Materializmi vs. Idealizmit – Dualizmi i lashtë filozofik!

S. Guraziu – Ars Poetica, G 2018

(D. Chopra, Mars 2018)
[ …kohët e fundit ka një debat të “rreptë” rreth mendjes së njeriut (vetëdijes) dhe materies. Në një anë është kampi i fizikanëve të ashtuquajtur fizikalistë, të njohur më parë si materialistë, të cilët mbahen fort pas supozimit se çdo gjë dhe të gjitha fenomenet në natyrë mund të reduktohen në proceset fizike dhe në ndërveprimin e objekteve (atomet, grimcat subatomike etj.). Në anën tjetër ka një shumëllojshmëri e përzierë skeptikësh, të cilët thonë se të paktën një fenomen natyror – mendja njerëzore – nuk mund të shpjegohet sipas fizikalizmit. – Deepak Chopra – “Është koha që shkenca ta pranojë vetëdijen”, Mars 2018 ]


Grafikat:
– Charles-Antoine Coypel (1694-1752) – Demokriti i qeshur, 1746 (detaj)
– Rafaeli (1483-1520) – figura e Leonardo da Vinçit, gjoja si Platoni, dhe Aristoteli, detaj nga afresku “Shkolla e Athinës”

***
Desha një koment të shkurtër rreth vërejtjes së D. Chopra lidhur me “debatin e kohëve të fundit mes fizikalistëve dhe idealistëve”, publikuar në Mars 2018, meqë s’është fare fjala per ndonje “debat te ri” dhe as modern – përkundrazi, është ndoshta “debati” më i gjatë në historinë e njerëzimit, desha ta përplotësojë me ca fakte “konfliktin debatik” ose dualizmin filozofik i cili njihet që nga lashtësia.

Materializmi dhe Idealizmi si “ide” janë aq të vjetra, pikëpamja “materialiste” e Demokritit dhe ajo “idealiste” e Platonit hedhin valle në skenën filozofike që nga antikiteti. Në arenën e filozofisë ndoshta eshtë ky dualizmi më i kulluar filozofik. Sikur janë përqafuar në dansin e kundërshtisë, për t’mos u ndarë kurrë. Edhe sot e kësaj dite pikëpamjet e tyre ngelën duke e grushtosur njëra-tjetrën.

Bazamenti filozofik “materialistik” i Demokritit bazohej në supozimin se atomet janë të vetmet gjëra që vërtetë ekzistojnë, se atomet janë të përjetshme. Të gjitha gjërat tjera të kësaj bote ekzistojnë vetëm për shkak se janë të përbëra nga atomet. Duke ndjekur këtë logjikë, atëherë dhe vetë vetëdija e njeriut është produkt i proceseve fizike në trurin e tij. Ai pati thënë “vetëm atomet dhe zbraztësia ekzistojnë, çdo gjë tjetër është opinion”. Mirëpo ideja e tij për “atomos” (diç e pandashme) qe braktisur sëpaku për nja 2000 vjet.

Ndërsa Platoni besonte se idetë janë thelbësore në krahasim me objektet (atomos). Filozofia e “idealizmit” të Platonit bazohej në supozimin se struktura bazë themelore e gjërave të kësaj bote nuk është atomi, por forma abstrakte mendore që i përcakton vetitë e një objekti.

Kohët e fundit idealizmi platonik sikur prore e më shumë është duke e patur “dritën e gjelbër” të saktësisë, sepse materializmi filozofik i Demokritit, i Darvinit, i Njutnit dhe i panumër shkencëtarëve, nuk ofron tutje mundësi për qartësimin e, bie fjala të hipotezës së “simulacionit”, apo të Vetëdijes së njeriut etj. Biocentrizmi po ashtu, mund të thuhet dmth. se shtyllën kryesore për “kasollën” e vet filozofike e ka huazuar nga koncepti i filozofisë platonike.

***
D. Chopra ka shkruar më shumë se dyzet libra dhe veprat e tij janë përkthyer në 35 gjuhë të botës. Për shumë njerëz Chopra është mjaft “kontradiktor”, aq sa e adhurojnë linjën e tij të mendimit, po aq të tjerë dhe janë kundërshtarë. Gjithsesi në v. 1999 nga revista TIME Magazine Chopra qe futur në listën e 100 heronjve më të mëdhenj dhe të njerëzve me ndikim të shek. XX.