Dadaistët thyenin vezë për omëleta surrealiste!

(njëra nga thëniet më simpatike që kam hasur ndonjëherë rreth Dada-së, s’do isha kujtuar kurrë për vezë as për omëleta : )

Dadaistët ishin të interesuar për thyerje vezësh, surrealistët erdhën dhe filluan të bëjnë omeleta.” – Daniel C. Ridge

– – –

(S. Guraziu – Ex Machina, Pollock dhe “Automatizmi” Artistik, 2015)

“Tmerri dhe pasojat e L. së Parë Botërore e patën lëkundur fuqishëm besimin në moralin borgjez, jo vetëm në aspektin “politik”. Në arenën evropiane të artit depresioni dhe kriza “morale” sikur pashmangshëm do të çonin në shfaqjen e rrymës anti-art, të njohur si Dada. Dhe tutje dadaistët do bëheshin vetë “varrmihësit” e kësaj diçkaje të re. Kundërvlera dhe anti-arti sikur sollën përfundimisht dështimin e vetë strukturës ideatike dadaiste. Athua vallë arti i mirëfilltë e njeh dështimin – në fund të fundit diç s’mund të jetë e “vdekshme” nëse kurrë as nuk ka lindur! Por a ishte diç e re, a ishte “dështim”, a ishte “lëvizje e re”, a ishte gjallë diç e palindur? Ndoshta ky “dështim” ishte thjesht vështirësia e “nevojshme” e procesit për një lindje (rilindje). Në shikim të parë, sikur historia e artit na paratakon me një paradoks logjik, por jo, sepse tutje janë vetë dadaistët ata që luajtën rolin e tyre në sjelljen e risive artistike. Në fakt, sipas meje dadaizmi nuk ishte as lindje as rilindje, nuk përfaqësonte asgjë… as kitsch as art, as avancim as avangardizëm, as stagnim as përparim, as kthim mbrapa as shkuarje para… Sepse si negacion ndeshej me vetë fondamentin e pozitivizmit artistik. Dadaizmi më parë ishte si “refuzim” për të lindur, qëkur anti-arti s’ka të bëjë me artin (duke qenë si kundërshti themelore e vetë artit). Dadaizmi ishte një dehje e “përkohshme” depresive e kohëlinjës artistike.”