Jemi harrestarë, mirëpo ç’pati hequr Skënderbeu, mos pyet !

(s. guraziu – ars poetica, t 2024 – koment)

Ndër trevat shqiptare, gjithandej, ka mjaft gjëra interesante që i kanë mbijetuar shekujt e mijëvjeçarët, objekte që i kanë rezistuar kohës, mirëpo, për fat të keq, s’dihet saktë për to, për shumë gjëra kyç në fakt nuk dihet asgjë.

Psh. Ura e Vjetër e Gurit, e Vushtrrisë, vërtet objekt madhështor. Lidhur me vjetërsinë e urës ka opinione sa të duash, ka versione të ndryshme, ide të ndryshme. Optimistët thonë se dominojnë mendimet sipas të cilave është ndërtuar në kohën e Perandorisë Osmane, apo ndoshta dhe më herët në kohën e Perandorisë Romake.
Shih pra, ndërsa dihet që mes kohës së Perandorisë Osmane dhe asaj Romake nuk ishin thjesht ca dekada “ndërmjet” por me shekuj e shekuj. Të Romës “perëndimore”, sepse ata patën qenë andej, s’e kemi fjalën për Bizantin. Si është e mundur t’jenë zhdukur kronikat ballkanike të dhjetra shekujve dhe të mijëvejçarëve – qëkur Lindja gjallonte, ishte fakt dmth. si “mbijetesë” e Romës!

E qartë, thuase dikush i “errërsirës” është impenjuar, është kujdesur sistematikisht për shekuj e shekuj që të zhduket gjithçka në këtë drejtim. Tani dihet për çdosecilin akuadukt madhështor, për secilën urë e për secilën kullë (gjermanët madje i ruajnë dhe ato pontonike, dhe ato të drunjtat, gjithçka), gjithandej skajeve të pafund të perandorisë dihet për secilën “Egnatia” të Romës, për secilën udhë, për secilën urë.

Mirëpo thuase “shkencat” e 2000 viteve ballkanike, regjistrat, kronikat e fuqive që e kanë sunduar rajonin e Ballkanit, e ruajnë historinë e Manastirit të Deçanit me të gjitha kronikat e rrotullamat, por thuase janë përpjekur me shekuj e mijëvjeçarë që gjithçka tjetër e trevave shqiptare të ngelet në mjegullnajë, e mbuluar me plafin e zi të harresës.

Apo pse t’mos thuhet troç e shqip, pse t’mos shkapuritet bërthama akoma më thellë në thelb; shqiptarët e Shqipërisë sot madje s’e kanë idenë mirëfilli as për “zanafillën” e vetë Tiranës komplet, të atij mega-shehrit si Kryeqytet, të Kryeqyetit të shtetit modern, të Zemrës urbane shqiptare, të Kryeqendrës artistike, ekonomike, kulturore… ehuuu ç’jam duke dërdëllitur tani, të gjithçkaje të shqiptarisë! Gjysma e popullsisë shqiptare jeton në Tiranë – andej gravitojnë dhe ajo gjysma tjetër e shqiptarëve të “provincave”.

Vallë a nuk është për t’u “çuditur sa e paturpshme” ishte thundërzeza e perandorisë osmane kur bëhet fjalë për vilajetet dhe trevat e shqiptarëve?!
Dhe prapë askush as gëk as mëk, përveç opinione e thashetheme, mirëpo shkencërisht s’ndjehet i gjallë kush, as Akademi, as universitet as askush, shtiremi shkencëtarë të zotët dhe arkeologë, shtiremi historianë por ku janë. Thuase “gjysma” e shqiptarëve akoma pas çallmave, tullumbave, bakllavave, hanumeve. Booo, mirë që vetëm të hutuar pas ëmbëlsirave turke, duhet ta ndiejmë veten fatlumë.

Nëse dihet që për 4-5 shekuj thundërzeza e çallmave na i ndaloi me diell, me dritë, me germa e me gjuhë, tani s’domend, sipas tyre duhet thënë “rahmetullaaaah” lum e lum që shqiptarët s’e shpallen veten “gjysmë-turq” or something. Si duket Qemali i madh, erdhi nga andej, u kthye por s’pati dhënë ndonjë shenjë – s’e bëri ai, heshti Shqipëria mbarë, s’e bëri të madhe kush. Njerëzia u rrekën pas ngushëllimit, pas mëkëmbjes, pas gjallimit, iu kthyen patriotizmit, nisën t’i kujtojnë vështirësitë e shekujve, uaaa ç’pati hequr Skënderbeu dikur, habiteshin, s’e kapërthenin dot : )

Nuk dihet saktësisht se kur lumi Sitnica ka ndërruar rrjedhën dhe nuk kalon më nën Urën e Gurit – thonë “shkencat” kosovare të së sotmes. Por dihet që ka sëpaku 2 shekuj që kjo Urë e Gurit ka mbetur pa lumin e vet, dhe si e tillë bëhet rast i rrallë në botë, bëhet Ura pa lumë. Uaaa… diç si mrekulli, “Lumë i Vdekur” do thoshte Jakov Xoxa, vetëm 2 shekuj dhe s’mbajkan mend shqiptarët asgjë!

U bë pothuaj gjsymëshekulli unë vetë s’jam në vendlindje dhe sikur s’ka ndryshuar “asgjë” e atjeshme, sa për 1 autostradë dhe sheshin e rrotulluar të Tiranës, qebesa këto shihen dhe nga sateliti, tashmë gjithçka regjsitrohet dhe në memorien e satelitëve të orbitës, s’do koment. Për sa më takon e historisë, për gjysmëshekullin tim mbaj mend gjithçka. Si t’mos e mbaja mend, bie fjala eventin fiktiv, kur Lana ia pati bër “mac” Tiranës, si ndonjë dhelpër-përrockë dinake duke u zhdukur, a duke e anashkaluar, për inat. Si t’mos e mbaja mend Tiranën e thatë, të ngelur pa lumë e pa freskinë. Ndërsa andej në Kosovë, vallë si na qenkan bërë shqiptarët “harrestarë” pas vetëm 2 shekujve… ec e mos u çudit.

Mirëpo, për fat të mirë, disa gjëra dhe nuk harrohen, shqiptarët i kanë ca mbamenje specifike, kur u teket, kur t’ndjehen vullnetmirë. Dikur, në të kaluarën jo dhe aq të largët, ekzistonte besimi a miti se prekja e gurëve të kësaj ure, u falte shëndet dhe harmoni në jetën bashkëshortore. Prandaj të sapomartuarit, bashkëshortët e rinj na paskeshin vajtur ta bënin betimin e tyre për dashuri.

Askund tjetër, por duke i prekur gurët e Urës së Gurit bekohej dashuria e shqiptarëve dhe gjithçka e lumturisë së çifteve. Urojmë ta kenë festuar daçulinë dhe me ndonjë puthje tinëz, mpuuuç, aty në hijen e harqeve s’do i shihte kush, do ishin rehat për cilëndo amoriadë-aventurë. Sa për të tjerat, harroji të tjerat, le t’ngelet “lumë i vdekur”, “urë pa histori”, herë quaje kryevepër e otomanëve herë e romakëve, herë who cares : (