Problematika e “tëhuajësimit” (të shqiptarëve nëpër botë)

[ problematika e “tëhuajësimit” (të shqiptarëve nëpër botë) ]
(sg – ap, j 24)

…”krenohesh në rrjetin social, me rrjetin virtual të miqve vendas të saponjohur, ndërsa të njohurve prej një jete reale ti nuk u dërgon asnjë kartolinë të ngrirë reje” – Elida Buçpapaj

…autorja Elida Buçpapaj (Zvicër, Ch – drejtuese e portalit “VoAl”) e kishte postuar një poezi me 1 Janar, që ditën e parë të 2024, dhe duke qenë temë realistike po aq sa dhe e dhimbshme (sa i përket vërtetësisë)… ashtu pa të keq sikur m’u ngjall ajo “buzëqeshja e keqardhjes” (në kuptimin poetik) sepse m’u kujtua edhe unë e pata rrahur vjershërisht problematikën e “tëhuajësimit”, para mbi 20 vitesh tashmë… në v. 2002 : )

***

Linea Recta
Senad Guraziu, 2002

Zemra s’qenka rrumbullake
as katrore si trekëndëshi yt
gjeografinë e saj nuk e njeh
mendon pllakë e rrafshët
me veri, me jug… perëndim
pandeh borxh e kam
të të quaj Kolumbo, Amerigo
vetëm se 500 vjet më pas
sqepverdhë, pendëshkëlqyer
zogth shtegtar, pa kompas
paske zbarkuar dhe tash
je ndritësuar, ke kapërthyer
kupton se veshi i “demit të zi”
paska qenë lajthitje, marrëzi

Tash larg, explorer ambicioz…
provon të afrohesh, “just jump”
dhe je në gjendje ta lakosh
gjeografinë shpirtërore
mrekulli relative hapësinore
babaxhani kishte të drejtë
hapësira lakohet… deformohet
nga masa e trupave scriboman-ë

Mos tento, s’hyj në lojë
më lerë të qetë, largohu
ime zemër shtrihet “linea recta”
jashtë formulave tua, recetave
s’i njoh shpirtrat, simbiantët
kaptuar, mbërthyer në lakore
ti pushto, verbëro – mashtroji
gjithë mogulët, mediatikët
unë isha, jam dhe do mbetem
ku më takon, fare denjësisht
jokushtimisht, pa asnjë libër
anise degdisur, “state mobile”
çdo cep, gjeografi shpirtërore
do t’frymojë, do jetë gjallë
në mua, në secilën zemër…
dhe në zemrën e popullit tim.

[ Ngjitur: Gene Davis – Franklin’s Footpath, 1972 / Gene Davis gjatë punës në rrugën afër Muzeut të Artit në Filadelfia, në v. 1972 (Getty Images / Henry Groskinsky) ]

– – – më poshtë poezia e Znj. Buçpapaj, 1 Janar 2024 – – –

Çfarë do të tregosh!
January 1, 2024 – Poezi nga Elida Buçpapaj (VoAl)

Çfarë do të tregosh ?
Se je integruar
në vendin e huaj
që sapo e shkele
ku tu duk vetja
si aliene
apo si një bar i keq
që duhet
vetëm të shkulet

Do të tregosh
se u bëre banore
autoktone
dhe si provë të sigurt
më jep
se bashkë
u bëmë fare të huaja
kurrë të para ndonjëherë
krejt të panjohura
në kontinente të
ndryshme
pavarësisht
se kemi një jetë
bashkë
që nga fëmijëria
që kur erdhëm në këtë botë
kur apartamentet tona të vogla
i ndante
vetëm nje mur
nga ku dëgjoheshin
të kolliturat e gjysheve
dhe zënkat e prindërve

ndërsa tani që jeton
në një ishull reje të ngrirë
aty ku dimrat janë
mijra kilometrikë
aty ku retë ndërtojnë
mure betoni

ti krenohesh
në rrjetin social
me rrjetin virtual
të miqve vendas
të saponjohur
ndërsa të njohurve
prej një jete reale
ti nuk u dërgon
asnjë kartolinë
të ngrirë reje

2023