Hermann Steinfurth – Duke e ushqyer Jupiterin (Zeusin) e vogël

(s. guraziu – ars poetica, g 24 – pak fjalë, art klasik, mitologji)

– Hermann Steinfurth (1823-1880) – Duke e ushqyer Jupiterin (Zeusin) e vogël në malin Ida të Kretës, 1846

Në pikturën e Herman Steinfurth, në qendrën pikturale e shohim dhinë Amaltea dhe Zeusin e vogël (Jupiterin – ekuivalenti romak) duke thithur, si dhe rrotull plot figura të mitologjisë. Ndër to padyshim do jenë nimfat Ida, Oinoa, Adrastea, Amaltea etj.

Sipas Hesiodit, Kronosi i gëlltiste fëmijët e vet menjëherë sapo lindnin, sepse profecia e parashihte se fëmijët e tij do ta rrëzonin nga froni hyjnor, njësoj siç dhe ai vetë e pati rrëzuar babanë vet (“Teogonia” e Hesiodit e përshkruan origjinën dhe gjenealogjinë e hyjnorëve të mitologjisë greke).
Për ta shpëtuar Zeusin si foshnje, nëna perëndeshë Rea (motra e Kronosit dhe gruaja) e mashtroi Kronosin duke ia dhënë një gur të mbështjellur (që dukej si foshnjë) në vend të Zeusit. Perëndesha Rea pastaj ia dha Zeusin nimfës Adamantea për ta ushqyer. Ajo do kujdesej për Zeusin, e fshehur diku në një shpellë të Kretës (mbase Adamantea do jetë ndonjë epitet i Amaltea).

Përndryshe nimfa Amaltea nganjëherë përfaqësohet dhe si dhia që e ushqeu Zeusin e vogël në malin e Kretës Aigaion (Mali i Dhisë) – siç e shohim dhe në pikturën e Steinfurth. Sidoqoftë, sipas Apollodorit, Rea ia dha Zeusin jo nimfës Adamantea por nimfave Adrastea dhe Ida për ta ushqyer, dhe ato do e ushqenin me qumështin e dhisë Amaltea. Nimfat Ida dhe Adrastea (së bashku me nimfën Amaltea) ishin vajzat e perëndisë akuatike, Oqeanit.

Kur Zeusi qe rritur do ta shpërblente “dhinë” (nimfën Amaltea) duke e vendosur mes yjeve si yllësia “Capra”, e që do t’thotë thjesht “dhia”. Mirëpo Capra s’duhet ngatërruar me cjapin e detit, me Bricjapin e Zodiakut, i cili s’ka ndonjë lidhje me dhinë Amaltea.

Në kohën tonë moderne, Amaltea është njëra nga hënat e Jupiterit, planetit gjigant të sistemit tonë diellor, i cili dmth. e mban emrin e Zeusit (si ekuivaent romak, Jupiter). Hëna Amaltea qe zbuluar në v. 1892 dhe ishte hëna e re e Jupiterit që do zbulohej pas shekujsh, pasi nuk qe zbuluar asnjë satelit i Jupiterit që nga koha e hënave të Galileos (dmth. zbuluar nga Galileo Galilei në v. 1610 – Hënat e Galileos janë katër hënat më të mëdha të Jupiterit: Iona (ose Jona), Europa, Ganimedi dhe Kalistoja). Pra hëna e re e Jupiterit, Amaltea qe emëruar sipas nimfës mitologjike Amaltea, e cila siç sqaruam qe kujdesur për Zeusin (Jupiterin) e vogël.

– Foto e teleskopit James Webb (relativisht e re, shkrepur më 20 Gusht 2022) – aurorat e Jupiterit, shihen po ashtu Amaltea dhe Adrastea