Thomas Cole – Trini Pikturale e Jetës!

S. Guraziu – Ars Poetica, Nëntor 2012

Kursi i Perandorisë – Tri piktura të cilat, për mendimin tim, e “përthekojnë” një alegori vërtet madhështore, me volumin marramendes artistik dhe me detajet e shumta, ashtu me “germat e brushave” sikur na flasin rreth temës së rrahur mjeshtërisht. Gjatë historisë së njerëzimit, aq shumë perandori kanë zënë fill, janë zhvilluar e zgjeruar, e kanë arritur apogjeun e tyre të zhvillimit e të fuqisë, dhe pastaj pashmangshëm secila prej tyre thjesht është “shuar”, kanë ngelur vetëm kronikat dhe “analet” historike. Bie fjala, Egjipti i lashtë, perandoria persiane, ajo e Aleksandrit të Madh (ose, meqë ai s’i pati “gëzuar” sukseset e veta ushtarake, ajo çfarë qe “trashëguar” nga ai), pastaj perandoria e Romës, pse jo dhe ajo “derivative” e Bizantit, perandoria Osmane etj. etj., thjesht sa për t’i përmendur disa aludime të tematikës pikturale.

Artisti amerikan Thomas Cole konsiderohet si themeluesi i shkollës (ose lëvizjes) artistike të ashtuquajtur “Hudson River School”, një lëvizje amerikane e artit që lulëzoi në mesin e shek. XIX. Kjo shkollë ishte e njohur për portretizimin realist dhe të hollësishëm të peizazheve te Amerikes, duke vënë në funksion temat e Romantizmit dhe të Natyralizmit artistik.

Cole ka bërë mjaft piktura, por më te famshmet janë seria prej pesë pikturave, “Kursi i Perandorisë”, dhe të cilat e përshkruajnë ose përshfaqin të njëjtin peizazh ndër breza; nga një gjendje e përafërt me natyrën e paprekur, pastaj periudhen e zhvillimit dhe të lulëzimit të një perandorie, deri tek rënia e kësaj perandorie dhe gjendja e shkretuar.
I veçova 3 sosh, duke i quajtur simbolikisht si “Trini pikturale e Jetës”.

Thuhet se burim i drejtpërdrejtë i frymëzimit letrar për serinë e pikturave “Kursi i Perandorisë” pati qenë “Shtegtimi i Çajld Haroldit”, vepër e Bajronit (1812-1818). Cole e pati cituar nje strofë të Bajronit, nga Canto IV, në reklamat nëper gazetat e kohës për serine e tij pikturale.

Thomas Cole (1801-1848) – Kursi i Perandorisë (Konsumimi), 1833-36

Thomas Cole (1801-1848) – Kursi i Perandorisë (Shkatërrimi), 1833-36

Thomas Cole (1801-1848) – Kursi i Perandorisë (Shkretimi), 1833-36