Krim kundër Jetës – Anti-Semitizmi Real!

S. Guraziu – Ars Poetica, T 2018 (Koment – Pak fjalë rreth tragjedisë… )

 


John Gast (1842-1896) – Progresi (ose Përparimi) Amerikan, 1872

Para dy ditësh, në një artikull në Huffingtonpost lexova se muzikanti Pharrell Williams i paska dërguar letër Presidentit Trump duke e denoncuar rreth përdorimit të këngës së tij “Happy” në një event politik, vetëm disa orë pas tragjedisë në sinagogën e Pitsburgut.
“Nëse ndodhë një tragjedi, atëherë Amerika s’është “e lumtur” – i paska shkruar ai Presidentit. Me artikullin ishte e bashkëngjitur dhe letra e tij, Pharrell thoshte se “nuk ia ka lejuar, dhe s’do t’ia lejojë Presidentit Trump të përdorë publikisht ndonjë diç nga muzikat e tij”.
Autorja e artikullit Sarah Ruiz-Grossman, shpjegonte gjithashtu se Pharrell nuk qenka i pari që ia ndalon Presidentit Trump t’i përdorë këngët. Në vitin 2016, grupi britanik “Queen” e paska ndaluar përdorimin e këngës “We Are the Champions”. Po ashtu Steven Tyler i “Aerosmith” i paska shkruar një letër duke kërkuar që Trump t’mos i përdor këngët e grupit nëpër mitingje politike – shkruante Sarah.

Vrasja masive në sinagogën e Pitsburgut është cilësuar si një akt anti-semitik, mediat thonë se ishte një krim i urrejtjes, ka të bëjë me anti-humanizmin etj. Gjithsesi, ishte një krim kundër Jetës, në një sinagogë të quajtur “Pema e Jetës”.
Sipas “Anti-Defamation League”, incidentet kundër hebrenjve gjatë vitit të kaluar në SHBA qenkan rritur rreth 60%, paska patur 1.986 raste të ngacmimit, vandalizmit apo të sulmit fizik kundër personave dhe institucioneve hebraike. ADL qenka shprehur se sulmi në sinagogë besohet të jetë më i madhi kundër komunitetit hebraik në historinë e ShBA.

Duke rikujtuar vrasjet dhe tragjeditë e tjera të ngjashme (në të kaluarën jo fort të largët të Amerikës), sikur isha duke menduar dhe për “gjithë historinë” amerikane. I “pikëlluar” sikur po i lidhja mendimet me ironinë e fjalëve të muzikantit Pharrell rreth “jolumturisë” së Amerikës. Sikur po mendoja se disa njerëz ndoshta kurrë s’do t’jenë të lumtur… Disa njerëz do t’ndjehen të “lumtur” vetëm nëse ia dalin ta mbjellin ndonjë trazirë politike diku, nëse ia dalin ta instalojnë ndonjë konflikt, a ndonjë luftë. Kur duhet një “pretekst” pothuaj gjithmonë dhe gjendet, Lufta I Botërore pati filluar pas një atentati, duhej thjesht një vrasës i vetëm… dhe e gjithë bota do të trazohej. Kriminelët e terroristët veprojnë dhe në paqe, madje dhe thjesht si akt dëshpërimi kur një luftë të ketë përfunduar.