Haremi – 100 fëmijët e sulltanit, dhe 1000 të tjerët e Xhingis Khanit

(s. guraziu – ars poetica, sht 23)

[ ngjitur: zonjë në ambientin e haremit, duke pushuar pranë një nargjileje, litografi me ngjyra nga P. Bureau, rreth ~1870 (detaj), bazuar në veprën paraprake të Emile Prisse d’Avennes (1807-1879) ]

| – – – v i j i m – – –
Në v. 2019 britaniku Simon Watson e pati bërë veten të famshëm (mbase në Twitter) duke ia shpalosur botës rekordin se i kishte lënë shtatzënë 13 gra brenda muajit, për vetëm 26 ditë.
Lidhur me temën tonë të Haremit, duhet cekur se Watson s’kishte harem, dhe as nuk i kishte 13 gra. Shtatzania për 13 femra pa u bërë muaji, patjetër se është rekord mëvete, rekord i natyrës së vet. Gjithsesi, detajet e këtij “rekordi” do i sqarojmë pak më poshtë.

Sulltan Muradi III do ishte babai më i “madh” i gjithë sulltanëve të Perandorisë Osmane. I “madh” në kuptimin qe bërë baba i mbi 100 fëmijëve, sëpaku 103 thonë disa burime. Mirëpo, sado e famshme Porta e Lartë me haremin e vet, sado e fuqishme si perandori e si Topkapi, ja që as Sulltan Muradi s’mund të shtyhej me haremin e Xhingis Khanit të Mongolisë. Thjesht pohim mjaft i vërtetë, jo kuriozitet i ububushëm por si fakt i palëkundur i historisë.

Ky i fundit në haremin e vet i mbante rreth 3000 konkubinash, dhe qe bërë baba i më shumë se 1000 fëmijëve. Në fakt fare lehtë (anise historianët s’kanë prova “shkencore”) por gjithë sulltanët e otomanizmit mund t’jenë “filizash” të Xhingis Khanit. Pse? Epo, sepse… nëse për hiçgjë tjetër atëherë sepse gjithçka e “lidhur” me veset aziatike, me veset mongoloide. Thuhet se Xhingis Khani të gjitha femrat që i mbante në harem (shifra 100% të sakta s’ka thonë shkollarët, por afro 3000 femra), të gjitha i konsideronte të “bukura”.

Andaj dhe i mbante, afërmendsh… s’është se i “koleksiononte” shëmtaraçet e perandorisë, por të bukura do kenë qenë, secila më bukuroshe se tjetra. Shkurt, i mbante të gjitha, s’i bënte zemra punë që të ndahej nga to, t’i linte të shkonin, t’i lironte.
Ç’është e çuditshme në këtë mes (dmth. sipas tezës sonë) është fakti se t’i kesh 1000 fëmijë, 1000 pasardhës “vulosur” me kromozomet e tua, stampuar me gjenetikat perandorake, dhe askush prej tyre, as dhe 1 ta “arrijë” madhështinë tënde! Hm, mjaft i çuditshëm ky devijim, ky lëshim-dështim i historisë.

Ose ndoshta asgjë e çuditshme, qëkur historia s’ka patur shans për t’i përcjellur kromozomet e 1000 fëmijëve të Xhingis Khanit. As kronikat, as statistikat, asgjë e shek. XII-XIII s’mund t’jetë aq e saktë – s’janë të sakta as sot e kësaj dite. S’ke si i gjenë çertifikatat e 1000 fëmijëve të Xhingis Khanit.
Historia moderne mezi i del ta “njeh” gjenealogjinë e Luigjit të Francës, imagjino sa vone ishte ky. Edhe nëse ia del disi, prapë s’ke siguri të garantuar, 1 dashnore sekrete më tepër dhe gjithçka e Luigjit, gjithë lisi komplet, gjithë gjenealogjia duhet rillogaritur, gjithcka nga e para.

Madje dhe vetë ish-Presidenti Obama (si shembull fare i freskët i historisë) mezi e pati gjetur çertifikatën e vet të lindjes (i duhej të ngratit ta dëshmonte amerikanizmin, padyshim ju kujtohet, pretendenti Donald Trump e pati akuzuar gjoja si “joamerikan”, i pati nxjerr mjaft telashe, “simpatik si çokollatë, i thoshte – por jo dhe amerikan, jo i lindur këtu”).

Pastaj mos të flitet për gjoja “saktësinë” e kohës së Xhingis Khanit. Si gjeneralizim, dihet se gjithçka e Azisë i takon Azisë, ashtu-kështu, edhe Lindja e Afërt, edhe e Mesmja edhe Lindja më e largët, qoftë dhe vetëm 2 m përtej Japonisë, të gjitha i takojnë Azisë. Teza jonë thotë se me osmanë e me sulltanë varg e varg padyshim do jenë pasardhësit e Xhingis Khanit. Përndryshe mund t’shtrohet pyetja: ku janë, cilët pra janë ata 1000 fëmijët e tij, si është e mundur që askush nga 1000 pasardhësit s’e trashëgoi as 1 kromozom të babait! Mjaft e çuditshme kjo, si anomali e historisë!

Sipas tezës sonë, shkollarët s’kanë si e përjashtojnë mundësinë. Gjithçka e kalifateve, para sulltanëve (deri sa do binin nën thundrën e sulltanëve më vonë) kishte t’bënte me “historinë” aziatike, me sferën aziatike, me luftrat aziatike, me perandoritë aziatike, me veset aziatike, me haremet e me hanumet… dmth. me veset xhingiskaneske. Vetëm Xhingis Khani e kishte haremin aq të madh, vetëm ai i mbante afro 3000 gra, i vetmi ai në historinë e njerëzimit, s’ia kaloi kush as nuk iu afrua kush.

Le ta kishte haremin e madh, askush s’ia pati “prishur” qejfin – sipas llogarisë së vet, në njëfarë mënyre dhe e meritonte. Ok, normale që pakëz dhe ego-ja me qejfet e veta, secili sulltan e secili mbret i ka dozat e egotizmit të vet. Mirëpo (haremin e meritonte) jo se qe bërë Khani i parë i Perandorisë Mongole, as jo se perandoria do bëhej perandori e madhe (kompakte sa i përket tokës) më e madhja e historisë, por sepse pothuaj tërë jetën qe marrë me bashkimin e fiseve mongole.

I pati bashkuar më mirë se askush, kurrë në historinë e fiseve s’pati ndodhur një mrekulli e tillë. Ta bashkosh popullin, t’i pajtosh princat e armiqësuar, t’i afrosh princat e përçarë, t’i ulësh në një tryezë principatat (siç pati bërë dhe Skënderbeu psh.), t’i bashkosh kalorësit e “tryezës së rrumbullakët” apo çfardo tryeze të ketë qenë, ta arrish “unitetin kombëtar”, ta zgjerosh perandorinë pothuaj deri në paskajësi etj. etj. këso gjërash të bashkimit, kuptohet se është gjëja më e madhe dhe më e shenjtë që një khan-prijatar mund ta bënte.

Andaj dhe ato 3000 bukuroshet e haremit, andaj dhe justifikohen 1000 engjëjt. Askush dhe asgjë deri sot e historisë s’ia ka kaluar Xhingis Khanit. Asnjë mbret, as perandor, as faraon i Egjiptit të lashtë, as vetë Ramzesi i Madh.
Për ta arritur Xhingis Khanin (si shembull, krahasim) sulltan Muradit do i duheshin sëpaku nja 10 jetë, dhe atë secilën herë të flinte me nga 100 hanume, dhe secilën herë asgjë t’mos dështonte, t’vinin në jetë nga 100 engjëj. Shkurt, s’është ekzagjerim, rrotulloje kah të duash, Xhingis Khani ngelet “kategori” mëvete, ngelet i paarritshëm.

Sot vetëm epruvetat e shkencës mund t’i afrohen Xhingis Khanit, asgjë dhe askush tjetër. Kuptohet, gjatë dekadave të fundit shkencat gjenetike kanë përparuar shumë. Ka një dokumentar (enkas për këtë temë) në Netflix, për fat të keq s’më kujtohen numrat… madje as titulli, i kam harruar tani. Aty përmenden shifrat e epruvetave, numri i kërkesave qenka rritur gjatë dekadave jashtëzakonisht, pertej parapritjeve – duke i tejkaluar tashmë dhjetra milionat e “fëmijëve” sjellur në jetë me epruvetat spermatike.

Lart, në krye të shkrimit, thamë se britaniku Simon Watson e pati bërë veten të famshëm në Twitter. Watson është thjesht një donator i “farës mashkullore”, ashtu siç e kërkojnë kushtet e laboratoreve moderne. Edhe në v. 2016 qe bërë i famshëm me pretendimin se i paska mbi 800 fëmijë. Watson poston rregullisht “cicërima” informative në Twitter.

Në vitin 2018, njëri nga “fëmijët” e Watson e paskësh bërë ADN-testin dhe sakaq rezultatet e testit e paskan “bashkuar” me 40 vëllezër e motra. Ec e mos buzëqesh… pretendon se i ka “ngjizur” 800 fëmijë, jo si dikur Xhingis Khani por tani në bashkëkohësi, pohon se i ka lënë shtatzënë 13 femra brenda muajit, me ndihmën e shkencave moderne, me ndihmën e epruvetave, mburravec aq i madh në Twitter, e prapë akoma aq larg Xhingis Khanit : )

Përndryshe edhe sulltan Muradi, edhe Ramzesi i Madh… ngelen mbrapa Xhingis Khanit “dhjetëfish”. Muradi III krenohej me rekordin e Haremit të Portës së Lartë, 103 fëmijë, më i zoti nga gjithë sulltanët varg e varg. Edhe Ramzesi II si faraon po aq, rreth 100 fëmijë, rekord ky i faraonëve të lashtë. Madje dhe mbreti Saud (i Arabisë Saudite, djali i Ibn Saudit), jo mbret i lashtësisë por mbret modern i shek. XX, edhe ky jo larg sulltanit as larg faraonit, si rezultat i haremit të vet, 52 djem dhe rreth 54 vajza, dmth. 100 e kusur.

Lidhur me fëmijët dhe me gratë e shumta, si diç mjaft e “veçantë” ndoshta duhet veçuar rasti i Ramzes faraonit. Njësoj si Muradi III i perandorisë Osmane, edhe Ramzesi II i Egiptit të lashtë i kishte mbi 100 fëmijë. Mirëpo jo të gjithë me 2 gra, as me 4 gra… as me ndonjë harem konkubinash, ngjashëm si Muradi i Portës së Lartë – një pjesë të këtyre “100” fëmijëve Ramzesi do i sillte në jetë me “ndihmën” e 4 vajzave të veta.

Nefertari ishte e para “Grua e Madhe” e tij (Nefertari hyn në rangun e mbretëreshave të njohura, ngjashëm si Nefertiti, si Hatçepsut, si Kleopatra). Ajo ishte gruaja “favorite” me të cilën do i kishte 10 fëmijë. Gruaja tjetër ishte Isetnofret, historia thotë së bashku me Nefertarin ishte nga më të shquarat mbretëresha të Egjiptit të lashtë. Përndryshe Isetnofret do ishte dhe nëna e pasardhësit të Ramsesit të Madh, e Merneptahut.

Përveç këtyre dyjave, gjatë mbretërimit të vet Ramzesi II do i bënte “gra mbretërore” dhe 4 vajzat e veta, të cilat quheshin Bintanat, Meritamen, Nebetavi dhe Henutmire (për këtë të fundit, ndonjë burim thotë se mund t’ishte motra e tij, jo vajza – shkollarët s’janë të sigurtë). Po ashtu, Ramzesi i pati martuar dhe 2 vajzat e mbretit të hititëve, Hatusili III.
Pra me gjithsej 8 gra, gjysma e tyre duke qenë vetë vajzat e veta, Ramzesi do i kishte mbi 100 fëmijë. Do bëhej “kampion” i faraonëve të lashtë, njësoj sikur dhe Muradi III, “kampion” i haremit të Portës së Lartë.

[ ngjitur: pikturë e Giulio Rosati (1858-1917) – “Vallëzimi në Harem ]

| – – – v i j o n – – –