(S. Guraziu – Ars Poetica, Gusht 2023 – disa foto dhe video)
Jimmy Nelson (një artist i mirënjohur britaniko-holandez), si fotograf ka udhëtuar gjithandej nëpër botë, me dekada, për të kapur bukurinë e indigjenëve të planetit dhe për ta mahnitur publikun botëror me librat fotografikë monumental “Before They Pass Away (Para se të Ikin)” dhe “Homage to Humanity (Homazh për Njerëzimin)”.
Mirëpo, për shkak të pandemisë Covid-19, në v. 2020 udhëtimi pothuaj qe bërë i pamundur. Në pamundësi për t’bredhur lirisht nëpër botë, Nelson “qe detyruar ta ndryshonte fokusin, kamera e tij do i fokusohej Holandës”. Sëshpejti ia filloi me “zbulimin” e kostumeve tradicionale holandeze, anise e dinte por sikur u vulos rishtas, iu bë e qartë sa të bukura ishin. Jo vetëm të bukura, por po aq unike sa ato të Papuanëve apo të indigjenëve Maasai, me të cilët kostume ishte mrekulluar më parë. Kështu që e përdori këtë “izolim të pafat nga pandemia gjoja si justifikim” për të kapërthyer artistikisht Bukurinë e Holandës.
Do marr “guximin” të them se askush më parë fotografikisht s’e ka kapur bukurinë e kostumeve holandeze si Nelson. Në librin e tij “Mes Detit dhe Qiellit” (Shtator 2022) i përshkruan 20 komunitete të Holandës me veshjet e tyre tradicionale – nga Axel në jugperëndim, e deri në Hindeloopen të verilindjes. Është libër i madh, i formatit të madh, kjo fjalë për fjalë, por dhe njëkohësisht një libër fotografik i madh, libër i shkëlqyer, me të vërtetë një Ode për Holandën. Dhe, natyrisht, në përputhje me spektrin e tij artistik, Ode për Njerëzimin në përgjithësi.
Krahas librit voluminoz “Mes Detit dhe Qiellit” (528 faqe) qe organizuar dhe foto-ekspozita shoqëruese. Një vit më vonë, disa nga foto-portretet e tij u kurorëzuan me botimin si pulla postare, publikimi qe quajtur “Jimmy Nelson – Ode Holandës” (kjo qe bërë nga PostNL). Pullat dolën më 25 Janar 2023, janë 20 pulla të ndryshme me portrete të grave holandeze, veshur me kostumet e tyre tradicionale.
(shtojcë)
…kjo video është jozyrtare, s’ka ndonjë lidhje “zyrtarisht” me organizatën e Jimmy Nelson – si fans, si adhurues i punës së tij ndër vite i kam shfletuar sa e sa albume fotografike, kam “kaluar” nëpër qindra foto, kjo përmbledhje videografike nga unë (lidhur me kostumet holandeze) është thjesht një lloj mirënjohjeje si fans, një lloj “falënderimi për dekadat” e punës së tij, për qasjen dhe përkushtimin e tij ndaj humanizmit, nuk është ndonjë “shkelje e të drejtave autoriale” apo diç e ngjashme… shpresoj Nelson do buzëqesh kur ta sheh (në blog-faqen time), njësoj sikur dhe unë dmth. teksa i “studioja” foto-buzëqeshjet e tij magjepsëse, buzëqeshjet e indigjenëve Maasai, apo ndoshta ato të “kaubojëve” Gauços të Argjentinës, apo buzëqeshjet e Nenetëve në Siberi, apo ato të fisit Himbas në Namibi etj. etj. : )
– – –





