SG – Predikat Poetik, 2012

PREDIKAT POETIK
S. Guraziu, 2012

Nëse s’ke dritën në sytë
atëherë s’jam dritë,
nëse i tretur, shpirtfjetur,
xhamat në errësirë,
s’jam dielli yt, t’i ndezësh
miliona qirinj,
kot qetësinë ma prish,
ç’fsheh vargu i poezisë
kurrë s’do ta dish.

S’do jem poezi – si
ëndrra do t’fikem,
maskuar në letër do rri,
pretendo ti, as vetë qiriu
i Naimit s’të fal dritë,
asnjë pishtar a poç
elektrik, shtiru dhe si yll
Polaris, vetë drita do jetë
“justifikim”, ashtu-kështu
yjet s’shihen në dritë,
nën llambën e diellit,
i fsheh vetë drita nga sytë.