Rreth mosmarrëveshjes 200-vjeçare greko-britanike!

S. Guraziu – Ars Poetica, N 2023 – Koment

(…Mr. Fuhreri e kuptoi që kulla Eifel ishte një “ngrehinë dekadente” në fakt, hekurishte e vjetër dhe fare s’i pëlqente, andaj sakaq i nxori vulat, ia dha Ambasadorit të Duçes “firmanin” për ta çmontuar Kullën…)

***
Siç dihet, mosmarrëveshja mes Greqisë dhe Britanisë rreth artefakteve-statujave të Partenonit nuk është nga “dje”, por është një mosmarrëveshje shekullore, jo më e shkurtër por 200-vjeçare.

T’mos merresh vesh për 200 vjet nuk është pak, për t’u konsideruar “pafajësi” historike, dështim i paqëllimshëm, përkundrazi. Siç “justifikohen” britanikët (siç qeveria e largon përgjegjësinë me rrudhje-supet e veta) i bie se Greqia duhet t’jetë e lumtur që Perandoria Osmane nuk ua shiti atëbotë gjithë Athinën, sa për vetëm statujat Greqia s’duhet madje as të bëzajë.

Kuptohet se Greqia zyrtare gjithmonë e ka hedhur poshtë nocionin se gjoja “fuqitë pushtuese na paskan autoritet edhe mbi trashëgiminë historike e kulturore” të popujve që i pushtojnë. Plaçkisin çfarë ia dalin, marrin sa marrin dhe automatikisht “plaçkat” bëhen të tyre, ngelen pronë e pushtuesve përgjithmonë. Është e saktë dhe e dhimbshme se plaçkat e vikingëve Britania kurrë s’ka mundur t’i rikuperojë as t’i kthejë.

Mirëpo koha e vikingëve dhe bashkëkohësia jonë është supozuar të ishin si “nata dhe dita” të dallueshme. Nocionin e sipërpërmendur për fat të mirë s’e përkrahë as BE-ja e avancuar dhe moderne, as Britania (Mbretëria e Bashkuar, si entitet politik), as UNESCO, dhe asnjë organizëm serioz i botës bashkëkohore. Qeveria greke e pati bërë kërkesën e parë zyrtare për kthimin e Mermereve të Partenonit në v. 1983, e cila kërkesë, siç dihet qe refuzuar nga britanikët.

Historia e di se Perandoria Osmane “kollitej” atëbotë ndër trevat e Ballkanit, pushtimi osman ishte tashmë disashekullor i gjatë. Ata e mbanin të pushtuar dhe Greqinë, edhe Shqipërinë, edhe… etj etj., patën synuar madje deri në Vjenë. Dhe zyrtarët osmanë, me ato veglat e tyre politike të kohës, me aq sa ishin avancuar “shkencat” politike të atëhershme, shpesh madje me aso “vesesh të errëta mesjetare”, pandehnin se kishin të drejtë ta shisnin trashëgiminë kulturore të trevave që i sundonin.

Mirëpo, të njëjtën gjë si “politikë kolonialiste” dhe të fitimprurjes me shitjen e trashëgimisë kultuorore-historike, nuk e përkrah mbase as Turqia moderne, as Evropa, as Britania… dhe as koha moderne në përgjithësi.

Krijohet përshtypja sikur “ironia” e së sotmes (rreth mosmarrëveshjes në fjalë) është pakashumë si vijon – nga njëra anë, sikur e tashmja e historisë, avancimet kulturore të Britanisë moderne, të Evropës në përgjithësi, e sidomos direktivat bashkëkohore të BE-së, asgjë e avancuar e së tanishmes nuk “pajtohet” me metodat politiko-kulturologjike të Mesjetës (respektivisht, me mendësinë otomaneske të asobotshme të shitjes së monumenteve të Athines). E tashmja, jo vetëm si histori zyrtare por qoftë dhe vetëm si koment në Twitter distancohet nga e “errëta” e Mesjetës…

Nga tjetra anë, për t’mos i cenuar interesat materiale të së tashmes, qeveria britanike thjesht i rrudhë supet, e largon gjoja “përgjegjësinë” duke u justifikuar se muzeumet britanike janë institucione jashtëqeveritare të pavarura. Thuase na qenkan “shtete” (ngjashëm… diç si Vatikani në mes të Romës) dhe se politikat e tyre ndaj shteteve tjera të Evropës, NUK janë përgjegjësi e qeverisë britanike ! Qeveria britanike ka pohuar dhe prore pohon se vendimet në lidhje me koleksionin e “Muzeut Britanik” na qenkan jashtë fushëveprimit ligjor të qeverisë.

Shih pra, nëse muzeumi t’ishte i imi (siç psh. janë dhe hotelet, fabrikat, a klubet futbollistike… pronë e pasanikëve të ndryshëm) del se fare lehtë dhe unë do i gjeja 1001 interesa për ta mbrojtur moskthimin e statujave, do i gjeja 1001 justifikime për t’mos ia kthyer mermeret Greqisë. Bukur kjo, do i mbroja interesat.

Por vallë sa do kisha të drejtë ndaj vetë historisë, si do ta justifikoja “dhunën kulturore” të së tashmes ndaj të së kaluarës së dhumshme, si histori kolonialiste dhe pushtimesh! Nëse “gjykimet” kolektive të organizmave ndërshtetëror s’na qenkan mbi gjykimet e një institucioni kulturor-komercial (ne kete rast qoftë dhe muzeum, si pronë e imja) atëherë si…

Muzeu Britanik justifikohet duke pohuar se zyrtaret osmanë ia dhanë dikur Ambasadorit Elgin lejen për “çmontimin e trashëgimisë kulturore të Greqisë”, për shitjen dhe për transportin drejt muzeumeve të Britanisë. Atij iu dha një leje speciale (firman – imagjino “firman”, jokorrupsioni dhe integriteti i osmanlinjëve atëbotë ishte 100% i garantuar) dhe gjatë viteve 1801 deri 1805, duke vepruar nën mbikëqyrjen e autoriteteve përkatëse (teksa po hanin bakllava-tullumba të ëmbla, dhe duke shkëmbyer batuta me personelin e ambasadës), Elgin i hoqi, i çmontoi rreth gjysmën e skulpturave të mbetura nga rrënojat e Partenonit.

Ai gjithashtu, nga autoritetet e “bakllavizuara” osmane e mori lejen shtesë-speciale për të çmontuar elemente tjera të shumta skulpturore dhe arkitekturore në Akropol. Meqë çmontimet e Akropolit grek iu shiten qeverisë britanike (shitje-pazarllëk nga vetë ambasadori britanik, dmth. ambasador pranë Qeverisë Kolonialiste-Osmaniste të asaj kohe), normale që i gjithë koleksioni i antikiteteve të Elgin u transportua në Britani.

Sidoqoftë, meqë gjithçka e veprimit ambasadorial të Elgin dukej e “dyshimtë”, veprimet e tij çmontuese-plaçkitëse të Akropolit u “hetuan” tërësisht nga një Komitet i Përzgjedhur Parlamentar në v. 1816. Komiteti i para 200 viteve zbuloi se çmontimet e Elgin ishin plotësisht të ligjshme (tekefundit… meqë Greqia ende s’kishte pushtet në Athinë, ende ishte nën pushtimin Osman, ende ishte diç si koloni – njësoj siç pati qenë dhe India e madhe koloni e jona).

Pra legjitimiteti i çmontimeve të Elgin u caktua përpara se skulpturat të bëheshin pjesë e koleksionit të Muzeut Britanik, me Aktin “politik” të Parlamentit. Tani na vjen keq… tani për fat të keq, i njëjti Parlament, 200 vjet më vonë s’mund të risjell asnjë akt-vendim për zhbërjen e çmontimeve dhe për ndreqje-gabimin historik të Ambasadorit Elgin.

Në fakt, ndoshta historianët do duhej ta interpretonin fare ndryshe historinë. Psh. të thonë se diplomati skocez Elgin, Shkëlqesia e Tij, Ambasadori jonë nuk e pati plaçkitur Greqinë… por vetë Perandorinë Osmane. E saktë se Elgin “çmontimet e veta të kulturës greke” ia shiti qeverisë britanike në v. 1816, por sipas tij dhe siç e pamë… sipas hetimeve zyrtare të Komitetit britanik 200 vjet më parë, gjithçka ishte në suaza të legjitimitetit.

Mrekullia vetë, le ta ironizojmë pra, ta bëjmë “pelim” pakëz cilëndo pjesë të historisë. Psh., Londra pati shpëtuar, çizmet naziste ngelen këndej Kanalit, por Mister Fuhreri e pushtoi gjithë Evropën e edhe Francën. Sipas tij pushtimi dhe “blick-suksesi” nazist duhej festuar, duhej cakërruar gotat e shampanjës, andaj papritur, pa ditur bota gjë, vendosi për një vizitë jo-zyrtare Parisit.

Pas shampanjës, gjatë shetisë e sipër me gjeneralët e vet, Mr. Fuhreri e kuptoi që kulla Eifel ishte një “ngrehinë dekadente” në fakt, hekurishte e vjetër dhe fare s’i pëlqente, ia zinte “dritën”, i bënte hije pjesës favorite të qyetit. Ra kulla Eifel dhe tutje asgjë e Parisit s’i pëlqente Fuhrerit. Andaj sakaq i nxori vulat, ia dha Ambasadorit të Duçes “firmanin” për ta çmontuar Kullën, dhe të gjitha monumentet e Francës. Mund të bënte ç’të donte me to, t’i shiste në tregun e zi a të bardhë, t’i transportonte në Romë, psh. t’i mbushte muzeumet e Romës, apo dhe t’i zbukuronte sheshet e Italisë, me 1 milion e 1 monumente franceze. Mrekullia vetë, firmani i Fuhrerit “firman”, dekreti dekret.

Apo më mirë… përmbyllje dhe keqardhje, sikur dhe vetë “ironizimi” i historisë tingëllon keq, s’na ndihmon gjë. Sundimi politik, ushtarak e qeveritar i ndonjë treve a vendi mund të vazhdojë… apo mund t’ketë mbaruar prej kohësh. Por mos vallë mendësia e “kolonizimit kulturor” ndaj botës ndoshta ende s’ka përfunduar. Historia vërtet s’mund të ndryshohet, s’është as nevoja sepse do na “çoroditej” vetë e tashmja dhe e ardhmja, mirëpo “gabimet” e historisë mund të korrigjohen sadopak. Me një grimë vullnet e konstruktivitet dëmet e së kaluarës mund të zbuten, plagët e vjetra mund të trajtohen-kurohen e të shërohen.