Rizbulo, rivlerëso veten – mëkat për gjenialitetin të shkojë dëm !

( s. guraziu – ap, n 24 – humoreskë, pak humor )

…bazuar në shakanë e Mark Twain gjenialiteti shpesh shkon dëm, as nuk zbulohet as nuk njihet (ndërsa dihet, ai vetë ishte një lloj koke e madhe, kokë e mençur, shkrimtar, eseist, humorist amerikan, madje ishte dhe mustakolog… me mustaqet e me stilin thuase donte të shtyhej me Niçen), dmth. sipas tij intelekti i shumë kokave ngelet gjenialitet i papërdorur, i pashfrytëzuar, i panjohur, i pavlerësuar etj. etj…

…e lehtë kur ndahen Nobelat, e lehtë kur i kujtojmë Ajnshtajnat, Maks Plankat… e këso kokash, nobelistët e shkencave dhe Ajnshtajnat i njeh e gjithë bota, mirëpo problemi në fakt akoma më i thellë, sipas Twain shumë kokash s’e kanë idenë madje as vetë se janë “gjeniale”, sa të duash njerëz të mençur lindin dhe vdesin të “pazbuluar”, nga ata vetë të “pazbuluar… të panjohur” për veten, por dhe nga të tjerët – dhe nëse kjo qëndron atëherë del se është pothuaj tragji-komike, t’mos e njohësh gjenialitetin tënd, hm e dhimbshme aq sa vetë patetikja sikur kthehet në diç qesharake, sikur e pabesueshme…

…dhe kështu dmth., s’di për lexuesin nëse ta ketë shoshitur këtë punë, mua më është shmangur tërë jetën, e njoh… e njihja shkrimtarin Mark Twain, aventurat e Tom Sojerit e të Hakelberry Finit i kam lexuar ihyyyy qëkur si kalama, meqë ra fjala… më kujtohet bibliotekisti i fshatit tonë quhej Shani (Lumi) dhe unë kur e vizitoja gjithmonë e gjeja duke lexuar, e ngrinte pakëz njërën vetullë dhe kur sigurohej që isha unë as që lëvizte vendit, ma kthente “mirëditën” dhe sakaq zhytej rishtas në lexim, sepse e dinte (pothuaj sikur isha pakëz i “privilegjuar” nga ai), nuk brengosej, kishte besim tek unë, e dinte që do e zgjedhja ndonjë libër pa i prishur raftet, pa ia trazuar rregullin e librave, madje as dimrave nuk m’i “inspektonte” këpucët, të tjerë fëmijë mund t’kenë sjellur plot baltë brenda, dyshonte ndaj tyre, ishte strikt me inspektimet, mirëpo tek unë kishte besim, isha i kujdesshëm etj. etj.

…dmth. e njihja, e kam njohur shkrimtarin Mark Twain që nga kur isha fëmijë, e njihja fort mirë dhe pastaj kur qesh rritur sadopak, e edhe gjatë rinisë, gjithmonë e kam njohur, tërë jetën e kam njohur, por s’e kam vrarë mendjen rreth kësaj thënies për gjenialitetin sepse padyshim do kem pandehur “mjaft i mençur”, dhe tani nëse mund t’i besohet thënies së tij shakalogjike patjetër se ia vlen ri-shqyrtimi, ri-vlerësimi, ri-zbulimi i vetvetes, gjithkush veten e vet, sa për veten, sepse nuk i dihet… ku i dihet, kurrë s’duhet thënë kurrë, më mirë ta zbulosh gjenialitetin vonë, qoftë dhe në pleqërinë e thellë, sesa kurrë…

…sëpaku ta zbulosh për veten, sëpaku vetë t’ia pranosh, t’ia njohësh vetes meritat, nëse gjenialiteti ekzistent sëpaku ta kesh ngushëllimin, ta përkëdhelësh sadopak ego-n tënde, ta njohësh satisfaksionin, kënaqësinë, le t’mos e dinë të tjerët, le t’mos e ketë idenë as vetë alter ego-ja jote, s’është nevoja t’bëhet bujë për botën, sidomos nëse s’je as shkencëtar, as shkrimtar as gjë… por mëkat ndaj vetë intelektit tënd t’mos e kesh idenë as vetë sa vlen, thjesht diç e pafalshme : )