Carl Frederik Holbech – Rrëmbimi i Proserpinasë, 1843

Carl Frederik Holbech (1811-1880) – Rrëmbimi i Proserpinasë, 1843

(s. guraziu – ars poetica, 2019 – koment, art klasik)
Në mitologjinë romake njihet si Proserpina, por në mitologjinë pararendëse greke (nga e cila kanë kopjuar romakët) fjala është për perëndeshën Persefona, e cila ishte vajzë e Zeusit dhe e motrës së vet, Demetra (pra ishte fëmijë i incestit hyjnor). Vajza e tyre Persefona qe rrëmbyer nga Hadesi dhe kushtimisht qe bërë gruaja e tij.

Tani e shohim Proserpinën në karrocën e Hadesit, rrëmbyer nga ai, e ngrata qe detyruar të bëhej dhe gruaja e tij. Anise (me diplomatikat e Olimpit) qe arritur njëfarëlloj “kompromisi” politik, kompromis mjaft kompleks, një kohë e kalonte tek ai, në pallatin e tij të “mbretërisë së të vdekurve”, pastaj ca muaj të vitit Proserpina kthehej në “botën e të gjallëve”).
Ndërsa, siç dihet, Hadesi ishte vëllai i Zeusit – Hadesi ishte zot i Nëntokës, zot i të vdekurve, “guvernator” i Hadesit, pasi ashtu quhej bota e të vdekurve, Hadesi ishte diç si emërtim eponimik, sipas emrit të tij quhej mbretëria e të vdekurve.

Dmth. Persefona qe dhunuar nga vetë xhaxhai i vet, nga Hadesi. E madje ca mito-versione thonë se Persefona qe dhunuar dhe nga Zeusi, nga babai i vet. Sepse dhunimet dhe incestet hyjnore të mitologjisë greke thjesht s’kishin as fund as mbarim… e ndoshta s’kishin as “kuptim”, por ja që ashtu i ruan mitologjia, s’kemi si i interpretojmë ndryshe por siç na janë servirur : )

Fjala ishte për gjeneratën e “Olimpikëve”, për zotat e Olimpit, të cilëve u printe Zeusi (ky ishte diç si “kryeministër” i Olimpit : ) Krye-zoti Zeus i i kishte 3 motra dhe 2 vëllezër – motrat e tij ishin Demetra, Hestia, dhe Hera, ndërsa vëllezërit ishin Hadesi dhe Poseidoni. Zeusi e pati dhunuar motrën e vet Hera, më pastaj siç e dimë, Hera do bëhej dhe gruaja e tij. Jo vetëm motrën Hera, e pati dhunuar dhe motrën tjetër Demetra. dhe siç e cekëm, si rezultat i dhunimit të perëndeshës Demetra pati ardhur në jetë Persefona.

Mirëpo se mos vetëm Zeusi… përveç Zeusit, edhe vëllai tjetër Poseidoni e ndiqte motrën Demetra për ta dhunuar. E ngrata, pati shpëtuar (për ca kohë) vetëm duke u maskuar, duke i ndryshuar format. Dihet se perënditë dhe perëndeshat ishin metamorfogonë shumë të zotët, mund ta merrnin cilëndo formë që u pëlqente. Por kot, sepse Poseidoni e pati kuptuar, do e zinte dhe do ta dhunonte.
E vetmja nga motrat që do i “shpëtonte” dhunimit vëllazëror në Olimp, e vetmja që do ngelej madje perëndeshë e virgjër, do ishte Hestia.