Haremi – Eunukët e Bardhë dhe ata të Zinj

(s. guraziu – ars poetica, sht 23)

(ngjitur: zonjë-police e haremit, kujdestare për “punët e brendshme” të grave të haremit, dhe djathtas oficerë të gardës së sulltanit – Octavian Dalvimart, Londër, 1802)

Eunuk = mashkull impotent, i kastruar (i tredhur) zakonisht në fazën e hershme të jetës, dhe që ka tejkaluar ndryshime të mëdha hormonale, mashkull me impotencë seksuale.

| – – – v i j i m – – –
Ndonjëherë (aty-këtu gjatë historisë 4-shekullore) numri i eunukëve mund t’ketë qenë mjaft i lartë, nga 800 deri 1000 eunukë (anise s’ka referenca dhe as kronikash 100% të sakta). S’duhet mohuar çudia, për 1 harem të vetëm, numër i madh rojash, çuditërisht i madh! Vetë s’e dimë si sqarohet, mund vetëm ta rishtrojmë pyetjen: vallë pse duhej një armadë eunukësh, një ushtri e kastruar?!

E kemi parasysh se jo të gjithë 800 eunukët do jenë angazhuar brenda një “turni të detyrës”, por vallë pse aq shume, pse një ushtri e kastruar, ç’duhej një ushtri rojtarësh të trajnuar dhe të rrezikshëm si komando! Ç’duhej një armadë komplet brenda oborrit me ca qindra gra! Hm, mjaft e çuditshme, thuase ves paranojak i sulltanëve!
Është fakt se haremi s’ishte një “hotel” i vogël, gjoja nja 50 dhoma luksoze me nga “5 yje” (aq mund t’i ketë sot dhe vetë Erdogan, dhe cilido President modern). Haremi i Topkapi i kishte më shumë se 400 dhoma dhe ruhej nga qindra eunukë. Ka burime që thonë se ndonjëherë kompleksi i haremit ruhej nga afro 800 eunukë, e edhe më shumë. Përgjegjësia e sigurisë, përgjegjësi parësor nën Vezirin për ruajtjen e haremit perandorak ishte Kizlar-Agai (Kızlarağası). Ky ishte diç si Krye-Kapedani i eunukëve, quhej dhe “Krye Eunuku i Zi”, kjo për shkak të origjinës nilotike të shumicës së tyre, dmth. meqë ishin zezakë me prejardhje nubiane.

Eunukët (si rojtarë të punësuar në harem) ishin skllevër nilotikë, supozuar me prejardhje diku nga regjionet në afërsi të Nilit, anise ata mund të ishin dhe nga tjera vise afrikane. Për shkak të pushtimit të Egjiptit në v. 1517, dhe të disa territoreve të Sudanit në vitet 1550, me zgjerimin dhe me shtrirjen e perandorisë në ato territore, kuptohet se sulltanët kishin tashmë qasje të lehtë. Karvanet e skllevërve dhe të tregtarëve atëbotë gravitonin e qarkullonin rregullisht nëpër ato rutash tregtare.

Mirëpo eunukët ndaheshin në dy “taborre”, sulltani s’kishte angazhuar vetëm aso të “errët”, haremi i kishte dhe eunukët e bardhë. Secili taborr e kishte kryekomandantin e vet, të lartë për nga rangu, sipri tyre ishte vetëm Veziri i Madh. Shih pra, ec e mos u çudit, thuase haremi na ishte ndonjë narko-kartelë e padëgjuar e Kolumbisë.
Qindra të “zinj” dhe qindra aso “bardhoshë” thuase për t’i ruajtur “amviset e dëshpëruara”, gratë e mërzitura të narko-bosave të rrezikshëm. Vërtet numër i madh rojash, qoftë dhe harem mbretëror (apo i sulltanëve, dmth. ekskluzivisht madhështor, qëllimisht dhe pa përjashtime, parajsë marramendëse). Shkurt e troç, e qartë se sulltanët asgjë s’e kanë lënë në xhepthin e rastësisë. Janë kujdesur që t’mos ketë surpriza as befasira, me kohë i kanë marrë masat e sigurisë për “femrat” e haremit.

Për neve të kohës sonë veset e Sulltanit përshfaqen jashtëzakonisht të çuditshme, qëkur vetëm femrat mund të jetonin brenda haremit, dmth. fjala ishte për mbrojtjen e tyre nga rreziku i jashtësisë. Fjala dhe e gjithë buja e garnizonit të eunukëve ishte për rrezikun e “invazionit” nga jashtë. Të gjithë meshkujt (jo vetëm ata të Stambollit por dhe të perandorisë) jetonin përjashta haremit. Asnjë mashkulli s’i lejohej hyrja brenda. S’ishin impotentë si eunukët, përkundrazi të shëndetshëm e funksionalë por 99% prej tyre madje s’e kishin as idenë mirëfilli se haremi ekzistonte. E vërtetë se kishin dëgjuar, e saktë kjo, flitej e përflitej gjithandej, mirëpo thashethemet janë thashetheme, vetë s’e kishin parë kurrë me sytë.

Edhe nëse ta dinin me siguri se ekzistonte, dhe se na qenkësh tundues, i mbushur me odaliskat marramendëse (diç ngjashëm si Hollivudi sot, apo dhe si dikur në kohën e Marilyn Monroe, ku për një puthje të paguajnë 1000 dollarë, ndërsa për shpirtin as 50 centë, Hollivud i ngjeshur me bukuroshesh fatlume, i mbushur me lloj-lloj shpirtrash “ekzotikë”) asgjë, s’është se do trazoheshin aq. Në përgjithësi njerëzia dhe meshkujt e Stambollit njiheshin për mirësjelljen dhe për xhentilesat, ishin fort xhentilmana, 100% çelebi. Burrat përveç mustaqeve shkëlqimtare e kishin dhe nderin, e kishin krenarinë dhe syrin plot “ujë në sy”, ashtu-kështu kishin respekt për femrat. Zor se do ta kërcënonin haremin, zor se do ta sulmonin, as nëse t’i mbante dyert hapur gjithë ditën.

Dihet se haremi ishte qëllimisht i izoluar, i fshehur, skajshmërisht i mbyllur, larg syve të publikut, kështu që për femrat e haremit kontakti me botën e jashtme ishte shumë i kufizuar. Justifikimi për izolimin kuptohet se përputhej me mendësinë e “sulltanizmit”, me atë të Islamit dhe me zyrtarizmin e Portës së Lartë. Për ta ruajtur privatësinë dhe shenjtërinë e Favoriteve, të Preferuarave, të Fatlume-Igballeve, të Kadinave (bashkëshorteve, dmth. të nënave të sulltanëve të ardhshëm) si dhe privatësinë haremit në përgjithësi, haremi mbahej i paarritshëm si për popullatën lokale ashtu dhe për të huajt. Zonjat e haremit kishin kontakte me botën e jashtme tepër rrallë dhe atë përmes shërbimit ndërmjetësues (shërbim special i pallatit, i pajisur me protokole e me kontroll rigoroz, me kujdes maksimal e me mbikqyrje).

Brenda mureve të haremit nevojitej një sistem i veçantë i “policimit”, një nivel autoritar solid dhe i pakompromis për të mbajtur rregullin dhe për t’i parandaluar grindjet. E veçanërisht nëse bëhet fjalë për një numër të madh femrash (herë 300, herë 400, herë 500 etj.) femra të kufizuara brenda rrezes së caktuar të lirisë dhe të qarkullimit. Andaj pallati i kishte “shpikur” shoqëruest përgjegjëse, një formë policeshash që duhej të kujdeseshin për rendin, për qetësinë e për harmoninë e haremit. Detyra e këtyre zonja-policeve interne ishte pra mjaft e ngjashme me atë të eunukëve, edhe këto ishin pajisur me privilegje e me autoritet, mund t’i ndëshkonin konkubinat e odaliskat.

Nëse rendi i brendshëm, nëse për “punët e brendshme” të haremit kujdeseshin vetë policeshat, armatosur me thupra fishkëlluese dhe djegëse, eventualisht për t’i ndëshkuar çapkëneshat që s’rrinin urt, atëherë përse duhej dhe një armadë eunukësh! Vallë nga çfarë kishte frikë Sulltani, pse i frikësohej aq shumë të “jashtmes”, jo vetëm 1-ri prej tyre por të gjithë varg e varg, gjatë shekujve!? Vallë pse duhej + një ushtri e kastruar?! Pa u çmendur s’e sulmon kush një kështjellë femrash. Deri sot s’ka ndodhur, historia s’njeh as dhe 1 shembull të izoluar, deri sot historia s’ka dëshmi për ndonjë çmenduri të tillë. Anise haremet më shumë janë diç si hotele, jo kështjella, mirëpo rrotulloje kah të duash, e padëgjuar të jetë pushtuar një hotel femrash.

Çfarë pandehte pra Sulltani, se mos ndokush ia pushtonte haremin për t’i dhunuar bukuroshet e akomoduara aty. Apo çfarë, mos vallë këtë pandehte ai. Diç e tillë s’ka ndodhur kurrë, sado “macho-shovinistë” t’kenë qenë burrat gjatë historisë, thjesht e kanë ruajtur dinjitetin, meshkujt e planetit s’ka rënë kurrë aq ulët.
Madje as vikingët s’qenë koritur, desh e patën tmerruar Evropën, aq të zotët për luftra, për plaçkitje, për llahtarizma e barbarizma. I zbarkonin plaçkat nga lundrat dhe suleshin si luanër, i vrisnin të gjithë burrat e luftës. Për burrat ishte nder të vriteshin dhe vetë, por sa për femrat qenë përmbajtur aq denjësisht. Askush nga fiset e lashta të Skandinavisë s’u mor me dhunimet, askush nga ato fiset “barbare” të Germanisë (siç i quanin romakët, gjoja këta na qenkeshin të qytetëruar, historia di t’jetë mjaft ironike : )

As ajo dyshja dinamike e Galisë, diç si “dynamic duo” e imagjinatës por Obeliksi dhe Asteriksi i bënin “lesh” romakët, i grushtosnin centurionët mozomokeq. Mirë ua bënin, u lumtë por as këta, ja që femrat s’i preknin. Pas grushtosjeve, shkundulloseshin paksa për ta shkundur pluhurin e betejës, uleshin e pushonin, e dredhonin mustakun, pinin verë me bukuroshet derisa deheshin, dhe pastaj vetëm i qafonin.

Kur është fjala për vese paranojake të sulltanëve thjesht s’ka shembuj as historia, faqet fare bosh, datat kronologjike të zbrazta. Aq poshtë sa ta “pushtonin” haremin e Sulltanit meshkujt e Stambollit s’do binin kurrë. Andaj si sqarohet frika e sulltanëve përgjatë 4-5 shekujve, si sqarohen eunukët e bardhë, si sqarohet ushtria nilotike e Nubisë, si sqarohen shpenzimet e mëdha për pagat, për akomodimin 4-shekullor të kësaj ushtrie “bardh-e-zi”, e po ashtu (si pikëçuditëse mëvete, e pavarur) pse historianët i shmangen kësaj teme, pse askush s’i përmend këto problematika, ose tepër rrallë… s’e kemi idenë : )
| – – – v i j o n – – –