SG – Si Alpinist Fytyrës Tënde Ngjitem, 2006

SI ALPINIST FYTYRËS TËNDE NGJITEM
S. Guraziu, 2006 (Poemth)

Borhesi insistonte si i verbër, këmbëngulte:
gishti i vogël ka diç femërore, diç
magjike, elektrike… ndërsa unë,
e dashura lunatike, s’di a ta kam thënë
në njëqind fjalët tona ekzotike,
do grindesha me të inatisht,
ditë për ditë do ta ftoja në duel; shpatën
do e huazoja nga Sirano, nga Tom & Jerry
(musketarët) do i huazoja kapelën
e çizmet, dhe po, pikërisht këtë natë
dhimbjen do ta hedh në Rajnë, pa dhimbje
lehtas të fundoset në lumin njëqind hapa larg
shtëpizë-gëzhoja e zbrazët dhomë
ISS në errësirë – “space station”
në gjendje të papeshë
as tre hapa larg, përtej derës engjëjt
ëndërrojnë si dhe yjet
përtej qelqit i shoh të prushtë,
e ndiej frymëmarrjen e ngrohtë, si bebzat
e tua, si qiellin lart, lëri hijet e buzëve
të flenë, buzëqeshjen ngjalle në mëngjes,
mos u trazo, mos tremb qerpik,
ti e di që Sirano ishte aq fisnik: arbitër
do bëhej për duelin tim, s’do ngurronte
as pipin në buzë ta shurdhonte
për një triumfim…
viva-victoria s’është e vogël, fitorja
në një duel duhet t’jetë e madhe
por s’jam aq i denjë të tentoj triumfalisht
bllokimin e qortimit tënd për dobësinë…
për fshehjen pas “kullave të rërës”
dhe në ikje – i ikur për kah ikja, ikanak
i gjorë tenton të të puth majë hunde,
si alpinist i lodhur pandeh në rrëzim
aksidentalisht, lidhur me litarët e padukshëm
t’mos e thyejë qafën në thyerje – thyerje
dhe për hundën, fatale, rënie në pakthim,
pandreqshëm – thyerje që s’ngjitet,
nuk kapet me ngjitës universal,
dhe atje fytyra jote si skulpturë gjigante
gdhendur, skalitur, faqelëmuar para meje
si Mount Rushmore, e prapë ti
mund t’mos besosh, prapë mund t’mos
e kuptosh një ikje, një frikë, një tjetërsim,
njëjt’ si çdokush tjetër, njësoj Borhesi
shtirej i verbër për Mona Lizën,
për hundën e saj tekanjoze – pafajësisht
kryeneç, kokëfortë… prore dyshues,
nuk bindej dot se e vërtetë është,
s’është spekulim, majëhunda fsheh
diç femërore sa njëqind gishtërinj
“pink” të Mona Lizës, picirrushë, e ti
ëndërro, lehtë si kjo frymë ndër buzët,
nuk e sheh, lexoj lëkurës tënde,
si lexues-gjilpërë optike pingul
mbi cd-room, të gjitha poret e ëndrrave
madje dhe ato nën qepalla strukur
si bletët në gjumë, i shoh qartë përroskat,
ravijëzimet e molekulave, nganjëherë
frikë kam skajbuza me delikatësinë e saj
do qajë njësoj për ty, për mua, për ne
si gishti i vogël që s’mund ta shoh
më dhimbjen e fundosur në Rajnë
prandaj ikja dhe ikja nga droja, si alpinist
se një copë hunde bie, këputet
si ajo e Sfinksit në Giza nga dashuria,
nga kalamallëqet… e zemërfloririt Obeliks.

[ foto e Corbis: punëtor duke u marrë me mirëmbajtjen e “hundës” së Lincoln, Mount Rushmore ]