E tmerrshme të “vdesësh”, dhe s’mund të “ngjallesh” !

S. Guraziu – Ars Poetica, shk 2024 – Koment…

(… përkushtimi i disa kontributorëve në Wikipedia e tejkalon botëkuptimin tim, dhe bëhet diç si konfuzion, si absurd e si marramendje…)

Një piktor nga Prishtina, para 3-4 viteve, apo ndoshta 5-6 viteve (emri këtu tani s’ka aq rëndësi – fjala është për një mik) ma pati qarë hallin se dikush e kishte “shpallur” të vdekur në Wikipedia. I ngrati piktor, tashmë assesi ta gjente se ku duhej drejtuar për editimin e tekstit, apo dhe të fshirjes. I ishte bërë padrejtësi aq e madhe, tani i “vdekur”, pothuaj si ironi, nëse i vdekur s’ke si i ndryshon gjërat “post mortum”, sfidohen vetë ligjet e fizikës.

Natyrisht, absurd nëse të shpallin të “vdekur” në një enciklopedi ku lexojnë e gjithë bota. Jo “shpallje” në kuptimin si ndonjë nekrologji e dhimbshme (qoftë në gazetë a qoftë aso klasike, ngjitur në shtyllat e sheshit), por datëlindja dhe datëvdekja e biografisë (si fakte kyç) ashtu figuronin. Përndryshe biografitë shkruhen dhe për të gjallët, me dallimin datat biografike s’do duhej ta përmendin vitin e vdekjes.

Vetë nuk e pata parë (“vdekjen” e tij tekstuale) mirëpo i pata besuar mikut 100%. S’kishte arsye të trillonte gjërash kaq të pakuptimta (gjoja si shaka të e-mailit, për t’u “zbavitur” me habinë time). Kuptohet, frustrim i hidhur dhe i thartë, njëkohësisht. I thartë thuase nga ironia e zverdhur e absurdizmit. Tekstet në Wikipedia s’janë aso “fantazmagorike” por tekste reale, të vërteta. Mund t’jenë trillime, hamendësime, gënjeshtra… por janë tekste të njëmendta.

Andaj e dhimbshme t’jesh i gjallë, ta kuptosh gabimin e tekstit, ta lexosh datën e vdekjes tënde, por meqë i “vdekur” rishtas thuase përjeton vdekje, sepse s’di si rregullohet gabimi i tekstit. Thuase vërtet i vdekur, dhe tani si një fantazmë s’mund të bësh gjë!

Rreth kësaj historie, miku më pati treguar ashtu miqësisht, nëpërmjet emailit, më pati pyetur për “ndihmë”, për ndonjë ide a sugjerim. Mirëpo as vetë nuk di, as sot e kësaj dite s’e kam idenë kush i shkruan gjërat në Wikipedia (Shqip), kush i formulon, kush i verifikon, kush i kontrollon. Apo ndoshta secili për vete – sidoqoftë, e qartë se miku s’e pati shkruar vetë artikullin me datat e “vdekjes” së vet.

Dmth. e kisha keqardhjen, e kuptoja fort mirë “tragjikomedinë” e tekstit në Wikipedia, por s’pata ditur si t’i ndihmoj “mikut të vdekur”. Madje dhe për mua vetë do vlente e njëjta, do ngelesha si një “qyqe… a qyqan”, do ngelesha i vdekur. S’më pati vajtur mendja, nuk qesh kujtuar atëbotë t’i thosha… eh, i dashur mik, jo vetëm unë dhe ti por dhe kjo bota jonë di t’jetë qesharake, ku i dihet, thjesht provoje… kliko tek teksti ndoshta bëhet i editueshëm, dhe thjesht fshije “vdekjen tënde”. Jo, për fat të keq, s’pata ditur t’ia ofroja as dhe vetëm kaq, si sugjerim.

Për mua habia sikur ende vazhdon, jo vetëm për Wiki-Shqipen, por dhe për tjerat gjuhë. Kanë kaluar vite rreth “vdekjes” së mikut (siç jua rrëfeva më lart) por Wikipedia sikur prore duhet të ketë diç të “çuditshme”, thuase e pashtershme për çudirat. Bie fjala, vitin e kaluar po shkruaja një diç si koment lidhur me pop-këngëtaren Madonna (më duhej diç, tek blog-faqja personale). Disa detaje janë të rëndësishme, por njeriu s’ka si i mban mend një Everest me detaje, andaj u desh të konsultohesha me një tekst në Wikipedia.

Mirëpo, sikur u pendova për vizitën, m’u imponua ajo “gojëhapja” habitore, zbulova se faqja ishte skajshmërisht voluminoze. Për 1 subjekt të vetëm (që nuk e meriton atë volum, assesi.. no way), për 1 këngë të vetme të Madonna ma besoni se ishte shkruar 1 libër sa “lufta dhe paqja”, e pata shprehur habinë time:

“…s’e kush i shkruan tekstet në Wikipedia s’e kam idenë, por dhe vetëm faqja për këngën (e Madonna) “I Don’t Search I Find” (Nuk kërkoj, unë gjej) ishte voluminoze sa 1 libër i tërë. E qartë se përkushtimi i disa kontributorëve në Wikipedia e tejkalon botëkuptimin tim dhe bëhet diç si konfuzion, si absurd e si marramendje” : )