Haremi – As vetë rrezet e diellit s’do kishin qasje

(s. guraziu – ars poetica, sht 23)

[ ngjitur: John Frederick Lewis (1805-1876) – “Jeta në Harem, Konstantinopojë“, 1857 ]
(dmth. në Stamboll, ndoshta pikërisht në pallatin Topkapi, për të cilin, këtu në artikullin tonë e kemi fjalën, Konstantinopoja qe pushtuar në v. 1453 nga Sulltan Mehmet “Pushtuesi” – ashtu i qe vënë nofka, Pushtues) dhe piktura tjetër e LewisJeta në Harem, Kajro” (dmth. në Egjipt, shih… ndoshta s’përjashtohet mundësia që fjala t’jetë pikërisht për haremin e Muhamed Ali Pashait, atij shqiptaro-kapedanit, të përkëdhelurit të Sulltanit, fare lehtë mund t’ketë qenë dhe ai haremist fort i zoti, tekefundit Ali Pashai i Janinës e kishte haremin aq të famshëm, vetë Hygoi e pati lavdëruar, vetë ai Bajron-poeti i hijshëm vërtitej andejpari, thuase s’kishte bukuroshe në Angli, në Evropë e në Itali, ia mësynte pikërisht tek Ali Pashai, herë flinte në sarajet e tij e herë diku në Greqi, rrallë e hiç ndokund në Shqipëri, përse nuk dihet por mbase jashtë pallatit të pashait shqiptaret s’ia varnin dhe aq, o shtireshin gjoja ende s’kishin dëgjuar për të, o vërtet s’e njihnin : )

| – – – v i j i m – – –
Haremi ishte një labirint i madh odajash, apartamentesh, dhomash, korridoresh. Si objekt, në kuptimin muzeal s’ka ndryshuar gjë, akoma është i njëjti labirint (siç pati qenë për shekuj me radhë). As sot e kësaj dite publiku s’ka qasje në gjithçka, jo i gjithë kompleksi por vetëm një pjesë është e hapur për publikun turistik. Mbase do jetë për arsye teknike, mund të kuptohet dhe kjo, duhet rinovuar, e sidomos duhet konservuar, duhet mbrojtur dhe duhet parandaluar – duhet marrë me analizat, me ekspertizat, me shkencat e kimisë, 4-5 shekuj janë kohë aq e gjatë, bie fjala gjithçka prej druri tani vetiu do jetë aq e ndieshme, kështu që fillimisht duhet marrë me procesin kompleks të konservimit etj etj.

Sipas fjalëve të Dr. Cimilli, haremi i kompleksit Topkapi ishte një segment skjashmërisht misterioz. I njohur në vendet e tjera të Orientit si perde (Purdah), Zenâne ose Endrûnr, haremi mbretëror në Pallatin Topakapi njihej si Dâr-üs-saâde, ose Vendi i Lumturisë. Dr. Cimilli ka shkruar se pjesa e haremit (dmth. segmenti privat brenda kompleksit të madh Topkapi) ishte planifikuar me aq kujdes, gjërat qenë mirëllogaritur deri në cikërrimat, në mënyrë që t’ngelej sekret, që t’mos shihej nga ndërtesat shtetërore dhe nga oborret e Topkapi, ku kryheshin punët publike të perandorisë.

Sipas meje, fjalët e Dr. Cimilli përputhen dhe me vrojtimin më të thjeshtë, me syrin e ekspertëve përpthen patjetër, por dhe me syrin e cilitdo kujt. Psh. bazuar në strukturën arkitekturale dhe sipërfaqen kulmore, e qartë se për mjaft pjesë të pallatit diellosja e natyrshme ishte e pamundur. Sipas meje, s’do e arrinte as arkitekt Sinani as vetë Sulltani, qëkur haremi duhej të ngelej i padukshëm. Afërmendsh, as rrezet diellore s’kanë si ua bëjnë me hile ca ligjeve të fizikës.

Shihet se oborret ose kopshtet e konkubinave s’e kishin lukzsozitetin e oborrit (të hapur) të zonjave të preferuara, të “favoriteve” të Sulltanit. Mund ta quash “kopsht” një pavijon të mbuluar, por vallë vërtet do jetë kopsht! Dhe kjo mangësi e kopsht-luksozitetit për konkubinat s’pati ndryshuar për 4 shekuj. Thuase aq e vështirë na qenkësh për Sulltanin t’ua dhuronte bukurosheve pak rreze, me shekuj e shekuj s’qenë kujtuar, s’i pati vajtur mendja asnjërit sulltan, secili më koprrac se tjetri. E qartë se pati ngelur “mangësi” e qëllimshme, sepse gjërat e haremit me çdo kusht duhej mbajtur sekret, larg syve të botës.

E vështirë derisa ndonjëra nga konkubinat të “favorizohej”, derisa ta arrinte statusin “e preferuar”. Pastaj kishte sa të duash luksozitet, mund t’i shijonte dhe rrezet, në fakt po aq sa dhe vetë Sulltani. Nëse ai të hante hurma, po t’i tekej mund t’i provonte dhe e preferuara, askush s’ia ndalonte. Favorizimi varej nga bukuria, nga edukata, nga talentet (e lindura, dhe ato të instaluara), nga inteligjenca, nga sjellja, nga veset pozitive psh. nga buzëqeshja, nga “spektro-ngjyrat” e zërit, nga prirjet e natyrshme (psh. lidhur me artet) dhe nga shumçka tjetër, detajet mund t’ishin të panumërta. Mirëpo asgjë nga këto s’do çonte peshë nëse hëpërhë ndonjëri detaj t’mos përputhej me shijen e “Valide-s”.

Gjatë shekujve dhe mund t’ketë patur raste të tilla të dhimbshme të zhgënjimit. Për fat të keq kronikat perandorake s’përmendin gjë në këtë drejtim. Sidoqoftë, kur Nëna e Sulltanit vendoste për favorizimin, thjesht e kryer, e gjitha çfarë ngelej për Sulltanin ishte vërtetimi i “ëmbëlsisë”, kaq : )
Aty-këtu gjatë historisë ndonjëra nga “favoritet” arrinte fuqi, respekt e autoritet, e edhe fuqi të qeverisjes, të bashkëqeverisjes, psh. Hurrem Sultan (Rokselana e Polonisë, konkubina e favorizuar e Sylejmanit. Dihet se dhe direktivat e Rokselanës ishin “vulat” vendimtare në çështjet e mëdha të bashkë-qeverisjes perandorake. Marrëdhënia e tyre qe thelluar e përparuar, aq sa ndoshta dhe qenë “dashuruar”, i patën dorëzuar zemrat me Sylejman e me Rokselanë.

Tingëllon aq njerëzore, aq e njerëzishme kjo, tingëllon normale, s’ka më bukur, s’ka më ëmbël se dashuria. Nga ana tjetër, vallë si mund të quhet “dashuri” kur fillimisht të kanë skllavëruar, në harem ke ardhur si skllave, të kanë shfrytëzuar në çdo aspekt të mundshëm të jetësores… jo vetëm psiko-shpirtërisht, por dhe fizikisht e seksualisht. Derisa pas vitesh e vitesh të skllavërisë psikologjisjet ngadalë mund t’jenë bërë dhallë, asimilim e turqizim total, who cares… pas viteve të skllavërisë vetiu do jetë “lodhur” zemra, do jenë topitur me ndjenja e me brenga.

Autoriteti më i madh në Harem ishte Nëna e Sulltanit (njihej si “Valide Sulltan”). Meqë aty jetonin dhe motrat, të gjithë të afërmit e Sulltanit, andaj sikur qe konsoliduar dhe përkryer një hierarki unike, gjithçka nën mbikqyrjen e “Valide-Sulltaneshës”. Në harem patjetër, por Nëna e Sulltanit ishte personi i dytë më i autorizuar në gjithë pallatin perandorak, kishte ndikim të madh tek Sulltani. Psh. gjatë luftrave, nëse Sulltani dhe Veziri i Madh (dora e djathtë e sovranit) duhej të shkonin në luftë, nëna do kujdesej për gjithçka, jo vetëm për Haremin por dhe për çështjet shtetërore.

Pallati perandorak Topkapi (ose më saktë “grumbull-kompleksi i pallateve”) ishte diç si labirint super-kompleks. Ishte zgjeruar e “arnuar” përgjat 4 shekujve, shpesh do ndryshohej planimetria, gjatë kohës aty-këtu dhe administratat e perandorisë do ishin sadopak “organike”, do pësonin ndryshime, numri i banorëve të haremit do rritej, do shtoheshin kthina e bujtinash, do ndodhnin dhe fatkeqësi e “kalamitete” (zjarre e dëmtime), do rindërtohej, do rinovohej nga lloj-lloj administratash të sulltanëve, sipas shijes e sipas radhës në pushtet.

Bie fjala, dihet se odajat private të Sulltanit (Muradit III) qenë projektuar e rregulluar nga vetë i madhi Mimar Sinani, arkitekti famoz dhe prestigjioz i perandorisë, nën emrin e të cilit dihet se mund të vargëzohen me dhjetra e qindra projekte, si perlat. Aq saktë s’i di askush mbase, por rreth 60 xhamia (ndokush nga studiusit thotë rreth 100 sosh), rreth 70 medrese, rreth 60 hamame (banjo), rreth 40 mausoleume (varre), rreth 40 pallate e vilash, rreth 10 ura… etj. Në aspektin arkitektonik dhe të arritjeve të kohës, secili projekt më madhështor se tjetri. Por kishte dhe nxënës (të cilët nën tutelën e tij do pavarësoheshin ngadalë, ama) dmth. si meritë dhe mjaft projekte tjera mund t’thuhet se i “takojnë” Mimar Siananit, ose dmth. markës, prestigjit, emrit të tij arkitektural. Si shembull, ndoshta në këtë kategori mund të futet “Xhamia Blu” etj., projekte të ngjashme.

Kishte ca përjashtime, aty-këtu ndër intervale të shkurtra kohore ndodhnin ndryshime, por Pallati Topkapi ishte “shtëpia” e gjithë sulltanëve osmanë, deri në mbretërimin e Abdulmexhidit I (1839-1860), periudhë prej afro 4 shekuj. Siç e përmendëm, me kalimin e viteve (e edhe të shekujve) kompleksi i pallateve do i nënshtrohej “evolucionit” të vazhdueshëm. Disa nga shkollarët shprehen se pallati ishte diç si “strukturë organike”, nuk ishte ndonjë ndërtesë e vetme masive (në traditën e madhështisë klasike perëndimore).

Ky pohim i tyre aq i saktë dhe i gjetur, saktësia mund të piketohet nga gjithkush, e sidomos nëse “shihen” kulmet e pallatit, e qartë se kishte arnime, e qartë se qenë shtuar oxhaçe dhe tyrli-lloj kupolash si këpurdhat. Fort e saktë se Topkapi qe adaptuar përgjatë kohës, ishte diç si strukturë organike, kurrë statike dhe do i pasqyronte stilet e shijet e shumë periudhave artistike. Por dhe do pajisej me mjaft njësi të pavarura ngjeshur me funksione dhe kërkesash individualiste të banorëve (dmth. të sulltanëve përgjatë shekujve, afërmendsh sipas qejfit të tyre, ata ishin boss-at).

Anise, sipas meje as pallati i Versajes nuk qe madhështor-izuar tek ashtu, me sa di unë s’qe bërë pallat grandioz me një hov “luigj-or”, me një frymë të tij.
Pra kompleksi madhështor i Stambollit e kishte dhe hapësirën private, haremin perandorak, hapësirë e ngopur me luksozitet dhe e optimizuar për nevojat e jetës perandorake. Në mënyrën e thjeshtë mund të thuhet se haremi ishte shtëpia private e Sulltanit (siç dhe ne duhet të kemi shtëpi, ok… ndokush pakëz më luksoze ama në thelb dhe vetë Shtëpia e Bardhë është shtëpi). Se Familja e ngushtë e Sulltanit jetonte aty, nëna, motrat, bashkëshortet e tyre, nipat, mbesat… etj, ndoshta gjithë rrezja farefisnore. E lehtë të thuhet se Haremi ishte krijuar si nevojë-kërkesë e jetës familjare perandorake, si nevojë-kërkesë e stilit të lartë, royalistik. Mbrohej me kujdes të jashtëzakonshëm dhe dallonte nga pjesët tjera të pallatit Topkapi, që lidheshin me administratën, me çështjet shtetërore perandorake.

Gjithçka në rregull, suitave perandorake ashtu-kështu u takon të jenë “perandorake”, në Dubai sot madhje dhe suitat e hoteleve e gëzojnë statusin “perandorak”. Mirëpo problemi sikur na “problematizohet” dhe ca më tepër, pasi aty jetonin dhe konkubinat, me qindra e qindra bukuroshe, zgjedhur siç ia thuhet me “kokallë”. Haremi (i emërtuar me ndihmën e termit arab “haram”) nënkuptonte paprekshmëri, madhështi, pastërti, fshehtësi, privatësi etj. siç e shohim, i vishen të gjitha atributet e dinjitetit familjar. Absolutisht në rregull, jo vetëm familjet e sulltanëve… por të gjitha familjet e kësaj bote janë të pastra dhe të shenjëta, është supozuar ta gëzojnë privatësinë dhe lumturinë absolute. Përputhet gjithçka, s’na çoroditet as logjika as vërtetësia.

Siç e ka cekur dhe Dr. Cimilli, haremi si koncept nuk gjendej vetëm në shtetet islame, dhe as vetëm në Perandorinë Osmane, por dhe ndër mbretëritë asiriane e bizantine etj. Dmth. nuk është se e patën “shpikur” sulltanët. Nëse perandorët e mbretërit qenë “caktuar” me vullnetin hyjnor që të sundonin mbi popujt (ashtu pati vendosur perëndia, Allahu, ishte normale që Luigjat e Francës të pandehnin se ishin vetë Dielli, se ishin diç si “Ra”… jo ai i Egjiptit të lashtë por i Francisë moderne, saudo-sheikët e Arabisë dhe sot e kësaj dite pandehin se vulat mbretërore u qenë dhuruar e bekuar nga Allahu), atëherë e lehtë ta “imagjinojmë” se gjithçka e kësaj bote ishte pronë e Sulltanit, gjithçka i takonte atij, secili shpirt, me mijëra e mijëra ushtarët e vrarë dhe ata të gjallë, gjithë “gjeneralët e vdekur të ushtrisë”, gjithë shpirtrat e perandorisë, secila rreze e diellit, secili detaj i universit. Përndryshe “haremi” do binte paksa në kundërshti me logjikën e thjeshtë ordinere të neve vdekatarëve (të njeriut të zakonshëm : )

Natyrisht, mizat s’duhet bërë buaj, s’shembet bota për 1 a 2 dashnore, sa për 2-3 konkubina mbase s’i shihen për të madhe askujt. Sa i përket hedonistikave dhe qejfeve, s’është se osmanët na qenkeshin aq origjinalë dhe as unikalë, pothuaj gjithçka të hedonistikave e patën “kopjuar” nga romakët. Kronikat e perandorisë s’e përmendin këtë detaj, por ndoshta ekzakt njësoj siç sot kinezët dinë të kopjojnë gjithçka, s’ka mjet dhe s’ka raketë që kinezët s’ditkan ta kopjojnë.

Edhe ata të perandorisë osemane i patën kopjuar të gjitha qejfet e Romës, të gjitha hedonistikat e botës – me kushtin e adaptimit skajshmërisht me muhamedanizmin, pra kishte vetëm 1 kusht rigozoz. Mirëpo sulltanët s’ishin budallenj as mendjelehtë, i mbanin gjërat fort sekret, askush s’duhej të kishte qasje në harem. Vetëm Kaligula dikur para mijëvjeçarësh, thuase na ishte çmendur, i bënte me ahengje, me festa e me orgji gjithçka publike. Madje, disa gjëra të historisë kaliguleske mund ta kenë frymëzuar dhe vetë Berluskonin modern. Tjetër se dhe për këtë detaj zyrtarët e politikave italiane shtiren sikur s’ditkan gjë : )

Shkurt, as Everesti as bota s’shemben për 2-3 gejsha, ama t’i mbash me qindra ngujuar në pallat, të të presin virgjërisht me vite, për të zgjedhur ti kur të të teket, qebesa ashtu s’qenë kujtuar as vetë Zeusat e mitologjikave, askush. Madje Zeusi mozomokeq, i përdorte të gjitha teknikat mashtrimtare, metamofogon sa i pandreqshëm aq dhe i pangopshëm, qe bërë gazi i botës, gazi i dy botëve (i kësaj… botës njerëzore, dhe i asaj të hyjnorëve), por s’qe kujtuar ashtu. Në Olimp, përveç gruas së tij Hera s’flinte kush, s’kishte as karrem as harem, madje ia kishte frikën Herës sa s’ka më. Xhelozia e saj ishte më e rrezikshme sa vetë rrufeja në duart e tij, thjesht do e ulte kokën, s’guxonte as gëk as mëk para saj.

Konkubinat e Sulltanit vinin nga gjithandej, nga katër skajet e perandorisë, me spektrin më të larmishëm etnik dhe të moshës, që nga vajzat adoleshente e deri tek zonjat e rënda, krye-zonjat. Duhej ardhur të reja në pallat sepse duhej të rriteshin e të piqeshin sa më ëmbëlsisht, sëpaku për 9 vite. Së bashku me personelin (stafin e punëtorëve dhe të shërbyesve të ndryshëm, pa të cilët makineria e pallatit perandorak, zor se do funksiononte, psh. inkluzivisht kuzhinierët), banorët e haremit mund t’arrinin mbi 1000 frymorë, kjo varej nga periudhat e ndryshme, përgjatë shekujve.

Konkubinat, zgjedhur me kujdes nga provincat e ndryshme të perandorisë, ishin nën mbikqyrjen apo administrimin direkt nga vetë Nëna e Sulltanit (Valide Sulltanesha). Derisa konkubinat mund t’thuhet (sadopak “poetikisht”) se ishin diç si zogj ekzotikë në kafaz, shpirtra të kulluar engjëjsh të pafajësisë tek cicërojnë me ëmbëlsi, e mgjithatë na imponohet imagjinata sikur gjithë ata 1000 shpirtra duhej frymuar për t’ia bërë sadopak qejfin fillimisht Valide-s, e pastaj nëse asaj t’i mbushej mendja, dhe vetë Sulltanit.

E thamë se Haremi (siç pandehte Sulltani dhe familjarët e tij) nënkuptonte paprekshmëri, madhështi, pastërti, fshehtësi, privatësi etj. i qenë veshur të gjitha atributet e dinjitetit familjar. Nganjëherë thuase vetë absurdi “kryqëzohej” me ndonjë absurd tjetër, thuase për t’u bërë absurd2 (në katror : ) Psh. fratricidi sulltanesk sikur e tejkalon absurdin e marrëzisë perandorake, dhe vetë absurdin e intrigës, çdo absurd të mbijetesës, të verbërisë.

Krahasuar me absurdin dhe me aktet e Sulltanit, Agripina e romakëve (nëna e Neros) padyshim do na dilte e shenjtë. Agripina qe marrë me “mbijetesën” perandorake fare ndryshe, fare denjësisht. Thjesht s’pati bërë asnjë mëkat. Do vdiste, vdiq… e saktë kjo, s’e mohon as historia, e vrau vetë i biri i saj, ama e ruajti pushtetin. Vetë ajo (pa intriga) e solli Neron në pushtet, e bekoi vetë vrastarin e vet, pa asnjë dredhi, pa asnjë tradhti, pa asnjë intrigë, 100% engjëllushë e pafajshme. Panumër shekuj para Sulltanit, e megjithatë Agripinë faqebardhë, i pati ujdisur ca komplote vrastare, i pati vrarë tinëz ca fatkeqë, nja 2-3 burrat e vet, ama s’pati qenë nevoja t’i vriste 19 vëllezër…

Ndërsa Sulltani, për ta ruajtur pushtetin dhe “pastërtinë” familjare (siç e koncepton haremi), gjoja si Padishah mund t’i vriste 19 vëllezër në pikë të ditës, në pikë të diellit a të dritës. Vëllezër të vërtetë, sepse froni cenohej nga vetë gjaku i vet. Pikërisht ashtu dhe pati bërë. E çfarë pastaj… ndoshta as që pati dëgjuar për Agripinën, ndoshta absurdi mund të zbutej me ndihmën e haremit, me ndihmën e qindra konkubinave. Më vonë do vinte “kafazi”, haremi do kishte odaja speciale të quajtura “kafaz”, ekzekutimi i vëllezërve do braktisej por s’është se qe lehtësuar pafatësia as vuajtja e të ngratëve.

Vetë Ibrahimi i “Çmendur” (si Sulltan) do ishte shembulli i Sulltanit të tmerruar, sulltan-pasojë e sulltanizmit të traumatizuar, sulltan-viktimë e çmendur në “kafaz”. Shkurt, e qartë, familje e madhe, më e madhja që ka njohur ndonjëherë historia e njerëzimit. Thjesht marramendje e privatësisë, e lumturisë, e shenjtërisë, e pastërtisë, e paprekshmërisë… për 4 shekuj me radhë. Haremi s’mund të prekej, madje as të shihej, 100% i paprekshëm dhe i padukshëm, as vetë dielli s’kishte qasje. Ama publiku patjetër se duhej të merrej me tragjedinë kombëtare të fratricidit, me ceremenoitë, me shpenzimet, me funeralet e 19 vëllezërve të Sulltanit. Sepse sëpaku ishte siguruar froni i tij, s’cenohej tutje as haremi as muharremi…

Dr. Cimilli e ka përmendur se Tursun Beu (një kronist në kohën e Sulltan Mehmed “Pushtuesit”) diku në kronikat e veta pati shkruar: “Nëse dielli në persisht t’mos i takonte gjinisë femërore, as vetë rrezeve të diellit s’u lejohej qasja në harem”. Ok, pakëz e “hijeshova”, e shtrembërova një grimë përkthimin sipas qejfit, por dmth. e qartë se restriksioni perandorak rreth-e-rrotull çështjeve të haremit ishte i jashtëzakonshëm.
| – – – v i j o n – – –