Naomi Shihab Nye – Fama

FAMA
Naomi Shihab Nye [ 1952, ShBA ]

Lumi është i famshëm
për peshqit.

Zëri i zhurmshëm është i famshëm
për qetësinë, që e dinte
se do ta trashëgonte tokën
përpara se ta thoshte kush.

Macja që dremitet në rrethojë
është e famshme për zogjtë
tek e shohin nga shtëpiza e zogjve.

Loti është i famshëm,
ashtu shkurtimisht, për faqen.

Ideja që e mbart në gji
është e famshme për gjirin tënd.

Çizmja është e famshme për tokën,
më e famshme se këpuca e zakonshme,
e cila është famoze vetëm për dyshemetë.

Fotografia e vjetër është e famshme
për atë që e ruan, dhe aspak
e famshme për atë që është fotografuar.

Dua t’jem e famshme për njerëzit
që buzëqeshin tek e kalojnë rrugën
këmbëzhagas, për fëmijët këmbëngulës
në radhët e ushqimores, e famshme
si dikush që ua kthen buzëqeshjen.

Dua t’jem e famshme ngjashëm
siç një makara është famoze,
ose si një vrimë kopseje,
jo sepse ka bërë diç spektakolare,
por sepse s’e harroi kurrë
rolin e vet çfarë mund të bënte.

– – –
© 1995 N. Sh. Nye – Burimi: Words Under the Words: Selected Poems ( Far Corner Books, 1995 ), via Poetry Foundation, USA
© për përkthimin S. Guraziu – Ars Poetica

– – –
(notë)
…mësova se poetja amerikane Naomi Shihab Nye pak kohë më parë qenka emëruar “Poet Laureat për të Rinjtë”, ky nderim i madh dhe i veçantë për poeten e mirënjohur është dmth. nga “Poetry Foundation”, ajo do t’shërbejë në afatin dy-vjeçar, 2019-21
(sguraziu)