Haremi – Kadinat Legjitime, dhe Igballet e Panumërta të Sulltanit

(s. guraziu – ars poetica, sht 23)

[ ngjitur, detaj: “Favoritja e Pashait” (Ali Pashai i Janinës dhe Kira Vassiliki), 1844, pasues anonim i P. E. Jacobs – dhe djathtas, detaj: “La Grande Odalisque”, 1814, Jean-Auguste Ingres ]

| – – – v i j i m – – –
Në shkrimin tonë, shpesh ngapak shaka-logjik, gjatë tërë kohës sikur fjalën e kemi për krye-haremin e perandorisë, për haremin e madh të Stambollit, në kuadër të pallatit perandorak Topkapi – e vërtetë kjo. Mirëpo edhe pashallëqet (aneskaj perandorisë) patjetër se kishin harem. Normale që dhe pashallarët duhej të kishin hareme, psh. Ali Pashai i Janinës, e padyshim dhe ai Muhamed Aliu, guvernatori shqiptar i Egjiptit etj.

Sa për Ali Pashain (e Janinës) ky vërtet e kishte haremin për lakmi – s’jemi duke thënë se ia kalonte atij të sulltanit, apo se sulltani ia kishte këtij fort “lakmi”. Por dhe vetë Viktor Hygoi e pati lavdëruar, vetë ai Bajron-poeti i hijshëm vërtitej andejpari. Ishte i njohur Bajroni aristokratik, për hijeshi, për romanticizmin poetik e për shumçka, e sidomos për dashuriçkat, për aferat gjithandej. S’i shqiteshin skandalet, endej si bredharak gjithandej Evropes, shtirej gjoja si poet endacak.

Thuase s’kishte bukuroshe atje në Angli, në Evropë a në Itali, ia mësynte pikërisht tek Ali Pashai në Janinë. Herë flinte në sarajet e tij e herë diku në Greqi, rrallë e hiç ndokund tjetër në Shqipëri. Pse flinte vetëm aty, nuk dihet por mbase jashtë pallatit të pashait shqiptaret s’ia varnin dhe aq, o shtireshin gjoja s’kishin dëgjuar për të, o vërtet ende s’e njihnin : )
Madje, dikur e patëm shpalosur “tezën tonë spekulative” se Ali Pashai dhe mund ta ketë përzënë Bajronin. Jo sepse ky tinëz ia hante hurmat e bakllavatë, por sepse mund t’i jetë përzier në “punët e brendshme” të haremit. Ndërsa dihet, shqiptarët janë të njohur botërisht për mikpritjen, s’kursejnë as dhe hiçgjë që mysafirët të ndjehen rehat si në shtëpi.

E pati dokumentuar bujarinë e shqiptarëve dhe ajo Durham. Edhe ajo ishte ingleze, njësoj si Bajroni, qe bërë e njohur për korrektësinë akademike, për dashurinë e kulluar ndaj shqiptarëve. Sepse e pati kuptuar thelbin, shqiptarët të varfër por aq bujarë, më të varfërit e Evropës, sepse të shtypur e të shkelur me shekuj nga thundërzeza otomane, nga të njëjtit pashallarë e sulltanë.

Mirëpo nëse i shkel ca vija të ndershmërisë a të burrërisë qebesa do jesh “nongrata”, duhet të largohesh me bishtin nën shalë. Atëherë (dmth. para 12-13 viteve në humoreskën tonë) na qe ngjallur përshtypja se dhe Bajronit i pati ndodhur diç e tillë. I pati ndodhur “përzënia”, s’e gëzonte tutje mirëpritjen në sarajet e pashait. Jo vetëm ai por kushdo që gabon – duhet të largohesh deri në pakthim, deri në takimin e ardhshëm kudo. Qoftë dhe takim papritmas, si rastësi, kur mund të të “puth” dhe plumbi në ballë. Kurrë s’i dihet, ca gjëra dhe nuk falen, varësisht nga ofendimi yt dikur i historisë.

Pasi që, kuptohet, fillimisht të lënë të shkosh, sado i madh t’ketë qenë gabimi, sado i rëndë t’ketë qenë ofendimi, shqiptarët s’i vrasin miqtë e mysafirët derisa ende nën besën, derisa ende nën strehën. Për fat të mirë, meqë Bajroni pati shpëtuar, me gjasë gabimi i tij s’do ketë qenë aq i madh, jo ndonjë diç serioze, jo dhe aq skandaloze, jo i pafalshëm si skandal : )

***
Meqë haremi i sulltanëve s’dorëzohej, s’e “lëshonte perin” e sekreteve, me shekuj harem i mistershëm, intrigues, piktorëve të Evropës anembanë sikur u takonte “liria” të merreshin me imagjinatat spekulative të nudistikave të haremit. Tekefundit për “inat”, do i rrotullonin nudo-bukuroshet si t’u pëlqente atyre vetë. Psh. nudo-pikturat frymëndalëse të Jean-Auguste Ingres “La Grande Odalisque”, ose “Odaliska me Skllaven” mund t’jenë më famozet sa i përket “inatit” artistik : ) Anise, kuptohet pikturat e ngjashme të orintalistëve thjesht janë të panumërta. Nudizmi dhe “ekzotikat e Orientit” ndihmonin jashtëzakonisht që pikturat e tyre të shiteshin si hallvaja artistike e kohës.

Skenat e preferuara të orientalistëve ishin sidomos bukuroshet e ndonjë haremi, lloj-lloj idilikash pikturale vinin në jetë me brushat e tyre, lloj-lloj “odaliskash”, herë nudo e herë gjysmë-nudo, kuptohet ndonjëherë dhe veshur : ) Imagjinata pikturale s’kishte kufizime, ia vlente të eksperimentohej, si duket ishte e vërtetë, me lakuriqësinë imagjinare pikturat shiteshin si hallvaja e Stambollit. Artdashësit e pasur të Evropës e të Amerikës i porositnin e madje vetë i sugjeronin dhe “shijet”. Dhe vetëm Akademizmi francez i kishte me dhjetra, me qindra, me mijëra “piktorë orientalistë”.

Orientalistët (sidomos ata francezë) desh qenë bërë “bajat” me ato nudo-odaliskat e tyre pikturale, na i ngatërronin paksa konkubinat e odaliskat. Dihet se odaliskat në artin perëndimor, gjatë periudhës së Orientalizmit artistik, ishin subjekte të preferuara. Odaliska (odalık) ishte shërbëtore dhome ose femër shërbyese, shoqëruese e dhomës në një kompleks mbretëror, veçanërisht në haremin e sulltanit a të pashait. Në turqisht “oda” do t’thotë dhomë, duke nënkuptuar kështu se odaliska ishte një vajzë a femër e dhomës, një shërbëtore. Dihet se odaliskat kishin dallim nga “konkubinat favorite” të pashait a të sulltanit (varësisht në cilin harem të ndodheshin).

Nëse të liheshin anash gjithë të tjerët, dhe vetëm një Gerome i vetëm (si President i “Orientalizmit”) i pati bërë panumër “orientalistikash”, ndoshta mbi 150, a 200 sosh. Dhe ndër to ka aq shumë aso nudistike, lloj-lloj princeshash, hanumesh të bukura. O duke u larë, o duke u zhveshur, herë para banjos, akoma pa u lagur, herë duke u tharë… herë ca çasta pas tualeteve. Herë në vetmi, fillikat por ndonjëherë grumbull në pishinat e haremit. Ose në banjot luksoze të pallateve grandioze, ndonjëhere gjoja dhe të ndihmuara nga shërbëtoret e Nubisë, nga skllavet asistente : )

Odaliska s’ishte patjetër diç si term-sinonim i konkubinës, ajo do ishte jashtëzakonisht e pastër dhe e kujdeshshme, por jo patjetër bukuria e saj duhej të binte në sy, jo patjetër duhej t’ishte “miss” sa t’mahnitej sulltani a pashai. Shpesh mund t’ishte mjaft e re, ende si çirake e haremit dhe ende e virgjër, mirëpo zojë sa i përket “hyzmetit”, me shtatin si selvi dhe e lehtë, me hapin si sorkadhe. E megjithatë (sidomos në artin perëndimor, dhe qëkur biznesi i haremit për botën i panjohur, totalisht sekret) termi “odaliskë” sikur do i referohej kryekëput konkubinës së haremit (si subjekt seksualistik).

***
Të gjitha femrat që fati do i “sillte” në harem ishin skllave pa përvojë, ato mund t’ishin dhe fëmijë, vajzash shumë të reja, dhe meqë jo të sprovuara, ishin diç si “axhami”, vajzash fillestare. Axhamillëku (acemi) ishte grupi më i madh i femrave të haremit. Si ilustrim i shembullit të “njomësisë”, Kira Vassiliki (Favoritja e Ali Pashait) ishte vetëm 12 vjeç kur i qe bashkuar haremit në Janinë. E ngrata e pati lutur pashain që ta kursente jetën e babait, dhe ashtu pati ndodhur, pashai qe treguar zemërmadh, do e mëshironte babain e saj. Më pastaj ajo vërtet do ta “pushtonte” zemrën e tij, Vasilika vërtet qe bërë “Favoritja e Pashait”. Në rregull, s’do ishte “Favoritja e Sulltanit”, siç zakonisht na e sugjeronin piktorët e Orientalizmit, por do ishte “Favoritja e Pashait”. Ky favor a privilegj s’ishte pak, t’i pëlqesh një pashai, të ishe e preferuara e tij ishte fat i madh.

Estetikat pikturale ia vlenin (siç e dëshmuan piktorët orientalistë), por dhe pa pikturat e imagjinatës s’e vënte kush në dyshim se konkubinat e haremeve ishin të bukura. Një thënie e urtësisë angleze thotë: “është bukuria që e pushton vëmendjen, por është karakteri (personaliteti) që e pushton zemrën”. Bie fjala, se Vasilika e Ali Pashait na ishte e bukur, kjo s’do mend, por ndoshta karakteri dhe personaliteti i saj vërtet do ketë qenë i ngrohtë e mbresëlënës. Dhe duke e patur afërsinë, s’ka patur si t’i “shmangej” pashait. Si e privilegjuar, si e pëlqyera e pashait, Vasilika shpesh ndërmjetësonte në emër të grekëve. Historianët thonë se ndikimi i saj mbi pashain do ua shpëtonte jetën shumë të krishterëve grekë. Ai e pati mëshiruar babain e saj, do i falte dhe mjaft të tjerë për të cilët t’i lutej ajo.

Raste të tilla të ndikimit mbi sovranin kanë ndodhur dhe në haremin perandorak (dmth. që patën ndikuar dhe mbi vetë sulltanin, duke qenë nëna sulltanësh, konkubinat e dikurshme të haremit e patën influencuar dhe vetë “fatin” e perandorisë, psh. rasti i ish-konkubinave Sulltan Hurrem, Sulltan Kosem etj).
Vasilika (e Pashait të Janinës) ishte e krishterë, duke qenë e krishterë madje i qe lejuar ta praktikonte besimin e vet. Ky fakt flet sa ndikim kishte ajo tek ai. Përndryshe nuk ndodhte ashtu, nuk ishte “praktikë” e haremeve të perandorisë. Që në ardhje konkubinat pagëzoheshin me emra myslimanë dhe aty për aty duhej të “konvertoheshin” në besimin Islam (zgjedhnin emra të bukur për to, që u përshtateshin më së miri, diç si emra lulesh, diç si emra engjëllushesh, në akord me shijet e haremit, në përputhje me bukurinë dhe me specifikat e karakterit të tyre).

Kur vajzat vinin në harem s’është se i “shmangeshin” statusit të skllavërisë, ishin dhe ngeleshin thjesht skllave. Do edukoheshin pastaj strikt në frymën dhe me disiplinën e pallatit. Normale që skllavet e papërvoja duhej edukuar fillimisht, duhej të përgatiteshin, do mësonin lutje e dua, do mësonin shkrim-lexim, do i mësonin ligjet bazike të fesë, të visheshin me ca kualitete bazike para se të kualifikoheshin për promovime të mëtutjeshme brenda sistemit. Periudha e hershme e shërbimit të tyre në harem dhe e trajnimit njihej si “acemilik”, dmth. diç si “axhamillëk”, fazë fare fillestare e njomësisë.

S’do mungonin pastaj as promovimet, do vinin më vonë dhe embëlsirat, nëse ato të integroheshin bukur, t’i ndiqnin dhe t’i zbatonin rregullat. Për rangun vendosej më pastaj, pasi të “shijohej ëmbëlsia” e tyre nga sulltani. Kishte dhe një sistem hierarkik rretherrotull statusit dhe rolit të tyre. Ato do promovoheshin sipas pëlqimeve të valide-sulltaneshës, sipas “sugjerimeve” nga zyrtarët e lartë të haremit, varësisht nga “skemat estetike” të kohës rreth bukurisë, por dhe sipas kapaciteteve, talenteve, intelektit dhe aftësive të tyre.

Pas axhamillëkut, më pastaj do e arrinin statusin “sakird” (çirake, nxënëse). Kjo s’ishte dhe pak, të “qërohesh” nga axhamillëku kurrë s’është pak. Kjo ishte dëshmia troç se tani kishin sadopak edukatë. Edhe nëse akoma të palumtura, thjesht duhej vazhduar me shërbimet e me buzëqeshjet, me shpresën se përfundimisht do t’promovoheshin në rolin e një “gedikli” (bukuroshe e zgjedhur me kokallë nga valide-sulltanesha, e pritur drejtpërdrejt nga sulltani për njohjen, dhe kuptohet për t’i shkëmbyer buzëqeshjet e para). Nëse do t’kishin mjaftueshëm bukuri, mjaftueshëm ëmbëlsi, nëse njomësia dhe vitaliteti feministik të ngelej stabil, nëse të kishin inteligjencë, talent dhe fat më vonë mund ta arrinin dhe statusin e “usta-lleshave” (diç si zonja të denja).

Konkubinat me të cilat sulltani e ndante shtratin (jo vetëm shoqëri shtratologjike çiltërisht, as jo vetëm për të fjetur bashkë : ) eventualisht do e arrinin statusin “e preferuar”, “favorite” (gözde), apo dhe statusin “fatlume” (ikbal). Sa për “kulmin”, duke e arritur statusin “kadin”, natyrisht s’do koment sa i madh na ishte fati i tyre (kadin = grua, bashkëshorte, jo patjetër legjitime – meqë sulltanët e kufizonin veten për gratë legjitime sipas ligjeve të Islamit, mund t’i kishin sëshumti 4 gra legjitime – mirëpo numri i atyre jolegjitime s’ishte i kufizuar, fatlumet mund t’ishin të panumërta).

Pozicioni më i lartë, grada supreme e hierarkisë së haremit ishte “valide sulltan” (nënë legjitime e sulltanit të radhës – qëkur vetë ajo dikur konkubinë e preferuar, o mbase fatlume, pastaj kadineshë e babait të sulltanit). Siç thamë, kadinat (numri i të cilave mund t’arrinte strikt deri në 4) si gra legjitime të sulltanit, në hierarkinë vinin pas valide sulltanit. Ndërsa “poshtë” kadinave (siç e sqaruam dhe këtë), në rang ishin fatlumet, ikball-et, numri i të cilave ishte i papërcaktuar. E po ashtu dhe numri favoriteve, “gözde”, i të preferuarave të fundit në këtë hierarki, ishte i papërcaktuar.

Asnjë zonjë a zonjushë, asnjë shpirt, asnjë hiçkush s’mund të largohej apo të hynte në ambientet e haremit pa lejen e qartë të valide-sulltaneshës. Haremi do i akomodonte me qindra bukuroshe, pra si numër s’ishin dhe aq pak. Autoriteti i saj mbi konkubinat ishte absolut, fuqi absolutisht e pakufizuar, shtrihej madje dhe për çështjet e jetë-vdekjes. Ajo mund të vendoste direkt, me një urdhër ordiner, kush të jetonte e kush të vdiste. Ruana zot, por valide-sulltanesha pra mund ta urdhëronte vdekjen e tyre (si dënim i skjashëm, si ndëshkim ekstrem). Pa asnjë “gjykim” tutje a shoshitje të drejtësisë, pa e vënë kush në dyshim autoritetin dhe drejtësinë e saj. Padyshim, drejtësia dhe vendimet e valide-sulltaneshës s’mund të “kundërshtoheshin” as nga Ulemaja, as nga vetë Krye-Ulemaja i Portës së Lartë.

S’ka kund shifra të “sakta”, por faktin e vrasjeve të konkubinave s’e demantojnë as kronikat perandorake. Anise kronikash shterpe, të varfëra, lënë në errësirë sa i përket subjektit, por sa e sa zonja të pafat do jenë ndeshur me vdekjen. Shpesh dhe pa ndonjë arsye të qartë, ashtu-kështu ishin skllave, s’dinte kush për to. Eunukët (që i raportonin drejtpërdrejt valide-sulltaneshës) do i fusnin në thasë, do i rëndonin thasët me ca gurë a ballastë, dhe do i fundosnin diku. Gjithçka varej nga vullneti i zyrtarëve të pallatit, assesi s’bënte prishja e qejfit të tyre. Gjithë jetët, gjithë shpirtrat e skllaveve të perandorisë, gjithë femrat e bukura u takonin atyre, vetë Zoti, Allahu pati vendosur ashtu dhe e kryer…

***
Në oborrin perandorak stafi i haremit ishte i madh dhe i larmishëm. Kuptohet se kishte plot punë e detyrash që duhej kryer “rrjedhshëm”, qetë, bukur e pa u vënë re. Njësoj siç kryhen sot detyrat dytësore, ato postet sekondare “institucionale” (sidomos ato institucionale të politikës). Gjithandej dhe kudo, në cilindo vend jeta funskionon falë impenjimit të panumër servilantëve. Edhe në pallatet mbretërore, edhe në haremin e Stambollit detyrat kryheshin pakashumë ngjashëm siç kryhen sot detyrat dytësore të servilizmit, dhe të gjitha shërbimet e modernizmit. Paçka se sot në modernizmin tonë servilizmi (sidomos ai politik) thjesht konsiderohet profesion, “punë profesionale”, madje paguhet fort mirë : )

Bie fjala në Shtëpinë e Bardhë, ose në pallatin e Bashkisë në Tiranë, apo në selinë e Komisionit Evropian, në pallatin e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork etj. zyrtarët e lartë rrallë i shohin vegjëlinë, rrallë e përmallë, ose tepër rrallë. S’e kemi fjalën tani për servilët (pa këta s’ia bën as “gëk” sistemi) por për punëmarrësit e thjeshtë. Akoma pa vajtur mëngjeseve në zyrë, sa e sa punëtorët para tyre veç janë marrë me korridoret, me tualetet, me ashensorët, me pluhërat, me xhamat, me shportat, me ujitjen e luleve etj etj. vetëm ca shembuj si ilustrim të idesë, përndryshe s’e kemi as vetë idenë.

Haremi, “institucionalisht” dhe me praktikat e hierarkisë, sikur qe ndarë në dy degë kryesore, në njërën “degë” ishin të vartësuar ata që i shërbenin drejtpërdrejt sulltanit dhe familjes së tij në përgjithësi, sado e madhe apo e gjerë t’na ishte dinastia familjare. Dhe në “degën tjetër sikur kalavareshin” ata që ishin në shërbim të shërbyesve të sulltanit, dmth. të anëtarëve tjerë të rangut të lartë të sistemit, si shërbëtorë të shërbyesve të perandorisë.

Sidoqoftë, haremi dhe zyrtarët e Portës së Lartë (që gravitonin andejpari), e sidomos Sulltani kishin shërbyes mjaft të veçantë, në kuptimin të specializuar veçanërisht për detyra të caktuara. Psh. Çallmambajtësi, bartësi i turbanit, zyrtari përgjegjës për ruajtjen dhe bartjen e çallmave të Sulltanit. Apo Shpatambajtësi (silahdar agı), zyrtar enkas i specializuar për mbajtjen e shpatave së Sulltanit. Se dikush ishte i ngarkuar-specializuar për tualetet, se kujdesej për larjen e “prap***” së sulltanit, se sulltani i kishte shërbëtorët specialë, super-personalë (içoğlan), specializuar për lloj-lloj shërbesash personale, këso detyrash tejet specifike lidhur me personalitetin e sulltanit do i lëmë për ndonjëherë tjetër, pasi do na e çorodisnin temën e sotme…

Apo Bartësi i Stolit (hm, ky post ishte skajshmërisht “simpatik” dhe unik, le ta sqarojmë sadopak : ) atëbotë kishte një dikush që kujdesej enkas për stolin (për ulësen e thjeshtë) të Sulltanit. S’duhet ngatërruar, krye-stoli perandorak i njohur si “fron” ishte diç tjetër. Froni perandorak instalohej diku dhe s’duhej lëvizur shpesh, kuptohet se dhe aty rrinte ulur sulltani. E qartë se nga aty i jepte urdhrat, o nga froni o nga divani, nga aty diktohej i gjithë vullneti i tij i ditës, i javës, i viteve, nga aty drejtohej e gjithë qeverisja e perandorisë.
Por saherë endej (odajave të panumërta të pallatit, imagjinoji pakëz ato korridoret e gjata) ndonjëherë dhe lodhej, çapitej ca hapa kuturu dhe ndalej të merrte frymë. Kudo që ndalej, nëse helbete i mbushej mendja të ndalej, një dikush automatikisht duhej të ndodhej aty afër, një fantom i “padukshëm” ishte i angazhuar me detyrën për t’ia ofruar stolin që të ulej. Dhe ok, do pushonte sulltani ca minutash, do i vinte fryma, sapo të ngrihej, ky i “padukshmi” e merrte stolin pa u vënë re, pa u trazuar as “rryma” më e vockël e ajrit, dhe rishtas e ndiqte ashtu si fantomik.

Se zyrtarët e Portës së Lartë (bostancı başı) na ishin zhurmaxhinjtë, zyrtarë që kolliteshin zhurmshëm në pallat, se sulltani e kishte Sekretarin privat, enkas përgjegjës për “sekretet” private të tij, se pallati e kishte Shef-ëmbëltoristin e ëmbëlsirave të sulltanit, përgjegjës për ëmbëlsirat që i pëlqenin enkas atij, apo se pallati e kishte një Krye-organizator festash (kapıcı başı), si kreu përgjegjës i ceremonive të pallatit, se Kapedan Pashai (Kapudan Paşa) në fakt na ishte Krye-ushtaraku Suprem i Detarëve, se ai na ishte Kapedan-Admirali i Marinës Perandorake, se Veziri i Madh vërtet ishte i “Madh” dhe se i kishte shërbëtorët emëruar enkas për Vezirin e Madh, se oficerët e Portës (capidji başı) na ishin Oficerë të Gardës së Sulltanit, se Dragomani i Parë ishte postieri personal, lajmëtari i Sulltanit (mbase pa flatra, por 100% njësoj si Hermesi i Zeus-Jupiterit mitologjik) etj etj. panumër këso postesh, ehuuu këso “hesapesh” ishin detyra ordinere, 100% të zakonshme, të ngjashme paralelisht nëpër gjithë botën, asgjë interesante.

Ndër qindra shërbyes të specializuar secili për detyrën e vet, stafi i haremit (në kuadër të pallatit Topkapi) përfshinte dhe eunukë, ushtarë të kastruar që vinin nga shtetet myslimane (zakonisht Egjipti, Sudani, “Nubia”). Eunukët rekrutoheshin për të shërbyer në pallat si profesionistë rreth çështjeve të sigurisë, ishin diç si “swat-rojtarë” të haremit. Normale se ishin mjaft të zotët dhe të besueshëm sa i përket funksionalizmit. Afërmendsh se do gatiteshin paraprakisht, do i mësonin të gjitha “etiquettes”, do stërviteshin për ëmbëlsinë e buzëqeshjes, do avancoheshin për mirësjelljen, do e mësonin çdo rregullore të oborrit mbretëror, deri në detaje do trajnoheshin si servilë të devotshëm.
| – – – v i j o n – – –