. që të dihet 100%, që t’jetë e pashlyeshme, e “vulosur” se na qenka shqiptar. Si mund t’jetë patriotizmi më “patriotikë” se kaq, si mund t’krahasohet me Rita Orat e cila s’i pati ndenjur “besnike” madje as vetë emrit të vet. Pa le dashnorëve “rekord” as hiç se hiç, thuase për inat i ndërron vit për vit, thuase për ta “festuar” ndershmërisht, në mënyrë unike Pavarësinë.

Dua Lipat e Ritat na qenkan të “ndershme”, ndërsa Shqiptari i Suedisë asgjë… s’hyn as në “kategori” madje. Duas i takuaka nënshtetësia, që ta takojnë Ramat, Ramushat, Çaushat e politikës saherë t’kenë qejf, të hanë llokume a haviar me të. Pa pa pa… sipas “strategjisë diskriminative” aktuale të shqiptarëve del se ky Shqiptari s’na qenka shqiptar, por gjysmë-suedez, o ec e merre vesh…

[ ngjitur: Dua Lipa e “llastuar” pas marrjes së nënshtetësisë shqiptare, dhe djathtas, tatuazh-isti Travis Barker, ish- i dashur i Rita Ora ]