Baballarët e “mëdhenj”, pas Xhingis Khanit

(Ramzesi II “kampion” i faraonëve të lashtë, Muradi III, “kampion” i haremit të Portës së Lartë)

[ – – – “Haremi – 100 fëmijët e sulltanit, dhe 1000 fëmijët e Xhingis Khanit” – S. Guraziu – Ars Poetica, Sht. 2023 – ekstrakt ]
Sulltan Muradi III do ishte babai më i “madh” i gjithë sulltanëve të Perandorisë Osmane. I “madh” në kuptimin baba i mbi 100 fëmijëve, sëpaku 103 thonë disa burime. Mirëpo, sado e famshme Porta e Lartë me haremin e vet, sado e fuqishme si perandori e si Topkapi, ja që as Sulltan Muradi s’mund të shtyhej me haremin e Xhingis Khanit të Mongolisë.

Ky i fundit në haremin e vet i mbante rreth 3000 konkubinash, dhe qe bërë baba i më shumë se 1000 fëmijëve. Në fakt fare lehtë gjithë sulltanët e otomanizmit mund t’kenë qenë “filizash” të Xhingis Khanit (anise historianët s’kanë prova “shkencore”). Pse? Epo, sepse… nëse për hiçgjë tjetër atëherë sepse gjithçka e “lidhur” me veset aziatike, me veset mongoloide. Thuhet se Xhingis Khani të gjitha femrat që i mbante në harem (shifra 100% të sakta s’kanë si na japin as shkollarët, por afro 3000 femra), të gjitha i konsideronte të “bukura”. Andaj dhe i mbante, afërmendsh… s’është se i “koleksiononte” shëmtaraçet e perandorisë, patjetër se të bukura do kenë qenë, secila më bukuroshe se tjetra. I mbante të gjitha, s’i bënte zemra punë që të ndahej nga to, t’i linte të shkonin, t’i lironte.

Sipas tezës sonë (shkollarët s’kanë si e përjashtojnë vërtetësinë eventuale të tezës sonë) meqë gjithçka e kalifateve, para sulltanëve kishte t’bënte me “historinë” aziatike, me sferën aziatike, me luftrat aziatike, me perandoritë aziatike, me veset aziatike, me haremet e me hanumet… dmth. gjithçka e lidhur me veset xhingiskaneske. Vetëm Xhingis Khani e kishte haremin aq të madh, vetëm ai i mbante afro 3000 gra, i vetmi ai në historinë e njerëzimit, s’ia kaloi kush as nuk iu afrua kush.

Edhe sulltan Muradi si kampion-sulltan, edhe Ramzesi i Madh… ngelen mbrapa Xhingis Khanit “dhjetëfish”. Muradi III krenohej me rekordin e Haremit të Portës së Lartë, 103 fëmijë, më i zoti nga gjithë sulltanët varg e varg. Për ta arritur Xhingis Khanin (si shembull, krahasim) sulltan Muradit do i duheshin sëpaku nja 10 jetë, dhe atë secilën herë të flinte me nga 100 hanume, dhe secilën herë asgjë t’mos dështonte, t’vinin në jetë nga 100 engjëj. Shkurt, Xhingis Khani ngelet “kategori” mëvete, ngelet i paarritshëm.

Edhe Ramzesi II si faraon po aq, rreth 100 fëmijë, rekord ky i faraonëve të lashtë. Madje dhe mbreti Saud (i Arabisë Saudite, djali i Ibn Saudit), jo mbret i lashtësisë por mbret modern i shek. XX, edhe ky asfare larg sulltanit as larg faraonit, si rezultat i haremit të vet, 52 djem dhe rreth 54 vajza, dmth. 100 e kusur.

Lidhur me fëmijët dhe me gratë e shumta, si diç mjaft e “veçantë” ndoshta duhet veçuar rasti i Ramzes faraonit. Siç e cekëm edhe Ramzesi II i Egiptit të lashtë i kishte mbi 100 fëmijë. Mirëpo jo të gjithë me 2 gra, as me 4 gra… as me ndonjë harem konkubinash, ngjashëm si Muradi i Portës së Lartë. Një pjesë të këtyre “100” fëmijëve Ramzesi do i sillte në jetë me “ndihmën” e 4 vajzave të veta.

Nefertari ishte e para “Grua e Madhe” e tij (Nefertari hyn në rangun e mbretëreshave të njohura, ngjashëm si Nefertiti, si Hatçepsut, si Kleopatra). Ajo ishte gruaja “favorite” me të cilën do i kishte 10 fëmijë. Gruaja tjetër ishte Isetnofret, historia thotë së bashku me Nefertarin Isetnofret ishte nga më të shquarat mbretëresha të Egjiptit të lashtë. Përndryshe Isetnofret do ishte dhe nëna e pasardhësit të Ramsesit të Madh, e Merneptahut.

Përveç këtyre dyjave, gjatë mbretërimit të vet Ramzesi II do i bënte “gra mbretërore” dhe 4 vajzat e veta, të cilat quheshin Bintanat, Meritamen, Nebetavi dhe Henutmire (për këtë të fundit, ndonjë burim thotë se mund t’ishte motra e tij, jo vajza – shkollarët s’janë të sigurtë). Po ashtu, Ramzesi i pati martuar dhe 2 vajzat e mbretit të hititëve, Hatusili III.

Pra me gjithsej 8 gra, gjysma e tyre duke qenë vetë vajzat e veta, Ramzesi do i kishte mbi 100 fëmijë. Do bëhej “kampion” i faraonëve të lashtë, njësoj sikur dhe Muradi III, “kampion” i haremit të Portës së Lartë.
[ – – – “Haremi – 100 fëmijët e sulltanit, dhe 1000 fëmijët e Xhingis Khanit” – S. Guraziu – Ars Poetica, Sht. 2023 – ekstrakt ]