Hiroshima dhe Nagasaki (Infografika) – “Projekti Manhattan”, dhe “Paranoja Mekarthiste”
(s. guraziu – ars poetica, g 2024 – pak fjalë)
…në kuadër të Pjesës 2 të shkrimit “Pendimi i Ajnshtajnit – Letra e tij, dhe Bombat Atomike të Shek. XX” [ publikuar nga unë gjatë Shkurtit 2024, dhe i cili mund të lexohet > këtu ] po i ngjes 2 infografika të Enc. Britannica lidhur me bombat hedhur në Hiroshima dhe Nagasaki, më 6 dhe 9 Gusht 1945 – Infografikat i thuktojnë faktet më të rëndësishme, faktet teknike dhe historike por dhe ofrojnë detaje ekzakte për viktimat e 2 bombardimeve të para atomike kryer nga njeriu, si dëshmi e si ta quaj… e “katastrofalizmit të verbër atomik” për herë të parë në historinë e njerëzimit, si rezultat i garës marramendëse atëbotë ndërmjet “shkencës dhe luftës”…
…udhëheqësi i “Programit Manhattan” fizikani Oppenheimer, e pati përdorur krahasimin me hindu-perëndeshën Vishnu, tek e merr formën me shumë krahë dhe thotë “tani jam vdekja, shkatërrimi i botëve”, sipas Oppenheimer atëbotë të gjithë të involvuarit rreth krijimit të bombave padyshim do e kenë “menduar” të njëjtën, pakashumë… në një mënyrë apo tjetër, meqë sipas tij përveç entuziasmit shkencor për avancimet teknologjike, në kokat e teknologëve dhe të shkencëtarëve padyshim do ketë patur dhe tjera “simptoma” të ndërgjegjes…
…sidoqoftë, siduket kokat e politikanëve s’kishin të tilla probleme, nëse ndokush do duhej t’kishte vdekur nga “ndërgjegjia” atëherë mbase do duhej t’ishte Presidenti Truman, çudi si pati mundur të flinte, thuase mendjen me gjithë zemrën i kishte bosh, totalisht… s’ndjente gjë, athua vallë si e zinte gjumi gjatë dekadave të mëpastajme të jetës, bie fjala Alfred Nobeli (i Nobelizmit) që shiste dhe shpikte dinamite desh pati dhënë shpirt nga “ndergjegjia”, tani ka 100 vjet duke u ndarë Nobela dhe miliona të pasurisë së tij, urojmë t’jetë “larë” sadopak ndërgjegjia andej udhës së amshimit, urojmë ta ketë gjetur qetësinë, sepse secili shpirt i kësaj bote e meriton qetësinë absolute dhe pa kushte…
…fizikani Oppenheimer do ishte kundër programit për ndërtimin e bombës hidrogjenike, sipas tij ishte e tmerrshme të ndërtohej një tekno-monstruozitet akoma më shkatërrues, njëmijë herë më shkatërrues se bomba që veç e kishin ndërtuar, vallë përdorimi i 2 monstruoziteteve të tilla në Japoni nuk e “mbushi mend” askend…
…e cila gjë, dmth. kundërshtimi i tij për “hidrogjenikat” do rezultonte në pezullimin e tij si i dyshuar t’jetë “spiun i komunistëve”, anise më vonë historia do i “ndreqte” gjërat rreth pafajësisë së tij, duke e sjellur gjithçka në vendin e vet…
…historia e Amerikës pothuaj “dhe i ka kërkuar falje” për absurdin siç e patën trajtuar gjatë erës së ashtuquajtur “McCarthyism” (gjatë paranojës së Mekarthizmit), e që ishte shtypje dhe persekutim i individëve të krahut të majtë politik, “Mekarthizmi” ishte një lloj “paranoje masive amerikane ndaj komunizmit”, ishte një fushatë e paparë deri atëherë që e përhapte frikën e ndikimit të supozuar komunist dhe të influencës sovjetike ndër institucionet amerikane, si dhe kuptohet, më e rrezikshmja dyshimi për spiunazhin sovjetik në ShBA gjatë fund-viteve 1940 deri 1950-at. Oppenheimer pati qenë viktimë direkte e “paranojes mekarthiste”…