e-Violinat Stradivari, dhe ato të vërtetat

(s. guraziu – ars poetica, t 23)

…(kur bëhet fjalë për e-Violinat Stradivari) ekipi i instrumenteve elektronike e ka kapur bukurinë e përjetshme të instrumentit origjinal, në një hapësirë të pasur akustike duke i përdorur pajisjet inçizuese të cilësisë më të lartë, secila notë në secilin tel është artikuluar mjeshtërisht nga një mjeshtër-muzikant, dhe kështu jua mundëson ta përfshini tingullin autentik të violinës (Stradivari) në muzikën tuaj të ardhshme… [ e-Instruments by Native Instruments, Germany – © 2023 Native Instruments GmbH ]

…bukur, në fakt i njoh e-violinat, tekefundit e-violinat si alternativë na e ofrojnë sadopak “ngushëllim” – dihet se ato realet, violinat e markës “Stradivari” janë si të thuash aso “përnjëmend”, s’janë violina sa për t’thënë, janë instrumente serioze, janë të njohura për kualitetin dhe për mjeshtërinë e hollë, janë aq serioze sa kushtojnë nga 7-8 milionë $ deri 15-20 milionë $, thuhet se rreth 1000 sosh kanë mbijetuar (aso të vërteta, mjeshtruar dikur nga Antonio Stradivari), thuhet se dhe Andre Rieu (Johann Strauss Orchestra) i bie një violine të v. 1667, dmth. dhe ky e ka një violinë origjinale “Stradivarius”…

…sa kushton saktë violina e tij s’e di por e qartë se me miliona, çudi si nuk e “harron” ndokund, psh. ulet në park dhe e harron, nëse të ndodhte… dhe nëse t’kisha fat ta gjeja pikërisht unë, qebesa s’do ia ktheja, do i thosha “no… sorry por s’ta kthej, kështu sëpaku më “konsiderojnë” milioner, dhe do ma kenë zili mjaft nga muzikantët e mëdhenj” : )

…anise nuk ndahet nga violina, s’ka shans (padyshim e keni hetuar dhe ju), kurrë s’e lëshon nga dora, kur fle padyshim e mban nën jastëk, në koncert i bie sa i bie… dhe pastaj kur e dirigjon orkestrën e bën me një dorë (tjetra e zënë duke mbajtur violinën), Rieu është i vetmi dirigjent i botës që në vend të shkopthit… e përdor harkun e violinës, gjoja sikur na i paska shumë talente njëkohësisht, edhe dirigjent, edhe artist, edhe violinist, shtiret fort i zënë mirëpo s’i shitet, të gjithë e dinë, thjesht s’guxon të ndahet nga violina e vet : )