Urime shkencës : )

(s. guraziu – ars poetica, sht 2024)

…aparati që shihet në foto kushton me miliarda (s’e kemi idenë aq saktë, por padyshim afër miliardave : ) hekura, magnete, kabllo ngjeshur si vetë marramendja, njihet si detektor i madh (e qartë se i madh, gjigant, e dëshmon dhe fotoja) njihet me emrin “Compact Muon Solenoid” (CMS) dhe është pjesë e Large Hadron Collider (LHC) – ndërsa për gjithë marramendjen kujdeset Laboratori Evropian i Fizikës Thërmijore CERN, Zvicër, e që dihet dmth. është “shtëpia” e Hadron-aparatit të Madh (LHC), rishtas e qartë se edhe LHC i madh, aparatet e shkencës moderne patjetër se janë mega-aparate dhe se kushtojnë “afër miliardave” : )

…fizika na mëson se ekzistojnë katër ndërveprime themelore, që janë baza e të gjitha bashkëveprimeve të njohura në natyrë. E këto janë 1 – forca gravitacionale, 2 – forca elektromagnetike, 3 – forca e fuqishme bërthamore, dhe 4 – e dobëta bërthamore (anise ka teori spekulative që kanë propozuar madje + një forcë të 5-të – mirëpo neve s’na duhet, e sidomos jo tani, do e mohojmë të “pestën”, do mjaftohemi me 4 sosh).

…nga kjo katërshe del që sëpaku 3 të fundit shkencëtarët i kuptojnë sadopak, i kuptojnë ligjet e universit (duhet theksuar që forca gravitacionale është përjashtim, ngelet misterioze, kryeneçe me misterin, i pëlqen të ngelet e panjohur), modeli standard i mekanikës kuantike na thotë që këto 3 forca themelore të fizikës që i njohim ndërmjetësohen nga bozonet, psh. për forcën elektromagnetike si ndërmjetësues i kemi fotonet – elektromagnetizmi i përdor fotonet për t’i shtyrë a tërhequr grimcat (që zotërojnë ngarkesë). Tutje, thuhet se bozonet W dhe Z ndërmjetësojnë për forcën e dobët bërthamore. Tutje thuhet se gluonet (psh. kuarket) ndërmjetësojnë për forcën e fuqishme bërthamore…

…bukur, në Shtator 2024 ky aparat e vërtetoi një diç shuuuuuuuuuumë të rëndësishme (pas analizave të eksperimentit të jashtëzakonshëm) e vërtetoi se masa e W-bozonit (dmth. ndërmjetësuesit për forcën e dobët bërthamore) është pikërisht “aq” sa i duhej shkencës të jetë, si parashikim i Modelit Standard, dhe se shkencëtarët si të thuash tashmë janë “çliruar”, për momentin janë duke festuar, duke i cakërruar gotat e shampanjes, pasi të dhënat e aparatit janë më të saktat e saktësisë shkencore, janë vetë fjala e fundit e saktësisë (jemi ende në Shtator, apo jo, sot 30 Shtator, dmth. fringo-saktësi, s’ka saktësi më fringo se kjo) – ndërsa kishte rezultate tjera, të aparateve të tjerë më të dobët, të dhënat e të cilëve (meqë të dobët, afërmendsh) nuk përputheshin me parapritjet e “standard-modelit” të grimcave – urime pra shkencës, madje do ishte e hijshme ta cakërrojmë dhe ne joshkencëtarët ndonjë gotë : )

…edhe pse “modeli standard” i fizikës së grimcave i ka disa boshllëqe të mëdha – thonë shkencëtarët, duke përfshirë gravitetin (sidomos graviteti booo ky s’është askund… veç e thamë më lart, mozomokeq, nuk përputhet me asgjë të derisotshme, me asnjë supozim, me asnjë parapritje), boshllëku i nënkupton + disa kontradikta serioze eksperimentale, e megjithatë është sistemi më i mirë shkencor që e kemi deri sot – sistem shkencor që përpiqet t’i përshkruajë përbërësit, forcat dhe reaksionet thërmijore, vetitë e konditat, bashkëveprimet e grimcave e të super-grimcave, si “blloqe ndërtimore” të materies universale…