Plus 9 Muzat e kohës moderne, sipas Steve Lovelace!

SG – Ars Poetica, M 2014

[ ngjitur: Gösta Knochenhauer – “Muzat” (Muzeu i Antikiteteve Gustav III – Stockholm, Suedi) ]

Të gjithëve na janë të njohura pakashumë muzat klasike, ato janë 9 – Eutera, Kaliopa, Klia, Erata, Urania, Melpomena, Talia, Terpsihora, Polihimnia. Por sipas Steve Lovelace i kemi + 9 muza moderne, si psh. Emporia, Polistela, Tekna, Aleksia, Abaksia… etj.

Nëse muzat ekzistojnë, qoftë dhe si diç më shumë sesa funksione neurokimike në trurin tonë, atëherë ka shumë sosh. Mirëpo, për aq sa rrumbullakësojnë kategoritë e përgjithshme, mendoj se kaq është një fillim i mirë…” – kështu shprehet Lovelace, dhe ai aludon në 18 muza gjithsej, sipas tij kaq do ishin të mjaftueshme, 9 nga ato klasike dhe 9 muza moderne!

Sipas Steve Lovelace, psh. efektet vizuale filmike që si novacion erdhën “vonë”, në v. 1977, megjithatë frymëzohen nga Tekna, e njëjta muzë që e pati frymëzuar dikur Leonardo da Vinçin për “Mona Lizen” e vet. Mirëpo autori Lovelace e merr si shembull melodinë epike monumentale të John Williams në hapjen e Star Wars (Marshin Perandorak) – melodia duhet të jetë frymëzuar nga Eutera – thotë ai. Një ide aq e madhe si Star Wars është e “paracaktuar” të ketë frymëzime të gjithanshme dhe shumë Muza që vërtiten e “përzihen”, secila më e zonja se tjetra : )

Sipas mitologjisë së lashtë janë nëntë Muza që frymëzojnë të gjitha format e artit dhe të shkencës. Grekët e vjetër besonin se idetë e mëdha i sillnin muzat nga qielli. Ato ua sillnin idetë artistëve dhe shkencëtarëve, të cilët me anë të frymëzimit hyjnor, i realizonin ato ide qiellore poshtë në botën tonë, tokësore. Do doja të besoj se muzat me të vërtetë ekzistojnë, qoftë si perëndesha greko-romake, qoftë si engjëj të përrallave hebraiko-kristiane, apo dhe thjesht si ‘arketipe’ të Jungut. Në secilin rast, ka aq shumë për të thënë lidhur me personifikimin e potencialit krijues. Se muzat janë të rëndësishme, nuk ka aspak dyshim, por bota ka ndryshuar aq shumë që nga kohët e lashta. Me kaq shumë arte dhe shkenca në ditët e sotme, nëntë muzat e dikurshme thjesht s’janë të mjaftueshme.” – cituar nga shkrimi: “Muses for the Modern Age” 2012, Steve Lovelace.

Si qëndron pra puna me 9 muzat “fringo” të reja, bashkëkohore? Le t’i shohim me radhë, nga të vjetrat në të rejat, para se ta zgjerojmë panteonin, le t’i shohim fillimisht 9 muzat origjinale ose klasike.

( Erata ) – Erata përfaqëson poezinë lirike ose të dashurisë, është përshkruar apo paraqitur me një instrument muzikor të lashtë grek, të quajtur “kithara”. Sot ajo do të përfaqësonte komeditë romantike dhe historitë, novelistikën e dashurisë në përgjithësi. Ajo dhe sot do ta mbante një kitarë, dmth. versionin modern të një “kithara” – shkruan Lovelace.

( Eutera ) – Eutera është muza e këngës dhe e poezisë elegjiake. E përshkruar tradicionalisht me një instrument të quajtur “aulos”, sot ajo ndoshta do të paraqitej me një flautë moderne.

( Kaliopa ) – Kaliopa është muza e poezisë epike, ajo është paraqitur zakonisht me një tabelë shkrimi. Në epokën moderne, ajo përfaqëson epikat e çdo lloji të mundshëm, që nga romanet si Harry Potter, librat e vizatuar (stripet) si Batman dhe filmat e tillë si Star Wars – thotë Lovelace.

( Klia ) – Klia, zakonisht e përshkruar, paraqitur me fletushka (manuskripte) të mbledhura “rrotullama”, është muza e Historisë. Sot ajo do të përfaqësonte plus dokumentarët, gazetarinë dhe veprat jofiksionale në përgjithësi. Klia e kohës sonë padyshim do t’paraqitej me një kodik (një libër modern) në vend të manuskriptit.

( Urania ) – Urania tradicionalisht përfaqësonte Astronominë, dhe nëpër figura paraqitej duke mbajtur një glob dhe një kompas. Por sot ajo “do t’i përfaqësonte të gjitha shkencat e rënda, si Fizikën, Astronominë, Kiminë etj.” – shkruan Lovelace.

( Melpomena ) – Melpomena e përfaqëson Tragjedinë dhe paraqitet me një maskë tragjike. Roli i saj akoma është i njëjti, pak ka ndryshuar në dy mijëvjeçarët e fundit.

( Talia ) – Talia përfaqëson Komedinë dhe mban një maskë komike. Ashtu si Melpomena, roli i Talisë ka ndryshuar fare pak që nga kohët e lashta.

( Terpsihora ) – Terpsihora është muza e valleve dhe dansit. Ajo paraqitej me një lirë (një lloj qeste nga lashtësia), edhe pse sot ajo do ta mbante ndonjë harpë më moderne në duart.

( Polihimnia ) – Polihimnia, e parë shpesh me një vello dhe me një shprehje fytyre “gjoja e zhytur në mendime”, është muza e himneve dhe e shkrimeve të shenjta. Sot ajo njëjtë do t’i përfaqësonte shkrimet teologjike dhe veprat artistike eklastike (kishtare).

***
Lovelace vazhdon me nëntë muzat moderne të cilat na frymëzojnë, ose i përfaqësojnë artet dhe shkencat… që nuk “mbulohen” nga ato 9 muzat, jo “dekadente” por të vjetra, dhe jo të mjaftueshme për ta kapërthyer secilin frymëzim artistiko-shkencor : )

( Emporia ) – Emporia përfaqëson biznesin në përgjithësi, tregtinë dhe shkencat e ekonomisë. Shpesh e paraqitur ose përshkruar me një qese të vogël me florinj, sipas Lovelace, Emporia i ka frymëzuar të gjitha soj-e-llojet e kapitalistëve të kësaj bote, dhe të komunistëve po ashtu, që nga Rockefeller e deri te Karl Marksi.

( Polistela ) – Polistela përfaqëson skulpturën, arkitekturën dhe inxhinierinë. Ajo paraqitet me një çekan dhe daltë në duar. Polistela frymëzon çdo gjë që nga urat, statujat e deri tek kabinat e telefonit, pakashumë çdo gjë që është si diç e materializuar konkretisht dhe tredimensionale.

( Eufrenia ) – Eufrenia përfaqëson psikologjinë, antropologjinë dhe shkencat e tjera shoqërore. Ajo paraqitet me një trident të vogël (Ψ) në formën e shkronjës greke “psi”, shpesh ulur, në heshtje, duke i “parafytyruar” dhe duke persiatur për thellësitë e mendjes njerëzore.

( Tekna ) – Tekna është muza e pikturës, e fotografisë, dhe e kinematografisë. Ajo paraqitet me një brushë dhe një paletë ngjyrash.
Lovelace shkruan që, psh. dhe efektet vizuale filmike, që si novacion erdhën “vonë”, në v. 1977, megjithatë frymëzohen nga Tekna, e njëjta muzë që pati frymëzuar dikur Leonardo da Vinçin për “Mona Lizen” e vet. Mirëpo autori Lovelace e merr si shembull melodinë epike monumentale të John Williams në hapjen e Star Wars (Marshin Perandorak), në të njëjtën kohë – thot ai – melodia duhet të jetë frymëzuar nga Eutera. Një ide aq e madhe si Star Wars është e “paracaktuar” të ketë frymëzime të gjithanshme dhe shumë Muza që “përzihen”, secila më e zonja se tjetra : )

( Karakaksa ) – Karakaksa është muza e “cicërimave” të shkurta (postimet në Twitter psh.), muza e citateve, dhe e të gjitha gjërave “njërreshtore”, çdo gjë që është pakashumë e shkurtër dhe e ëmbël. Ajo do të përshkruhet ose paraqitet me një zogth të vogël (mbase bilbil) në supin e saj.

( Ikonofilia ) – Ikonofilia është muza e dizajnit grafik, e kaligrafisë dhe e tipografisë. Ajo gjithashtu i përfaqëson të gjithë ata që merren me disenjimin-projektimin e “interface” për programet (UI – User Interface) – dmth. këtu hyn dhe gjithë Interneti programatik, grafiko-vizual siç e njohim deri sot (shën. im, sg) Ikonofilia figurativisht paraqitet me një stilolaps dhe një t-katërkëndësh.

( Aleksia ) – Aleksia është muza e lidershipit dhe e politikës. Sipas Lovelace, ajo i ka frymëzuar disa prej udhëheqësve më të mëdhenj të historisë, nga udhëheqësit e kohës së luftrave si Abraham Lincoln, Winston Churchill, deri tek “pacifistët” si Mahatma Gandi dhe Martin Luther King. Aleksia paraqitet me një shkopth (staf), me një rruzull të artë në krye, që përfaqëson fuqinë e Apollonit.

( Zoa ) – Zoa është perëndesha e biologjisë dhe e shkencave të jetës. Ajo e ndihmon gjithsecilin që merret me mrekullitë e jetës, nga një kopshtar i thjeshtë e deri tek një shkencëtar i gjenetikës i cili “përzihet” në punët më të ndërlikuara, si psh. aminoacidet, ADN-të etj. Zoe përshkruhet ose paraqitet zakonisht me një shat të vogël kopshti dhe një kovë-ujitëse.

( Abaksia ) – Abaksia është muza e matematikës, e logjikës dhe e shkencave kompjuterike. Ajo është frymëzimi kryesor për programuesit e kompjuterëve dhe për “llogaritë” e thella shkencore-matematikore. Abaksia përshkruhet ose paraqitet me një numratore klasike (abakus).