Nimfologjia greko-romake s’i ka punët dhe aq mirë!

(s. guraziu – ars poetica, t 23)

Shkencërisht, me gjuhën shkencore Galileo Galilei ishte astronomi i parë, shkencëtari i parë që do i studionte Plejadat me teleskopin e vet. Teleskopi ia pati mundësuar të zbulonte se nuk ishin “vetëm 7” yje, në sfondin e grupit yjor kishte dhe shumë yje tjerë më të “vegjël” e më të zbehtë. Vëzhgimet e tij, zbulimet e tij, një skicë të Plejadave ku i kishte skicuar plot 36 yje, do i publikonte në Lajmëtarin Yjor (Sidereus Nuncius) në v. 1610.

Me gjuhën e mitologjisë, në yllësinë e Taurusit, 9 yjet më të ndritshëm thuhet se janë “shtatë motrat” dhe prindërit e tyre, nimfat Steropa, Meropa, Elektra, Maia, Teigeta, Kelana, Alkiona, pranë të cilave shndrisin prindërit e tyre, babai Atlasi dhe nëna Plejona.

***
(ngjitur:
William-Adolphe Bouguereau (1825-1905) – “Plejada e Humbur”, 1884 (majtas,
dhe djathtas autorësi e dyfishtë, montazh i plejadës Meropa, nga unë në Photoshop dhe nga AI, nga Inteligjenca Artificiale me brushat e veta (Lexica – Stable Diffusion AI Engine : )

 

Pikturuar nga kryemjeshtri i Klasicizmit Akademik, Bouguereau, Yllka (Plejada) e Humbur, por dihet se fjala është për plejadën Meropa (meqë po ashtu dihet se Meropa ishte “plejada e humbur” – jo se pati “humbur” por nuk shihej, ose qe zbehur tepër nga pikëllimi). Dhe në sfondin e pikturës së tij, poshtë, shihen motrat e saj (6 plejadat tjera).

Nimfat ashtu-kështu ishin të bukura, Zeusi i pati kthyer në yje sepse Orioni qe dashuruar marrëzisht dhe i ndiqte gjithandej. Qenë lodhur e rraskapitur, duke u fshehur e duke ikur – askund s’i lente rehat. Madje ndjekja vazhdon dhe sot e kësaj dite, as atje lart në qiell s’ndalet duke i ndjekur. Fare afer tyre dhe ai me vizëllimat, bën dritë dhe vetë. E qartë se Orioni i ngratë s’kishte aspak “faj”, do dashurohej që ç’ke me të.

Artisti Bouguereau, me brushat e veta thotë se Meropa ishte e bardhë si dëbora. S’ishte as “esmere”, as një grimë e rrezitur në plazh dhe as e nuancuar (siç tani psh. nudistikat moderne pakashumë ashtu janë, piktorët modernë ashtu insistojnë). Greqia si dikur në lashtësi si tani s’ndalet me krenarinë, krenohet me plazhet veta, me bukuritë e veta. Me Shqipëri e me Greqi, zor se u afrohet kush për perlat e për bukurinë. S’ke si i shmangesh krenarisë me gjithë ata ishuj e me bukurinë mesdhetare.
Në rregull, dhe mund ta kuptojmë “klasicizmin”, ishte se ç’na ishte sepse ashtu ishte, nudo-bardhësia ishte në modë, secila epokë me shijet, me stilet dhe me modat e veta.

Mirëpo pse duhej yllkat fare nudo në qiell (artistikisht dmth) s’e kemi idenë. Apo ndoshta sepse “figuracioni nudistik piktural” kuptohej, përthithej më lehtë nga artdashësit, nga kritikët e artit etj etj. Apo ndoshta sepse Bouguereau vërtet i pikturonte “shpinat e femrave” si një maestro i paarritshëm. Askush s’mund t’i pikturonte “shpinat femërore” si ai. Se mos vetëm shpinat, dihet se mjeshtri francez ishte fort i zoti me brushat, në secilin drejtim, në të gjitha drejtimet e nudistikave : )

***
Gjithsesi, plejadave eventualisht do u kthehemi herë tjetër, por desha të shtoj dhe si vijon: mitologjia greko-romake s’i ka punët dhe aq mirë me sforcimet, me gjërat e “sforcuara”, me tepër shumë gjëra të ri-përsëritura, të kopjuara, të shtrembëruara, të shtuara, të ngatërruara… Psh. ka aq shuuuuuumë nimfa, panumërsia është numër i ekzagjeruar por fare lehtë mund t’jenë të “panumërta”. Aq shumë, garant të gjitha mitologjitë e tjera të njerëzimit s’kanë më shumë.

S’e kemi fjalën si “ankesë” për 3000 Oqeanidat, për 3000 vajzat e Oqeanit. Hesiodi i ngratë i pati “gjetur” gjithsej nja 40 emra të tyre, për asnjë Oqeanidë tjetër s’e kishte idenë. Dhe jo vetëm ai, asnjë autor, asnjë burim i lashtësisë që njeh e sotmja. Herë-herë emrat e tyre (të njëjtit autorë, të njëjtat burime) i ngatërrojnë me Nereidat, e padyshim dhe me Hesperidat (aq e lehtë, aq të ngatërrushme detajet mitologjike : )

Ndërsa pse duhej t’ishin 3000, pse Oqeani duhej t’i kishte pikërisht 3000 vajza, arsyen s’e “di” as vetë mitologjia. Dmth. situata e nimfologjisë greko-romake është mjaft serioze, s’është dhe aq për lakmi. Bëji grumbull të gjitha mitologjitë e rruzullit së bashku, aq e lehtë t’i kuptosh, as kokëdhimbje, as ngatërresa, as harresa.
Andaj propozoj (uroj propozimi të merret seriozisht : ) patjetër do duhej diç si nëndegë e mitologjisë me emrin “nimfologjia” (o ngjashëm, çfarëdo emri s’prish punë).

Pakashumë njësoj si në mjekësi, meqë ra fjala, ndahen degët e nëndegët, sepse vetëm ashtu njeriu ngelet me mendjen të pacenueshme. Përndryshe nëse t’mos “specializoheshin” fushat dhe disiplinat, materia marramendëse e shkencave të mjekësisë s’ka si kapërthehet. S’do vononte dhe gjithë studentët do ia fillonin me… ec e dije me çfarë, ndoshta me vesesh të çmendurisë. Do ia fillonin lloj-lloj simptomash të pashpjegueshme, simptoma të panjohur dhe për vetë mjekësinë.

Aty-këtu ndonjëri dhe ia del, do bëhej doktor mirëpo ec e dije me cilat pasoja, mbase do ishte arritje “çmendurisht”. Do bëhej aso doktori me flokët përpjetë, me flokë të “elektrifikuara”. Pothuaj ngjashëm si Ajnshtajni, (nuk është krahasim aq i saktë, por meqë s’kemi tjetër shembull), thua se tërë jetën ulur në ndonjë karrige elektrike : )

Shkurt e troç pa degët, pa ndarjet, pa specializimet mjekësia s’mund të kapërthehet as me mendjen, as me shkencën as me imagjinatën. Madje, secilën herë, vetëm ca vite tutje dhe degët rishtas duhet “ndarë e klasifikuar”, rishtas duhet nëndegët e reja. Sepse materia shkencore pandalë zgjerohet, prore volumizohet. Me çdosecilën ditë që kalon njohuritë duke u zgjeruaaaaaar drejt kuantifikimit të mirëfilltë.

S’desha që propozimi të tingëllojë tepër “alarmant”, por shpesh sikur them ekzaktësisht e “njëjta qasje” do duhej, njësoj si me mjekesinë do duhej dhe me mitologjinë. Koha është që nimfologjia greko-romake të ndahet si degë mëvete e mitologjisë.
Përndryshe mitologët e së ardhmës mund t’hetojnë simptoma serioze, lloj-lloj simptomash të pashpjegueshme : )