Njeriu, si sintezë superfunksionale e materies dhe jomateries!

“…Pasqyra e kthjellët e kuptimësisë s’mund të jetë “aq e kthjellët” pa vetëdijen, si stad më i lartë i intelektit. Dhe, si mrekulli, ky intelekt nuk operon me mekanizma por thjesht “vetëm” me energji të kulluar. Së paku jo me asnjë lloj mekanizmi që njeh shkenca. Sintezë superfunksionale e materies dhe jomateries, mirëpo jo për hir se intelekti s’mund të ekzistojë vetëm apo se i duhet të “pushojë në prehër” të materies. Intelektit nuk i duhet medoemos materia. Intelektit i duhet energjia.
Vetëdija do t’jetë njëra nga fushat finale në të cilën (si fushë studimi) shkenca s’mund të aspirojë. Jo vetëm për faktin se vetëdija, si stad i përkryer i procesit mendor, nuk është materiale. Shkenca do t’bëjë çmos për t’i dhënë asaj natyrën e mekanizmave, sepse përndryshe më tej në këtë rrafsh shkenca pushon së ekzistuari. Sepse shkenca është vetë derivat që pushon në atë rrafsh. Aty fle edhe vetë shkenca si kuptimësi. Çdo shkelje në portat e vetëdijes rezulton në paradoks.
– – –
Vetëdija është e “vërteta” sepse vetëdija është vetë njeriu, fuqia që dimensionalizon të vërtetën, që e ndjen atë. E vërteta subjektive si e “vërtetë” nuk vjen nga jashtë… përkundrazi, ajo duhet ta pushtojë të jashtmën. Nga jashtë vijnë informacionet mbi pjesëzat e mozaikut-jashtësi. Varet nga ne; respektivisht nga shumë faktorë bashkëndikues (stadi mendor, fuqia analitike, ushqimi informativ etj.) se si do ta kompletojmë pasqyrën-mozaik të realitetit. E vërteta gjithmonë do t’ndodhet brenda nesh dhe do t’burojë nga ne. Ngjashëm si me Diellin, drita e tij pushton errësirën e gjithësisë. Dielli, në sensin si yll, s’do t’ketë kurrë nevojë për dritë.”

S. Guraziu – Shkenca si “besim” dhe Religjioni – publikuar në “Haemus”, Nr. 1-2 (26-27) / 2006 – Bukuresht

D. Chopra – Është joshkencore të ngelemi “ngjitur” për fizikalizmin! – 2018

…kohët e fundit ka një debat të “rreptë” rreth mendjes së njeriut (vetëdijes) dhe materies. Në një anë është kampi i fizikanëve të ashtuquajtur fizikalistë, të njohur më parë si materialistë, të cilët mbahen fort pas supozimit se çdo gjë dhe të gjitha fenomenet në natyrë mund të reduktohen në proceset fizike dhe në ndërveprimin e objekteve (atomet, grimcat subatomike etj.).
Në anën tjetër ka një shumëllojshmëri e përzierë skeptikësh, të cilët thonë se të paktën një fenomen natyror – mendja njerëzore – nuk mund të shpjegohet sipas fizikalizmit.
Nëse çdo gjë duhet të reduktohet në njësitë më të vogla të materies e të energjisë, dhe meqë s’ka prova se mendja jonë e ndjek këtë model (të fizikës), është fare joshkencore si qasje që të ngelemi “ngjitur” për fizikalizmin. Mendja jonë është e vërtetë, reale, dhe nëse kjo qëndron, kërkohet që modelet defektive të ndryshojnë ose madje të hiqen. Paaftësia për ta shpjeguar mendjen tonë i rrezikon të gjitha shkencat, për faktin e thjeshtë se shkenca është një aktivitet mendor.
[ Deepak Chopra – “Është koha që shkenca ta pranojë vetëdijen”, Mars 2018 ]