(s. guraziu – ars poetica, 23 n 2024)
Dje… Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, unë me vonesë 1-ditore po e festoj SOT, uroj s’ka gjë vonesa, ashtu-kështu hera e parë që festohet si festë, do kenë harruar dhe shumë të tjerë, zor t’jem i “vetmi harrestar”. Si lajm do ketë figuruar ndokund, e qartë kjo, e pati miratuar Këshilli i Ministrave… por ec e mbaji të gjitha lajmet, uroj 1 ditë vonesë herave të para për festat e Shqipërisë s’do jetë dhe aq tragjike.
Autori, apo autorja me inicialet S. B. (tek Shqiptarja) shkruante se “Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe” kremtohet tashmë si festë zyrtare e Shqipërisë, dhe 22 Nëntori 2024 është hera e parë që kremtohet si festë zyrtare – dmth. “hera e parë”, siç u justifikova dhe vetë për vonesën.
Mirëpo ata të “Shqiptarja” qenkan të rreptë dhe fort strikt, e kishin vënë një trakë a baner ku thoshte: ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi, sipas nenit 80, ligji 35/2016.
Se ç’është ky ligj i Shqipërisë s’e kam idenë, s’ma merr mendja as shqiptarët atje t’i njohin të gjitha ligjet dhe nenet e ligjeve, por uroj t’mos më dënojnë për faktin që vendosa ta kopjoj tekstin e tyre dhe ta ngjes si “info” këtu. Le ta marrin kësaj radhe që ndonjë i verbër, thjesht s’e ka parë banerin, paçka se baner i madh, shtriqej rreptësisht nga skaji i faqes në skajin tjetër : )
***
[ https://shqiptarja.com/lajm/sot-dita-e-alfabetit-te-gjuhes-shqipe-2 ]
Data 22 nëntor shënon Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, tashmë e shpallur festë zyrtare e Shqipërisë. Kjo ditë ka një simbolikë të veçantë dhe specifikon momentin më të madh unifikues të shqiptarëve, në përkujtim të Kongresit të Manastirit, i zhvilluar mes datave 14 deri në 22 nëntor të vitit 1908.
Data 22 nëntor shënon Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, tashmë e shpallur festë zyrtare e Shqipërisë. Kjo ditë ka një simbolikë të veçantë dhe specifikon momentin më të madh unifikues të shqiptarëve, në përkujtim të Kongresit të Manastirit, i zhvilluar mes datave 14 deri në 22 nëntor të vitit 1908.
Këshilli i Ministrave miratoi një vendim për një ndryshim për ligjin për festat kombëtare dhe ditët përkujtimore, duke i propozuar Kuvendit të Shqipërisë shtimin e Ditës së Alfabetit si një nga festat tona kombëtare. Dita e Alfabetit Shqip u miratua nga Kuvendi në shkurt të këtij viti dhe kjo është hera e parë që kremtohet si festë zyrtare. Iniciativa u mor edhe pas diskutimeve në samitin e diasporës.
Në Kongresin e Manastirit morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete të ndryshme, klube dhe shoqata. Në këtë Kongres u miratua vendimi që të pranohet alfabeti latin me disa ndryshime të shkronjave duke i përshtatur ato për gjuhën shqipe. Në Manastir morën pjesë intelektualë shqiptarë nga të gjitha trojet. Kryetar i kongresit u zgjodh Mid’hat Frashëri, kurse nënkryetarë ishin Luigj Gurakuqi dhe Gjergji Qiriazi, ndërsa motra e tij Parashqevi Qiriazi ishte gruaja e vetme në këtë kongres.
Sipas numrit dhe rëndësisë së pjesëmarrësve, Kongresi i Manastirit ka qenë ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar në fillimet e shekullit XX, ku si rezultat i kësaj pune më 28 nëntor të vitit 1912 u shpall edhe pavarësia e Shqipërisë.
Edhe për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kjo ditë është festë kombëtare. Në Manastir funksionon Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe, në të cilin gjenden rreth 56 fotografi të pjesëmarrësve dhe 230 dokumente në formë digjitale dhe në letër.