(senad guraziu – ars poetica, n 2024 – koment, pak fjalë)
[ ngjitur: Gabriel Ritter von Max (1840-1915) – Shkollarët, 1915 – detaj ]
E shohim që artisti Ritter von Max veprën e vet e ka quajtur “shkollarët”, ose të diturit, të mençurit, studiusit etj. etj. Si titull i librit (gjoja që janë duke lexuar shkollarët) figuron “Dualismus”, e që na e kujton dualizmin e filozofit francez Descartes. Dekarti (Rëne Dekarti) pati filluar me “cogito, ergo sum” (mendoj, prandaj jam, ekzistoj) mbase si “mosdyshim kartezian” : ) dhe do na e linte tutje si filozofi versionin e tij të dualizmit klasik. T’i besosh mendjes është diç e madhe.
Psh. sot IA (inteligjenca artificiale) padyshim vazhdon si Dekarti “cogito, ergo sum”, e ka t’njëjtin besim të madh, prore beson se një ditë do jetë më e “mençur” se njeriu, tekefundit më efikase se krijuesi i saj, por madje dhe super-inteligjente. Nëse intelekti t’mos e kishte besimin padyshim do ipte “shpirt” or something… do vdiste dmth : ) Ekziston vetëm si kod, si artificialitet, vetëm si “mendje” pa patur asfare lidhje me fiziken (materiale) përveç me energjinë (si ana tjetër e medaljes materialiste – meqë e dimë, Ajnshtajni me mençurinë e=mc2 na e pati thënë se ‘energjia’ thjesht ajo ana tjetër e materies, në thelb baraz me materien, e vërtetuam pastaj mjaft shpejtë dhe me bombat bërthamike).
Sidoqoftë, shakatë janë tjetër – dualizmi lidhet me pikëpamjen filozofike se mendja dhe trupi në thelb janë lloje të ndryshme substancash, ose kanë natyra të ndryshme. Me këtë nënkuptohet që mendja (si substancë jomateriale) dhe trupi (këtu nënkuptohet dhe truri brenda kafkës sonë, si organ material) jo vetëm që ndryshojnë në kuptim, por u referohen llojeve të ndryshme të entiteteve. Ata që e kuptojnë kështu dualizmin mendor-trupor (jomaterial-material) do ta kundërshtojnë çdo teori e cila e identifikon mendjen me trurin (i cili trur, kuptohet, duke qenë substancë materiale konceptohet si një mekanizëm fizik).
Sipas meje, e qartë se Dekarti do teorizonte i “frymëzuar” nga mësimet platonike-aristoteliane, thuase “teoria e tij e dualizmit” do ishte diç si derivacion, si eksperiment ideatik. Filozofia “eterike” platonike sugjeronte të paprekshmen, spekulativen, shpirtëroren, të mbinatyrshmen. Ndërsa aristotelizmi insistonte me “filozofinë” e së prekshmes, me realitetin tokësor, me njëmendësinë faktike (si burim i të gjitha njohurive, e sidomos i atyre shkencore). Apo akoma më herët, pikëpamja “materialiste” (e Demokritit psh.) dhe ajo “idealiste” (e Platonit) sikur qenë përqafuar në dansin e kundërshtisë që nga lashtësia.
Platoni besonte se idetë janë thelbësore, në krahasim me objektet (atomos – dmth, me materien, materializmin). Idealizmi i Platonit bazohej në supozimin se struktura bazë themelore e gjërave të kësaj bote nuk është atomi (materia), por forma abstrakte mendore që i përcakton vetitë e një objekti.
Bazamenti filozofik “materialistik” i Demokritit bazohej në supozimin se atomet janë të vetmet gjëra që vërtet ekzistojnë, se atomet janë të përjetshme. Të gjitha gjërat tjera të kësaj bote ekzistojnë vetëm për shkak se janë të përbëra nga atomet. Duke ndjekur këtë logjikë, atëherë pra dhe vetëdija e njeriut do duhej t’jetë produkt i proceseve fizike në trurin e tij. Sipas Demokritit “vetëm atomet dhe zbraztësia ekzistojnë, çdo gjë tjetër është opinion”.
Dekarti do e zhvillonte teorinë e mendjes si substancë jomateriale që përfshihet në aktivitete të ndryshme ose i nënshtrohet gjendjeve të ndryshme, si psh. mendimi racional, imagjinata, ndjenja (ndjesia) dhe vullneti. Materia (si lëndë substanciale) përputhet me ligjet e fizikës në mënyrë mekanike, me përjashtim të trupit, për të cilin Dekarti besonte se ndikohet në mënyrë shkakësore nga mendja e njeriut, dhe që po ashtu prodhon në mënyrë shkakësore ndodhi, evente të caktuara mendore.
Bie fjala, dëshira për ngritjen e krahut vjen nga mendja dhe voila sakaq shkaktohet ngritja e krahut. Njëjtë, me mendjen shkatohet dhe lëvizja e këmbëve dhe hooop hidhen hapat, ia nisim e ecim, vrapojmë. Dhe ashtu, varg e varg, të gjitha “komandat” mendore që e bejnë trupin t’i kryejë veprimet e ndryshme. Mirëpo goditja padashtas me çekan e gishtit, jo vetëm që nuk vjen nga mendja, por shkakton madje dhimbje në mendje. Goditet gishti por ja që dhemb mendja (anise neve na duket se dhemb gishti). I bie se është një lloj “ndëraksioni” i çuditshëm ndërsubstancial, dhe rreth kësaj Dekarti do e lodhte mendjen me gjithë bashkëmendimtarët e tij, me pasuesit e filozofisë së tij.
Të tilla probleme “ndëraksionale” do shkaktonin ose do sillnin dhe varietete të tjerë të dualizmave, e edhe aso që nuk kërkojnë ndërveprim të drejtpërdrejtë shkakësor (jo patjetër duhej goditja e gishtit me çekan). Pra ka dhe tjera teori rreth “dualizmit substancial”. Disa mendimtarë do pohonin se lidhjet e dukshme mes “ndodhive” mendore dhe fizike janë rezultat i veprimit të vazhdueshëm shkakësor hyjnor (të Zotit). Ose bie fjala, Lajbnici, i shihte mendjen dhe trupin si ndërlidhje serike në mënyrë të përsosur, sinkronizuar aq përkryer në një harmoni të paracaktuar, që nga origjina e tyre nga vetë Zoti. Ok, të mendosh kështu është pothuaj e ngjashme me besimin religjioz, pse duhet patjetër “komplikim i panevojshëm i teorisë së Zotit”, më e lehtë e të thuhet Zoti është “boss-i” i gjithçkaje. Një fjali e vetme dhe sqarohet gjithçka : )
Por se mos vetëm Lajbnici, madje dhe sot e kësaj dite filozofë të ndryshëm vazhdojnë me “interpretime filozofike të bibles”, shkruajnë dhe fitojnë miliona duke shitur teori derivative biblike, si psh. kanadezi Jordan Peterson, një jetë të tërë duke ia mbajtur “rrotull” duke filozofuar e duke grumbulluar pasuri, vëmendje, famozitet, fansa mediatik etj. etj. Prore duke derdhur lot publikisht, një lloj filozof-qaralaçi i stërngjeshur me sentimentet, duke u shitur një lloj “Krishti psikologjik” modern, ndërsa pa e pranuar as përmendur kurrë nëse ai vetë është besimtar apo ndoshta jo.
Dmth. edhe në kohën tonë moderne, edhe 2000 vjet pas Krishtit, me t’njëjtën mendjelodhje si dikur para mijëvjeçarëve, është absolutisht e mundur të filozofosh rretherrotull Zotit, duke i “shtrydhur” maksimalisht derivacionet biblike dhe të bëhesh i famshëm botërisht + i pasur (materialisht). S’po themi se patjetër i pasur me “materializmin” ie Demokritit, por ja që materializmi fort i rëndësishëm. Pa materializmin, meqë ra fjala, as Donal Trump s’do ishte askushi, madje as Elon Musk (ok, ky s’është filozof por) s’do kishte shans. Vallë si t’i ndërtonte raketat a teslat pa materializmin. Dhe mrekullia vetë, Jordan Peterson është shkollar-filozof por është fans i Trump, njësoj sikur dhe i Elon Musk, flet për Zotin njësoj si Trump në miting, njësoj si Elon Musk që ia qëllon pikës në Twitter a në X, edhe shkollar-filozofi Peterson e “shet” Zotin si libër dhe me miliona fansa e ndjekin pas : )