Katastrofë paqësore – Evropa pa luftë, mjaft e çuditshme!

(s. guraziu – ars poetica, 21 n 2024)

…është e çuditshme, 1 karrige e zbrazët, 1 Lili-Putin Pinguin të ikte dhe s’do kishte luftë, 1 Pinguin i vetëm i Politikës, Pinguin i ftohtë, thuase pa zemër i Siberisë – deri kur do vazhdojë kjo katastrofë e paqes nuk i dihet, por praktikisht Amerika (në “akord” me Evropën) vendosën që tutje pa luftë Evropës nuk i ka hije, grekët duke protestuar kundër çmimeve të “paarritshme”, puno sa të duash – thonë grekët, kurse dhe çmendu, puno dhe nga 3 turne, shtrenjtimet s’kanë të ndalur, do protestonte e gjithë BE-ja në fakt (të gjitha shtetet varg e varg, popullsia dmth.) por thjesht u vjen inat (tani për tani) dhe sepse qeveritë e tyre duke i “mashtruar” me lloj-lloj gjoja këshillash si t’i paguajnë faturat e energjisë… thjesht çështje kohe dhe do eksplodojë “absurdi i shtrenjtimeve” evropiane…

…shtrenjtime “strategjike” disavjeçare tashmë, për t’i paguar raketat dhe derivatet energjitike për luftën e së tashmës (kuptohet se energjia e luftës kushton jashtëzakonisht shumë, madje as miliona jetë s’janë të mjaftueshme, pothuaj në të gjitha rastet luftrat mbarojnë me “borxhe” katastrofale, do ishte “borxhi i luftës” që Versaja do e caktonte dhe Gjermania s’do e shtynte tepër gjatë, për inat do ia “niste” Luftës tjetër Botërore, Fuhreri do inatosej e do kacaxhelosej sepse thjesht s’mund t’i paguante “borxhet”, edhe i mundur, edhe i turpëruar dhe prapë të paguash “borxhe”, sipas Fuhrerit thjesht s’pinte ujë, padrejtësi e madhe ndaj Gjermanisë), përputhet 100% madje dhe me vërejtjen e para 1 shekulli të Nonda Bulka se “vlera e njeriut ka rënë drastikisht”, tashmë 1 “storm shadow” kushton sa 100 mijë Nonda Bulka së bashku (e ndoshta dhe më shumë, meqë s’e kemi idenë aq saktë rreth çmimeve të raketave, sidoqoftë, sipas shakaxhiut Bulka atëbotë vjehrra e tij s’do “çonte peshë” ndoshta as 2 dollarë, por gomari do i arrinte dhe deri 4 dollarë : )

***
“[ Nonda Bulka – Janar 1934 ]…Të mendosh pak, do të vësh re se vlefta e njeriut në “flori” ka zbritur në një mënyrë të jashtëzakonshme. Në kohët e vjetra shiteshin njerëzit sheshit dhe blerësit nuk mungonin. Sot një tregti të tillë e ndalon ligji. Mirëpo, sikur legjislatorit t’i merrte perëndia mendtë dhe ta anulonte atë ligj, ç’do të ngjiste vallë? Asnjë ndryshim. Përfytyroni një njeri: mua për shembull. Kam pesë fëmijë, gruan dhe vjehrrën (meqë kam hyrë dhëndër brenda). S’kam mjaft fitime dhe dua të nxjerr në pjacë vjehrrën e ta shes. Kush ma zë me dorë? Sikur të paguash edhe dy dollarë, s’ta merr njeri. Sikur të nxjerr në pazar gomarin, mund ta shes katër dollarë.
| . . .
Le të thonë sa të duan se “beqarllëku është një krim”. Vetëm një luftë i lan hallet. Kur rriten në tre vjet e sipër dhjetë milionë kreatyra të njoma, doemos që vlefta ngrihet. Por, luftë s’ka ngaherë. Çudi e madhe! U mbushën plot 16 vjet që Evropa nuk i ka shpallur luftë Evropës. Përse kjo moskujdesje? Ç’bën konferenca e çarmatimit? Cila është detyra e saj? Çdo gjë ka masë: 16 vjet pa luftë është një katastrofë paqësore… Prandaj, ra edhe vlefta e kafshës fodulle, që quhet njeri. [ Nonda Bulka – Janar 1934 ]”