Rrjedhja e sekreteve te historisë, fenomen aq i shtrenjtë!

(s. guraziu – ars poetica, t 23)

[ ngjitur: Paul Friedrich Meyerheim – “Circus Performance“, 1861 ]

Nganjëherë, si “ngushëllim” sadopak, gjërat e panjohura dhe mosdijet konkrete ndoshta mund t’i fusim në një thes të madh abstrakt. Psh. mund t’themi, ndoshta historia s’është gjë tjetër por diç si qiell ndërdimensional. Herë i bruztë, herë diç si plaf magjistarësh me xixëllima e me vizëllima. Natën jo errësirë absolute, ajo kupola jo bash zezonë, s’e kemi idenë si ushqehen yllësitë por dhe drita më e largët e universit ia del disi dhe vjen tek ne.

As ditën gjërat s’janë siç duket se janë, e harrojmë “relativizmin” nga secila anë, nga poshtë qielli na duket si saç, por dhe ky vetëm iluzion. E dimë se është kupolë e thellësisë, e paskajësisë, s’ka linearitet, s’është se “këputet”, as nuk fragmentizohet. E shohim mbi kokën tonë, e quajmë “qiell” por fjala është për një univers. Jemi ne ajo pika imcake që s’dimë si kapërthehet thellësia e paskajësisë.

Nganjëherë gjërat e historisë i mbajmë vetë sekret, ashtu na konvenon, ashtu na e dikton interesi. I djegim letrat, dokumentet, i zhdukim provat, faktet, gjurmët, gjithçka. Sulltanët për 400 vjet gjërat e haremit i mbajtën sekret, sipas tyre i kishin arsyet e veta, 100% të justifikueshme. Vallë si u justifikuaka t’i “mjegullosh” 4 shekuj të historisë, jo vetëm për qytetarët e kryeqytetit por për gjithë popujt e perandorisë!

Se mos vetëm ata. Kur Führer-i e kuptoi se ishte “fundi”, para se të ikte, njëra nga porositë apo diç si urdhër final i tij ishte që të shkatërroheshin, të digjeshin arkivat. Shih, do ikte në botën tjetër, e tani thuase dhe Führer-i ndjente “turp” të zbuloheshin marrëzitë, të dilnin në diell manipulimet, monstruozitetet e nazi-aparaturës.
Nganjëherë tjetër (mjaft shpesh) për një periudhë të caktuar të historisë mungojnë kronikat, për ndonjë segment kohor s’kemi dëshmi. Shpesh na humbin dëshmitë, librat, rrotullamat, na digjen bibliotekat, arkivat e Aleksandrisë, copëza dhe segmente të historisë na ngelin në errësirë. Sa e sa gjëra rreth Romës “romake” thjesht s’i dimë. Për shumë çështje madhore ato pak burime sa janë, ato pak libra që kanë shpëtuar, thjesht nuk mjaftojnë. Madje duhet thënë “u lumtë historianëve, pirolla u qoftë”, bukur mirë ia dalin me “arnimet”, me mbushje-vrimat, me konkluzat e me logjikat.

Historianët flasin për evente, për ngjarje, për hallkash kauzale të lidhura me dimensionin kohor. Mirëpo nëse i pyet “ç’është koha”, ç’është dimensioni kohor, thesht i rrudhin supet, o s’e dinë o shtiren sikur s’e dinë. Ç’është koha s’e dinë as shkencëtarët e lëmive tjera, as fizikanët as astronomët, as kozmologët, asnjë shkencëtar i kësaj bote, asnjë nobelist, asnjë kokë gjeniale e shkencave, për katër shekuj me radhë.

Imagjino, natyrisht se historianët do duhej ta dinin, e megjithatë janë të falur, s’ua sheh kush për të madhe. Nëse s’e dinte as vetë Ajnshtajni, më “mendjemadhi” i shkencës, atëherë si ta dinë historianët. Por as vetë kozmologët, kjo është ajo çudia e madhe, këta do duhej ta dinin patjetër. Këtyre koha u nevojitet më shumë se dhe vetë historianëve. Qëkur i janë rrekur vetë pafundësisë, vetë pamundësisë, thuase se dhe vetë askundësisë, misioni i tyre pothuaj diç si “mission impossible”, kanë vendosur ta kthejnë në shkencë gjithë universin.

Sa e sa verdhushkat i shpenzojnë për teleskopat, as nuk u dhimbsen as si mundon ndërgjegjia. Historianët desh plasin nga inati, ua kanë sa lakmi sa zili, krahasuar me shkencëtarët e qiellit këtyre s’u takojnë as ca thërmija. Kozmologët aq të zotët, se ku i gjejnë miliardat e taksapaguesve, i kanë ujdisur panumër kupolash rrotulluese, si këpurdha gjigante prej betoni, ndoshta janë me butona, një pullë klik dhe vëzzzz, rrotullohen gjithandej (vetëm bunkerët e xhaxhi-hoxhës dikur ishin statikë, s’lëviznin). E prapë ankohen, s’kanë kapacitet – thonë, nevojiten fonde tjera të pashtershme, u duhen madje dhe miliardat për raketat. Justifikohen se thjerrëzat e tokës i penguaka “orbita”, teleskopat duhet montuar patjetër diku në eter. Mundësisht sa më larg Diellit, diku në akullsinë e zezë.

Ka pothuaj gjysmë shekulli, me një Hubble të vetëm s’lanë gjë pa “shkapuritur”, me pluhnaja, me supernova e me vrimëzeza, i shpikin materiet e errta, i vërtisin galaktikat ndër gishtat si t’na ishin të leshta. Nga ana tjetër ende s’ditkan ç’është koha! Apo ndoshta dhe e dinë por e mbajnë sekret, donë t’i “eksploatojnë” dijet fillimisht për vete, t’i shfrytëzojnë mirë e mirë. Dijet e rralla gjithkush i mban për vete. E njeh bota dhe këtë fenomen, diç si “monopolizim” dijesh (ngjashëm siç universitetet që shtyhen mes vete, gjoja “konkurrencë” për mbijetesën, gjoja biznes i shëndetshëm, shtysë për ecje përpara, ose siç mbahen sekret fshehtësitë ushtarake, rreth armëve ende të padëgjuara të nëndetseve etj. etj).
Ca gjëra të avancuara na i ditkan në Harvard, ua servirin studentëve milionerë, atyre që i paguajnë shtrenjtë. Por ja që universitetet në Tokio, në Varshavë a në Tiranë për fat të keq me shkencat janë ende larg, me të njëjtat shkenca. Pa pa pa… dhe vetë e vërteta tani tingëllon si shaka. Shkencat dhe universitetet është supozuar t’na ishin të sinkronizuara, e jo ashtu.

Nëse e ditkan dhe e mbajnë sekret, kuptohet kjo do ishte diç tjetër. Mirëpo nëse vërtet s’e dinë, atëherë sa ironike po aq e dhimbshme. Vallë si mund të sqarosh ç’na qenka universi pa e ditur fillimisht ç’është koha! Vallë si mund t’i shpenzosh 99 miliardë për ta sqaruar historinë e universit, kur historianëve s’u ngelet as 1 miliard për t’i qartësuar sëpaku nja 3000 vjet të historisë njerëzore (ok, le t’jetë deri tek fillim-historia e egjiptasve të lashtë, se mos na shemben helbete piramidat, ngelim me gishta n’gojë akoma pa i qartësuar 3000 vjet dhe 300.000 luftrat që ky 3-mijëvjeçar i ngërthen).

Anise dhe historianët të papërmbajtshëm, shpesh përhumben nga entuziasmi, njësoj si kozmologët, njësoj si astrologët. Herë kërcejnë tek dhjetra milionë-vitet e dinosaurëve, e herë thuase me vite ngelin “kapur” për lulushin e faraonit Min. Vallë si mund të flasësh për miliarda vjet të “big-bangave”, si guxon t’i qasesh krijimit të universit… pa e ditur ende çështë koha! Herë thonë koha është dimension, herë thonë s’e dimë, herë thonë universi i ka 10 dimensione, herë s’janë të sigurtë sakaq i shtojnë, janë 26 – thonë.
Apo dhe okidoki, s’shembet bota, le ta dinë o mos ta dinë. Por e dhimbshme, del si padrejtësi që kozmologët ua bëjnë mjaft me hile historianëve. Vetë për vete i shpenzojnë 99 miliardë, ndërsa gjithë historianët së bashku, arkeologët, antropologët duhet të kënaqen me ca thërmija, s’u takon as 1 miliard. Padrejtësi e kulluar, hile aq e pahijshme. Dhe asnjëra palë ende s’e dinë ç’është koha, ose shtiren se nuk dinë. Natyrisht, as historianëve, as kozmologëve në Harvard s’ua prish kush qejfin : )

S’e dinte as Ajnshtajni i ngratë, edhe ai thjesht e tymoste llullën dhe spekulonte. I pati shkrepur ideja t’i lidhte dy dimensionet bashkë, t’i “bashkonte” gjoja kohën dhe hapësirën dhe t’i quante “kohëhapësirë”, thuase i duhej diç si pëlhurë kozmike për t’u vërtitur topthat. Njëherë tjetër, “e gjitha ç’nevojitet koha – pati thënë, është që t’mos ndodhë gjithçka njëkohësisht, në të njëjtë kohë”. Shihet qartë se i qe shmangur thelbit, s’është nevoja për mikroskop as për teleskop.

Në vend që t’na e sqaronte “ç’është koha”, thuase pati provuar ta kuptonte ai vetë për vete “ç’nevojitet koha”. Dy gjëra këto fare të ndryshme. Sqarimi i tij s’ishte ndihmë as për historianët as për kozmologët, por diç si klithmë e mosdijes, klithmë dëshpërimtare! Edhe historianët vetë e dinë, nëse eventet t’na ndodhnin grumbull në një “pikë” kohore afërmendsh se do bëheshin lëmsh, do nyjezoheshin e do ngatërroheshin mos pyet.

Jo pra, për fat të keq s’e kemi idenë ç’është koha, Mirëpo s’është se “këputet” historia, sepse s’ka si këputet koha, s’ka si “këputet” diç që ende s’e dimë as ç’është. E as nuk fragmentizohet – e fragmentizojmë ne vetë sepse na duhet për t’ia lehtësuar vetes sadopak kuptimin, për ta fashitur sadopak dhimbjen. Përndryshe historianët s’do kishin as shans, vallë si kapërthehet qielli komplet, i cili në fakt është diç si univers!

Gjatë historisë të gjithë ngulnin këmbë, të gjithë kishin të drejtë, librat e secilit mbret, secila perandori duke na shitur vërtetësi. Edhe Napoleoni kishte të drejtë, edhe Cesari, edhe Führer-i, Xhingis Khani edhe gjithkush, të gjithë të vërtetë. Vallë si përputhen me vërtetësinë miliona librat e historisë së njerëzimit!
Evropianët i shfarosen 2-3 kontinente, pothuaj i zhdukën indigjenët e 2 Amerikave, madje me armë biologjike, i shfarosen me sëmundje 3/4 e popullsisë indigjene, as Amazona e madhe s’i “lanë” mëkatet e portugezëve, të spanjollëve, të anglezve, të francezëve, e gjithë Evropa tregtonin me skllevër të një kontinenti tjetër dhe shkruanin libra. Secila fjalë e librave e vërtetë, sipas përspektivës së tyre, sipas historisë së tyre, çdo edicion bibliografik, natyrisht dëshmi e vërtetësisë. Apo dhe hiç më larg se “dje”, Putini në të drejtën e vet ia mësyu pushtimit të Ukrainës, sepse kishte të drejtë, gjithçka e vërtetë nga përspektiva e vet.

Le ta ketë Ukraina të vërtetën e vet, aq i bënte Putinit, të vërtetën e tij e përkrahu populli i madh i Rusisë, mbi 100 milionë njerëz ordinerë e intelektualë, të gjithë dinë t’i shoshisin të vërtetat. Nesër na serviren ndoshta vëllimet e ngjeshur me vërtetësi, tezat, doktoraturat publikuar nga universitetet e Moskës etj. Vallë a nuk jemi ne ajo pika imcake që s’dimë si kapërthehen as lart, as poshtë, as anash dimensionet e thellësisë. Vallë si racionalizohet pra gjithë materia marramendëse e historisë…

Nganjëherë kemi vërshim të dhënash për diç të historisë, i kemi plot alternativash të vërteta, kemi prova e info, kemi njohuri solide. Mund t’jetë interval kohor i ndriçuar për lakmi, a periudhë, mund t’jetë subjekt tematik. E prapë s’është se i dimë të gjitha. Madje as për të djeshmen e afërt, as për javën që kaloi si “afërsi” relative. Në kuptimin linear si kohëlinjë e kemi iluzionin e “regjistrimit” të gjithçkaje, e djeshmja ishte dje – sikur ia themi, jemi vetë ne “dëshmia” e së djeshmes. I gjithë planeti i lidhur në rrjet, rruzulli komplet, të gjithë jemi dëshmitarë të Putinit dhe të gjakdershjes në Ukrainë. E njohim historinë e së djeshmes, jemi ne vetë historia, dhe çfarë pastaj? Asgjë.

Sepse e dimë fort mirë, lineariteti i historisë s’është e gjitha, lineraitetin e quajmë kronologji dhe na ndihmon për datat, na ndihmon që eventet t’mos na bëhen “lëmsh” (siç pati aluduar Ajnshtajni). Mund t’i vargëzojmë deri dhe eventet e sekondave. E megjithatë po ashtu e dimë se hallkat e kauzalitetit “rrjedhin” a shtrihen shumëdimensionalisht. Realiteti nuk “influencohet” vetëm nga lineariteti kohor, por ndërdimensionalisht.

***
Rastisi, po merreshim me nje artikull rreth haremit, andaj sikur përputhet gjithçka. Haremi ishte aso shembulli i “maskimit” të historisë nga ne vetë. Nëse sot flasim për haremin e sulltanëve, thjesht jemi duke komentuar rreth një “fragmenti” retrospektiv. Haremi ishte qëllimisht i izoluar, skajshmërisht i mbyllur, larg syve të publikut, as vetë “rrezet e diellit s’kishin qasje mirëfilli”. Asgjë e perandorisë për shekuj të tërë s’ishte më e “mistershme”, ishte top-sekreti i perandorisë.

Nëse Amerika moderne (si perandori e fuqishme bashkëkohore) na i paska arkivat e NSA, bodrumet e CIA, fshehtësitë e Hënës, sekretet alienike, zonat misterioze si “Area 51” etj. (teoricienët kosnpirativë ngulin këmbë ka plot këso emrash e shkurtesash si lokacione top-sekrete), ja që në kohën e perandorisë osmane s’kishte fare sekrete, as top-sekrete, asnjë sekret, përveç haremit.

Sulltani thjesht s’kishte tjera sekrete që t’kujdesej për to, gjoja t’mos “rridhnin”. Asnjë fshehtësi, asnjë sekret perandorak s’mund të krahasaohej me haremin e shenjtë. Porta e Lartë, sado sublime në lartësinë e vet, s’kishte për çfarë të kujdesej më tepër se për haremin, universi s’kishte ndonjë sekret më të madh.

Nëse t’mendonim sipas mostrave bashkëkohore të sigurisë kombëtare, apo të “kërcënimit terrorist, kibernetik, alienik” etj. (panumër këso termash, siç jemi mësuar me zhargonin e së tashmes), pandehma jonë se rrjedhja e sekreteve perandorake do ta cenonte “sigurinë e perandorisë”, normale se na duket pandehmë e drejtë. Mirëpo s’mund të aplikohet një përsiatje e tillë, aq i bënte sulltanit, fare s’mërzitej sepse s’kishte sekrete. Sekreti i vetëm dhe e vetmja brengë e sulltanit, sekreti më madhor dhe më i shenjti i Portës së Lartë, më i madhi sekret i perandorisë përgjatë gjithë shekujve të ekzistencës së vet, ishte haremi. Sulltanëve thjesht më shumë u pëlqente të merreshin me virgjëreshat, s’kishin as CIA, as NSA, as Virginia,

Thjesht s’kishin gjë tjetër më të fshehtë. Ja pse dhe s’na shqitej ajo pikëpyetja me gjithë pikëçuditësen: vallë pse duhej një armadë eunukësh, një ushtri e kastruar?! Pse duhen 800-1000 eunukë për 300-400 vajza dhe gra, thuase fjala na qenkesh për ato Amazonat vrastare të mitologjisë, për ato luftaraket e pandreqshme! Sipas tezës sonë, vetë pyetja sikur i përgjigjej vetvetes. Meqë haremi ishte “familje odaliskash”, aferat familjare duhe mbajtur sekret, ashtu-kështu familja e shenjtë, nënkupton paprekshmëri, madhështi, fshehtësi, privatësi etj. Plot 400 vjet sekret i shenjtë. Natyrisht se mbajtja e sekreteve kushton, mjaft e kushtueshme për 4 shekuj me radhë “ushtria e kastruar”, apo jo.

Tani në kohën tonë, State Departmenti e besa dhe Pentagoni duhet të kujdesen që t’mos ketë “leaks në Wikileaks”, asnjë rrjedh-im, asgjë të rrjedhshme si sekret. Përndryshe mos pyet, pastaj katastrofa vetë, mozomokeq. Mirëmbajtja e të vërtetave të historisë tutje do kushtonte tepër shumë, shpenzimet për t’i “karantinuar” pasojat do rriteshin sipas koeficientit astronomik.

Ja pse amerikanët duhet t’i shpenzojnë me triliona që t’mos u rrjedhin sekretet. Sidomos kohët e fundit kur me vrapin teknologjik të marramendjes secilikush di t’i programojë virusat e butonat. Hakerat gjithandej në tregun e zi të “dark web” i shesin sekretet e marifetet. Ose dhe falas, “gratis” sekrete në dispozicion, për inat ua falin tipave si Julian Assange me atë Wiki-liksin famëkeq. Dhe vetëm një Wiki-liks aq shumë kokëdhimbje i solli Amerikës, një milion telashe, panumër telashe.

Gjithsesi, i cekëm këto Wiki-liksat sepse “segmentet e historisë” të lidhura. Historia thjesht diç si qiell i thellë mbi kokën tonë, s’është lineritet që “këputet”. E qartë se Wiki-liksat janë telashe të Amerikës moderne, janë probleme të botës moderne, të Evropës moderne, të historisë moderne. Deshëm shkurtazi që ta sjellim në pah se jo gjithë kohërat e historisë kishin sekrete.

Ishin mijëvjeçarë të fatlumësisë, as akadianët, babilonasit, as grekët, ilirët, vikingët, as romakët, as osmanët… s’kishin Wiki-liksa as sekrete. Vargëzoji perandoritë e njerëzimit varg e varg, s’do gjejmë sekrete, vetëm errësirë. Amerika moderne i shpenzon tani me triliona, babilonasit dikur asnjë shpenzim në këtë drejtim. I vetmi përjashtim do na dilte sulltani, por dhe ai e gjitha për çfarë pati shpenzuar ishte haremi, financimi i “ushtrisë së kastruar”.

Për fat të mirë tani historitë 100% origjinale, nuk kopjojmë gjë nga historirat “klasike”. Kjo mirë por ka dhe mangësi, psh. na grumbullohen sekretet, na imponohen shpenzimet astronomike për ruajtjen e tyre. Jemi avancuar në shumë drejtime, e saktë dhe kjo, i kemi shkencat, lloj-lloj shkencash, i kemi kozmologët, astrologët e madje dhe pseudo-shkencat janë përparuar çmendurisht. Tani s’e “shtrembërojmë” historinë, Putini thotë “Ukraina e sulmoi Rusinë e para, tankset tona janë kontra-ofenzivë”, Ukraina thotë “Rusia mozomokeq, Hitleri modern na sulmoi, Putini agresor…”. Të dyja historitë 100% origjinale, secila palë me sekretet e veta.

Ja që tani e dimë dhe vetë, s’na i shesin dot falsitetet, i gjithë rruzulli diç si “internet”, e dimë saktë, i njohim secilën palë. E vetmja gjë që e cenon historinë (për brezat që vijnë) mund t’jenë fenomenet e tilla si “wiki-liksat”! E qartë se të tilla “rrjedhjesh” përveç që i kullufisin miliardat e trilionat, mund të prishin shumçka sa i përket saktësive historike të ardhmërisë.