(s. guraziu – ars poetica, t 2020 – humoreskë)
(…shqiptarët e kultivojnë dhe e eksploatojnë të kuqen ekstensivisht e pa mëshirë – e njëjta vlen dhe për të tjerët, e edhe për historinë… çudia vetë që Stalini dikur s’i pati bërë mustaqet të kuqe : )
(gjoja si foto-ilustrim për artikullin desha ta ngjes këtu një “ferrari”, aso kuq-e-zeze marramendëse, por hoqa dorë, sepse duhet kujdes, s’duhet trazuar zemra e askujt)
E kuqja botërisht njihet si një nga ngjyrat më simpatike, është diç si krenari e spektrit (ylberik). Simpatike, jo vetëm se gjoja universalisht na qenka “ngjyrë e dashurisë”, as jo për faktin që shqiptarët përveç si ngjyrë të “dashurisë” e kanë dhe si favorite të “patriotizmit”, edhe këto vlejnë, patjetër se vlejnë por në fakt ka dhe shumë arsye tjera rreth simpatisë. Dhe s’duhet mohuar, shqiptarët mjaft të privilegjuar, e kanë edhe=edhe, plus=plus, lum=lum, mpuç=mpuç etj. Andaj dhe janë fort të njohur për “eksploatimin e së kuqes”, e kultivojnë dhe e eksploatojnë pa mëshirë.
Pakashumë njësoj siç dhe francezët i kultivojnë aromat, olfaksionet, fragrancat, lulet industriale, trëndafilat e parfumerisë, i ndrydhin dhe i shfrytëzojnë lulet në shumë mënyra e alternativa. Edhe shqiptarët e 2-3 dekadave më të fundit i kanë përparuar shumë jo vetëm TV-reklamat dhe banderolat, por dhe TV-programaturat në përgjithësi; sa e sa Romeot e sa Xhulietat, sa e sa Shehrezadet e sa romancat, sa e sa telenovelat e sapuniadat, lloj-lloj amoriadash turke, derdhin lot lloj-lloj xhulietash orientale, natë për natë sapuniada të “lira”, me ditë e me net, me muaj e me vjet, lloj-lloj sentimentesh… sa e sa dridhje zemrash, sa e sa “tëk” e sa lotët, mos pyet.
Natyrisht që topiten zemrat e edhe mendja, i harron njeriu me mërzitje e me politika, e kuqja natyrisht se ndihmon të harrohen mjaft brenga. Sikur ndoshta që vlen dhe e kundërta, s’domend se ndokush merret dhe me rezistencën. Njeriu duhet t’jetë i çelikosur në zemër, përndryshe e mori lumi me ndjenjat, me sentimentet. Gjithandej ndjehet graviteti marramendës i së kuqes, rreth të kuqes. Panumër koncerte, secilën mbrëmje spektakolaritete, gravitojnë panumër buzëkuqe, panumër bileta e evente. Kohëve të fundit hesapet kulturore aq të avancuara, aq sa për inat… nëse t’jetë fjala për evente koncertale, ehuuu mund t’ia tregosh bërrylin dhe vetë “Euro-vizionit”.
Por sidomos duket theksuar dhe s’duhet harruar eksploatimin e së kuqes nëpër eventet politike. TV-pollavrat, revistat “rozë” dhe gazetat e partive… apo dhe le t’i harrojmë fare këto. Imagjinoje imagjinatën kreative të fansave me potencialin e së kuqes, imagjinoje kreativitetin për reklamat e partive, imagjinoji panumër postera, afishe e banderola, nisu nga Tirana ca km andej kah deti (1 autostradë të vetme ka andej kah Durrësi, s’e humb kush udhën, s’është nevoja të numrohen banderolat, dhe as posterat) dhe gjithçka do jetë e qartë kristal. Realisht s’i shkon mendja kujt as të shtyhet as të garojë, mirëpo sa i përket eksploatimit të së kuqes askush e hiç-kush mund t’shtyhet me shqiptarët, zor se mund të matet kush me ta.
Shtoja të kuqes pakëz të bardhë, vetëm pakëz, një grimë fare dhe hooop do kesh diç si “rozë e lehtë” – diç si devijim për trëndafilat e modernizmit, për trëndafilat e proletarizmit shqiptar. Gjithsesi, simpatia universale ndaj të kuqes s’ka t’bëjë vetëm me këto, kuptohet se ka panumër “faktorë” të tjerë, e thamë dhe atje lart. Bie fjala, dikur ajo Sovjet-Rusia e paskajshme krenohej me të kuqen si askush tjetër, si asnjë shtet tjetër i planetit. Çudia vetë që Stalini s’i pati bërë mustaqet të kuqe, kacagjelosej sa s’ka më, fryhej, krekosej gjithandej.
Apo se mos vetëm dikur… edhe sot psh. ajo Kina e madhe përskuqet si krenaroshe e prosperitetit ekonomik. Prore në paqe, e përqafuar me paqen, kuqaloshe paqësore e pandalshme. Edhe pse, nga ana tjetër, sikur ngelet diç e paqartë… se pse duhet e kuqja medoemos t’u “vishet” kinezëve s’e kam idenë mirëfilli. Dihet se tashmë janë dyzuar komunisto-kapitalizmi mirëpo nëpër hartat e botës Kina gjithmonë paraqitet e kuqe. As pse Sovjetët e patën zgjedhur dikur si ngjyrë favorite zor ta ketë kush idenë. Jo vetëm unë por ndoshta as historianët s’e dinë saktësisht, ndoshta as vetë kronistët e atij Ivanit të tmerrshëm (dmth. Carit t’parë të historisë).
Sidoqoftë, ashtu laikisht le t’themi se vetiu është diç si ngjyrë magjike-ylberike, afërmendsh nëse t’ishte ndonjë ngjyrë “antipatike” s’do e zgjedhte kush. E kuqja është ngjyra e zjarrit dhe e prushëzimit, ngjyrë e ngrohtësisë, e ndjenjave, ngjyrë e vrullit, e aktivitetit (jo vetëm “vullkanik” : ) ngjyrë e pasionit, e tërheqjes erotike, e seksualitetit, e dashurisë. Duke qenë dhe ngjyra e gjakut e kuqja simbolizon madje dhe vetë jetën. Historikisht konsiderohej si ngjyrë-simbolike e sakrificës, konsiderohet dhe sot e kësaj dite, njëkohësisht dhe si simbol i energjisë jetësore dhe i guximit.
Shkurt e troç, të gjithë frymorët e planetit e pëlqejnë. Përveç atyre që vuajnë nga fobia, kjo dhe kuptohet, të tillë dhe justifikohen – ka ca persona nuk ndjehen mirë me të kuqen. S’është ndonjë “shkencë” në vete, por në përgjithësi frika ndaj të kuqes njihet si eritrofobia. Përndryshe, pra nëse t’i kemi përjashtuar eritrofobët, padyshim të gjithë e pëlqejnë, pa përjashtime. E sidomos kur e kuqja kombinohet me të zezën, atëherë booo mos pyet, kaptivim total, e kuqja pastaj bëhet totalisht e parezistueshme.
Imagjinoje si shembull bukurinë e bukurusheve Ferrari, makinë marramendëse që e bën të “ndalojë” dhe vetë mendjen. Imagjinoje flamurin, sakaq sikur ngelesh pa frymëmarrjen, zemra ia fillon me rrahjet e forta sepse thuase harron të frymosh. Sepse mrekullia kuq-e-zi stopon gjithçka, pothuaj njësoj siç telenovelat dhe sapuniadat orientale e “stopojnë” kohën dhe i zbusin brengat politike të popullit, s’jemi duke thënë se na qenkan diç si “analgetikë” të vramendjes, por sepse kanë t’bëjnë me të kuqen, me dashurinë, me pasionin.
E përmendëm se ndokush merret dhe me rezistencën, të tillë besojnë se duhet t’jesh i fortë në zemër, përndryshe t’merr lumi me sentimentet. Mirëpo hm, ç’jam duke dërdëllitur tani… s’është as nevoja t’u rezistosh kuq-e-zezave, pse duhet rezistuar. Thuase medoemos u dashka rezistencë, lëre t’fluturojë imagjinata, krenarisë falja flatrat, kujtoje psh. krenarinë e valëvitjes së flamurit të partisë, buzëkuqin e të dashurës etj etj. Anise bën dhe totalisht ndryshe, psh. harroje fare Shqipërinë, ehuuu thuase vetëm shqiptarët ditkan me të kuqen, mësyja botës me krenarinë, bota ka panumër marramendjesh të kuqe, lloj-lloj kuqaloshesh marramendëse : )