(s. guraziu – ars poetica, n 24)
[ ngjitur: Robert Lewis – Plani për hedhjen e Bombës Atomike në Hiroshima, 1945 – Lewis ishte ndihmës-piloti i bombarderit B29, ishte pjesëtar i ekuipazhit që do e hidhnin bombën e parë aromike në Hiroshima ]
Gjatë jetës, sa herë jam marrë me historinë (dhe meqë historia për mua është thjesht “lexim”, s’kam pretenduar kurrë diç ndryshe), kur është fjala për programet atomike, kur është fjala për shpërthimet nukleare, për testimet me hidrogjenikat, për testimet me termo-nuklearizmat, kur është fjala për qasjet paranojake të superfuqive lidhur me atomikat, lidhur me kërcënimet e me politikat e “luftës së ftohtë”, lidhur me arsenalet e tyre bërthamore, sikur gjithmonë jam ndjerë keq, si ndonjë “kalama” i romaneve, si ndonjë personazh fiktiv që i janë shembur idealizmat e fantazisë fëmijërore, dhe tashmë i pikëlluar.
Sikur gjithmonë jam ndjerë “naivisht i zhgënyer” që historia s’e pati përdorur ndonjë skenar tjetër të realitetit. Në kuptimin që t’u kishin dështuar “sukseset” : ) sipas meje duhej t’u kishin dështuar të gjitha impenjimet lidhur me atomikat dhe me programet e tmerrshme ushtarake. Meqë për realitetin nuk është e pamundur, dështimet janë të mundura, apo jo – dështojmë në panumër drejtime. Njëmendësia i ka sekretet e veta, ndoshta ka plot skenarësh alternativë që mund të aplikohen. Pse duhej t’kishin sukses me termo-nuklearizmat, kujt i duheshin këso gjërash jashtëzakonisht monstruoze, përveç se “djajve” (kuptohet, nëse këta t’jenë ekzistentë, pasi djajtë mund t’ngelin thjesht fiksion, deri sot akoma s’e ka takuar kush ndonjë aso përnjëmend : )
Pse t’mos u dështonin të gjitha programet e tilla nukleare, thuase njeriu na qenkësh tashmë i përkryer, thuase nuk dështuaka kurrë në asnjë drejtim. Ashtu-kështu njeriu duke dështuar në plot drejtime tjera, pse t’mos dështonte dhe me atomikat, s’do shembej as bota as nuk do kriste qameti. Dhe kështu, dmth. si “përsiatje” e personazhit fiktiv të romaneve, atij të pikëlluarit naiv, që i janë shembur idealizmat.
Bie fjala Amerika ende s’e ka “zgjidhur” mirëfilli as problemin e racizmit (thjesht si “shembull”, anise shembujt janë të panumërt). Askush i botës s’e di saktë, por ndoshta një “Itali, një Francë komplete” prej amerikanësh s’kanë sigurim shëndetsor, me dhjetra e dhjetra miliona amerikanë, anembanë ndër 50 shtetet së bashku… s’kanë madje as sigurimin bazik shëndetsor. Amerika i ndërton aeroplanbartëset pothuaj si t’ishin flotë marramendëse e Star Wars, i ndërton raketat, investon për ta pushtuar hapësirën, Hënën, Marsin, e shpenzon 1 trilion për ta “frymëzuar” shkencën secilin vit, i shpenzon me triliona e triliona për industrinë ushtarake por ja që i dhimbsen ca dollarë për sigurimin bazik shëndetsor të popullsisë.
Vallë a nuk qenka “dështim” që dhe pas 300 vjet ecejakesh politike ta bindësh veten se dhe “jetët e zeza” ia vlejnë, se “black life matters too” !? Jetët e “bardha” ia vlen, këtë e dimë sigurt, e kemi dhe garancinë, ato të “zezat”… s’e kemi idenë, ende s’e kemi studiuar aq mirë, ndoshta dhe ato ia vlejnë. Ish-Presidenti dhe i sapozgjedhuri rishtas President, Trump akoma trumpeton si ndonjë papagall rreth-e-rrotull “suprematikave” të veta, flet për “mure e për ndarje” në vend që t’fliste për ura, në shek. XXI i fyen gjysmën e kontinentit hispanik duke i quajtur “hajna të pulave amerikane”, e kalojnë kufirin dhe tashmë për t’mbijetuar (si të jashtëligjshëm që janë) ua hanë pulat, lepujt, ketrat… “all the pets”.
I njëjti ish-President i siguron fitoret elektrorale duke i “blerë” votat dhe oportunizmat me ndihmën e super-miliarderëve, me ndihmën e biz-oportunistëve si Elon Musk e të ngjashëm. Edhe dikur, atëherë “herën e parë” ndoshta i pati siguruar votat me ndihmën e britanikëve të korruptuar “a la Analitica” dhe me korrupsionin e Facebook, qenë shitur dhe manipuluar të dhënat e dhjetra miliona përdoruesve. I njëjti ish-President, i vetmi i paditur, i “akuzuar”, i shoshitur nga ligji për panumër gjërash, me plot dosjesh që duhet zgjidhur mbi tavolinat e Drejtësisë, dhe ri-zgjidhet President. I njëjti ish-President i përdor lloj-lloj idesh që as “moronët” s’do i përdornin, dhe prapë i shiten…
Dhe asgjë, s’qenkan “dështime” këto, nooo way, përkundrazi, padyshim diç si faqebardhësi historike.
***
Përshkrimi muzeal nga “Atomic Heritage Foundation” i eventit të hedhjes së bombës atomike në Hiroshima thuase është bërë nga ndonjë ushtarak-historian i ekzaltuar që misioni me monstruozitetet atomike pati vajtur mbarë, lum e lum aq mbarë, fatlumnisht mbarë. Aq mbarë e saktësisht pothuaj si ndonjë “shkencë” ushtarake, ekzaktësisht me të gjitha cikërrimat mbarë.
Ndërsa unë gjithmonë sikur i “zhgënyer” që nuk u qe prishur avioni, ose t’ia kishin huqur destinacionit, ose t’u kishte dështuar shpërthimi, detonacioni, pse jo… thjesht të dështonte. Mjaft shpesh as ato bombat “klasike” nuk eksplodojnë, shpesh as patentet e Alfred Nobelit nuk funksionojnë, apo jo. Ka panumër bombash të groposura të L. 2 Botërore që s’patën eksploduar. Duhet madje fort kujdes kur i hapim themelet e këso, akoma dhe sot e kësaj dite na kërcënojnë bombat e “historisë”… ndoshta sepse, ku ta dimë, ndryshken dhe u “teket” buuuum shpërthejnë.
Sikur gjithmonë jam ndjerë paksa i “zhgënyer” që historia s’e pati përdorur ndonjë skenar tjetër të realitetit, psh. që bomba s’u pati rënë padashtas diku në oqean, t’u ishte prishur ndonjë hekur i atyre hidraulikave, t’u ishte këputur ndonjë nga telat, t’u ishte hapur padashtas ai “magazini” dhe të ngeleshin pa ngarkesën, dmth. ta kishin humbur bombën akoma pa patur shansin e përdorimit, dhe sëfundi duke mos patur bombën do ishin detyruar të kthehen në ishullin-bazë ashtu duarthatë etj. etj.
Ehuuu ka plot skenarësh të mundshëm që njëmendësia mund t’i kishte përdorur paralelisht, pse duhej të shkonte plani i tyre aq mbarë. Nga “Atomic Heritage Foundation” e ShBA kështu, si vijon më poshtë, përshkruhet eventi i hedhjes së monstruozitetit atomik mbi qyetetin e “përgjumur” të Hiroshimes.
5 Gusht 1945
Gjenerali Curtis LeMay në orën 15.00 zyrtarisht e konfirmon që misioni për hedhjen e bombës do jetë ditën e nesërme. Nën-Koloneli Paul Tibbets do jetë piloti, Deak Parsons do fluturojë si përgjegjës i armatimit. Nën-Koloneli Paul Tibbets e emëron avionin-bombarder B-29 No. 82 me emrin “Enola Gay” sipas nënës së vet, përkundër mosmapjtimit nga ndihmës-piloti Robert Lewis. Bomba me emrin “Little Boy” ngarkohet në avion. Gjithashtu, bomba testuese pa eksplozivin bërthamor “Fat Man, unit F33” (bombë komplete, përveç që i mungon bërthama e plutoniumit) për ta testuar ose ushtruar hedhjen e bombës reale.
6 Gusht 1945
Ora 00.00 – Raporti informativ përfundimtar, caku ose objektivi i zgjedhur për hedhjen o bombës do jetë Hiroshima. Nënkoloneli Paul Tibbets është piloti (kryepiloti), Robert Lewis është ndihmës-piloti.
Ora 02.45 – Bombarderi “Enola Gay” niset pistës për t’iu qasur fluturimit.
Ora 07.30 – Bomba “Little Boy” tashmë është e armatosur.
Ora 08.50 – Duke fluturuar në lartësinë ~10 km bombarderi “Enola Gay” kalon mbi Shikoku në lindje të Hiroshimës. Kushtet e bombardimit janë të mira, pika që synohet lehtësisht e dukshme dhe s’ka “kundërshti”
[[ dmth. s’ka rezistencë nga mbrojtja kundër-ajrore japoneze, asgjë s’piptinë, gjithçka në rregull, qyteti ende në gjumë, madje dhe ushtria ende duke i përkundur ëndrrat, nuk shihen as kazermat as asgjë, por as ata s’na shohin, jemi tepër lart dhe të padukshëm, i kemi zënë galuç në surprizë, sa për qytetin do jetë njësoj si t’i ketë bombarduar vetë Zeusi a perëndia, i patëm njoftuar popullsinë me fletushkat e me paralajmërimet, do duhej t’kishin ikur, qyteti do duhej t’ishte marrë me evakuimin, pse s’kanë ikur është problemi i tyre, gabimi i tyre, mirëpo sidoqoftë, tani të përgjumur e të trullosur s’do e kenë idenë as si erdhi as nga u erdhi, s’do e kenë as idenë e idesë, s’do jetë nevoja t’i hapin as qepallat sakaq dhe do jenë në qiell, zjarri i madh atomik është aq i madh, nuk i ngjan më zjarrit të ferrit por pothuaj si dritë parajse – këto të fundit brenda kllapave të dyfishta i shtova unë, m’u duk sikur e plotësonte sadopak “befasinë” e Hiroshimës së ngratë në ditën e 6 Gushtit të tmerrshëm ]].
Ora 09.15:17 – Bomba “Little Boy” lëshohet nga lartësia 9467 m.
Ora 09.16:02 (8:16:02 sipas kohës së Hiroshimës) bomba “Little Boy” shpërthen në lartësinë ~563 m, jo më larg se ~170 m nga pika që synohej, qendër-caku ishte ura Aioi, me një rendiment eksploziv prej 12.5 – 18 Kt (vlerësimi më i mirë i eksplozionit do ishte 15 Kt).
Buuuuum, nga 250.000 banorë të Hiroshimës së përgjumur, shfarosje e pjesës dërrmuese, 140.000 të vdekur, dhe ti i “justifikohesh” historisë se 2 bombat atomike na i hodhe për t’i dhënë fund luftës ! Uroj të të “shitet”, uroj t’i justifikojë historia marrëzitë tona. Pandeh së të “shitet” justifikimi dhe njëkohësisht për gjysmë shekulli i ndërton me mijëra monstruozitete të ngjashme, të cilat bomba madje nga “1000 herë” më të fuqishme se ajo hedhur në Hiroshima. Mbase do ta kishte “besuar” historia (atë që pretendon ta shohësh si justifikim) nëse t’mos ishe marrë me ndërtimin e mijëra bombave të tjera.