(s. guraziu – ars poetica, t 2024 – koment)
TV-ja holandeze sonte ia “kushtoi” rreth gjysmë ore analizë dhe ekspertizë sulmit të Izraelit në Iran (madje redaksia e kishte gatitur dhe një pasqyrë rrteh historisë së marrëdhënieve, që nga kohët e vjetra me Persinë), sulm që me zhargonin ushtarako-politik do duhej “interpretuar” si përgjigje ndaj sulmit me raketa të Iranit, në fillim të Tetorit.
“Sulm-përgjigje”, sulm-revansh, përgjigje ushtarake, përgjigje e krenarisë etj. quaje si të duash, dhe TV-ja holandeze e kishte ftuar në studio një ekspert të madh, ekspert të mbrojtjes, i cili me pak fjalë, pasi ta pyesnin, do ta formulonte tendosjen izraelito-iraniane si dhe mundësinë e eskalimit të konfliktit në rajon. Bukur, kureshtarët, ata me qasjen “ushtarakisht” prapa TV-xhamave mund t’ngelin gojëhapur, ndokuj tjetër i “shuhet” kureshtia për gjërat që nuk i dinte etj. Ekspertët është supozuar t’i dinë gjërat më thellë, sepse atë punë kanë, prandaj dhe janë “ekspertë”, prandaj quhen ashtu.
Mirëpo në rastin tonë (nëse unë ta kisha një TV, jo se kam ambicje por sa për sonte dmth.), mua më duhej sonte ndonjë ekspert, super-ekspert për shmangien e luftrave, jo për ndezjen dhe as për “analizat” e luftrave. Unë s’do e kisha ftuar sonte asnjë ekspert “ushtarak”. Ajo kryesorja, fakti i thjeshtë që e dinë të gjithë, e di dhe unë si joekspert, është pakashumë si vijon: sulmoi atëherë Irani, tani ia ktheu Izraeli… uroj të ndalet me kaq. Pikë.
Sepse e thjeshtë është, s’na nevojiten fare ekspertizat ushtarake. Nëse bombat e raketat kthehen, nëse vazhdohet me krenarinë e me revanshimet, atëherë s’i kemi punët aspak mirë. Psh. bomba janë dhe bombat atomike, e tmerrshme, e pafalshme që atëherë i përdorën amerikanët, mirëpo meqë fjalën e kemi për temën e “revanshimit” atëherë sikur duhet thënë fat i maaadh që japonezët s’i patën atëbotë. Sipas filozofisë revanshuese, sikur t’i kishin patur atomikat, do shtrëngoheshin dhe ata t’ua kthenin amerikanëve me t’njëjtën “monedhë”, tekefundit dhe thjesht nga inati. Pastaj rishtas, mos pyet, gjeneralët amerikanë do na inatoseshin sa s’ka më, do ua kthenin me hidrogjenikat… me bombat shumëfish më të tmerrshme, apo ku ta dimë, e tmerrshme dhe vetëm imagjinata.
E qartë, ne lexuesit e lajmeve apo TV-shikuesit ordinerë s’jemi ekspertë, s’i dimë gjërat siç i dinë ekspertët e ftuar në TV, as si eksperti i mbrojtjes holandeze, as si ekspertët e mbrojtjes iraniane, as izraelite, as si panumër ekspertë dhe analistë të lartë të NATO-s, ekspertët është supozuar t’i dinë të gjitha detajet ushtarake.
Mirëpo ca detaje të vogla i dimë dhe ne shikuesit ordinerë të TV-së, e dimë shumë mirë madje: ti 1 grusht, ti më grushtos, s’jam boksier por gjaku nxehet nga inati, ta kthej dhe unë ndonjë të nxehtë. Ti më godet si “bambarder” qebesa do blej dhe unë ndonjë raketë (psh. Irani i pati blerë ca raketa të rrezikshme nga Rusia, atëbotë as ShBA, as Izraeli as askush s’qe ndjer mirë). Ti rishtas një shqelm, por dhe unë ta kthej, ti karatist por dhe unë shtirem Brus-Li, ti xhudist por kam dhe unë pak ujë në sy… s’ia them hiç me xhudot, mund t’bëhem gazi i botës por do shtirem dhe unë xhudist.
Etj. etj etj. dmth. “the point” (siç ia thonë amerikanët), nëse me gjithë mend e kemi t’ia nisim luftës atëherë tjetër gjë, por uroj që Irani t’mos revanshohet, ekspertët e Iranit më mirë të justifikohen me faktin se e dinin që Izraeli do sulmonte (ishte e pritshme, ashtu-kështu patën sulmuar me raketat dhe ata), se ishin përgatitur për sumin e Izraelit, se dëmet e sulmit izraelit ishin minimale, se s’ka nevojë për bujë të madhe… etj.
Ka plot akte diplomatike dhe panumër fjalë të matura për t’i shmangur luftrat, për t’i evituar katastrofat. Thjesht sepse nëse vazhdohet me revanshimet, atëherë sikur rishtas na imponohet ajo frika si më lart, imagjinata; çfarë nëse japonezët atëbotë t’i kishin patur dhe ata “bombat”… çfarë nëse t’ishte vazhduar me revanshime etj. etj., e tmerrshme dhe vetëm imagjinata.