Amarcord-et e Fellinit, dhe ato të Ramë Trëndafilit!

S. Guraziu – Ars Poetica, Dhjetor 2016

“amarcord nuk është kujtesë – ose nëse është, atëherë është kujtesë fals – (amarcord-et) nuk janë fragmente të asaj që dikur ishte (realisht), por fragmente të asaj që imagjinohet të ketë qenë…”

***
Të shkruash “amarcorde” (si Kryeministri i R. së Shqipërisë, Edi Rama), ta eksploatosh “patriotizmin” e fansave politikë me komente e scribo-copëza të rrjeteve sociale, të tipit “a la ramushçe”, me lavde e me opinione glorifikuese për foto të ndryshme nga e kaluara, t’ua servirësh atyre një mishmash komentesh “patriotike” (i cili mishmash do të shkrihet e bëhet çorbë politike përgjatë impenjimit tënd konstant e sistematik – sepse komentet dhe përputhen me parapritjet e fansave (votuesve të ardhshëm), përputhen me “historinë tonë të lavdishme”, ti thjesht do t’shkruash për gjëra që fansat kanë dëshirë t’i lexojnë-dëgjojnë, thjesht do t’ua rifreskosh kujtesen – me gjëra që dhe ata vetë i dinë, ose kanë dëshirë t’i dinë në mënyrën siç i servir ti)… shkurt, të gjitha marifetet “amarcordiale” të Rames janë thjesht joshje me supën më të lirë politike, janë diç si “art of persuasion” por që nuk janë manipulim, janë truk psikologjik i bindjes dhe i joshjes së fansave – i votuesve të ardhshëm.

Anise Rama i kapërcen dekadat “amarcordiale” dhe hooop na del tek Rilindasit, ose në Mesjetë, ose në Lashtësi, e pse jo ndoshta dhe në Prahistori! Sa për historinë e afërt mirë që nuk i shkapuritë “bajgat”, thjesht aty-këtu na e përkujton ndonjë trimuleshë, ndonjë bukuroshe partizane, asgjë tjetër.
Imagjino sikur të gjithë nostalgjikët trëndafileskë t’ia fillonin me “amarcord-e” për intervalin historik prej 4-5 dekadash, t’ia bënim fiuuuu kujtesës për rapsodikat e tipit “xhaxhi-kuqi e maoceduni janë si buka prej një brumi”! Ose, meqë historia nuk rri “palëvizur”, t’na kujtoheshin versione më të reja amarcordiale, si psh. “na ka dalë si dreqi Kina, na ka dalë shejtan me brina…”, pa pa pa.

Në fakt, “amarcord-et” e tij mund t’i bëjë gati cilado çupë (me nivel të mendimit “universitar”, apo dhe mesatar) e zyrës së tij. Të mos themi “sekretareshat”, pasi ato mund të jenë të zëna me punë më specifike dhe më të mençura sesa “joshja” e grupnajes së votuesve të pavendosur.

Ndoshta për z. Rama vetë, “amarcord-et” e tij janë ngjashëm si ato “shkarravinat artistike të pavetëdijshme” (dmth. kjo që e futëm tani në thonjëza padyshim dtth. – vizatime gjatë orëve të pavetëdijshme në zyrën e tij). S’çojnë peshë as pesë centë, aq të lehta janë, qëkur Rama është ekspert i shkencave të historisë dhe i njeh “ujë” me foto e me patriotë, me kisha e me xhamia, me ura e me arkitektura…

Sa per shkarra-vizatimet Rama dhe bordi i tij ndihmës ia dalin t’i monetizojnë. Pra artin e “pavetëdijshëm” dhe të famshëm të tij (thua se ndonje “art automatik”, si ai i bojaxhiut të dikurshëm spërkatës, Pollock) ia dalin ta shesin dhe ta kthejnë në Euro.

Mediat shqiptare pastaj krenohen me faktin se Rama pothuaj s’ka fare nevojë për “njëqindmijë eurot” e pagës, pasi që ai me shitjet e “shkarravinave” na i paska fituar pothuaj “njëqindepesëdhjetëmijë” Euro. TV-të e së majtes shqiptare këtë detaj e jepnin si “lajm interesant”, e kthenin në lajm pompoz zotësinë e Ramës me vizatimet dhe me business-in e tij, me zotësinë e tij prej tregtari shkarravinash të pavetëdijshme. Ajme!

Mirëpo kështu shkojnë të gjitha punët dhe relacionet-simpatike mediatike të Shqipërisë. Ta ka ënda, ma ka ënda dhe “deal” (G. Orwell ndoshta do ta quante “media relation”). Një dikush nga fansat e gazetave, ose mbase të faqeve të panumërta mediatike shqiptare, mrekullinë e Rames e sqaron kështu: (cit.) “AMARCORD mban emrin “rubrika më e re” e Kryeministrit Edi Rama në rrjetin social Facebook. Imazhe të rralla, kishash, vendesh, personazhesh, emrash me rëndësi për kombin shqiptar, a foto historike, janë shfaqur për të kujtuar përvjetore, ngjarje, për të përshëndetur artistë a data, por edhe për t’iu përgjigjur debateve të ditës, në një formë krejt tjetër, përmes nostalgjisë, që rivjen në një format tjetër, si kujtesë ndaj atyre që kemi lënë pas, ata që na kanë paraprirë…” (fund i cit.)

Siç e thamë më lart, “persuasion” ose bindja e njerëzve, vjedhja sistematike e vëmendjes së tyre me gjërash “aparente”, nuk është asfare manipulim. Këtë e thotë dhe autori Jason Nazar, i cili në një artikull-studim (publikuar në Forbes, më 2013), i pati rrumbullakësuar jo më pak por 21 principe bazike të “marramendjes” (siç mua më pëlqen ta quaj fenomenin “persuasion”, kam përshtypjen më shumë i afrohet saktësisë 🙂

Sipas Nazar, bindja (ose më mirë le ta përdorim “termin” tim – marramendja) është arti i sjelljes së njerëzve në stadin (psikologjik) për të bërë gjëra që përputhen me interesat e tyre, por që interesat e tyre (ose iluzionet për interesa) fluktohen në shërbim të interesit tuaj.
“Fushatat politike e përqëndrojnë kohën dhe paratë e tyre në një grupnajë të votuesve të “lëkundshëm” (ose të pavendosshëm), të cilët e vendosin ose e vulosin rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve” – thekson Nazar.

***
Pra, fansat e “trëndafilave” të Ramës mjaftohen që Amarcord do të thotë “unë mbaj mend, ose mua më kujtohet… më shumë e ka kuptimin e nostalgjisë…”.

Në shkrimin eseistik me titull “Amarcord: Federico of the Spirits”, publikuar më 2011, autori Sam Rohdie (Profesor i studimeve të kinemasë në Universitetin e Floridasë, ShBA), lidhur me filmin italian të zhanrit dramë-komedi, Amarcord, prodhuar në vitin 1973, drejtuar nga regjisori Federico Fellini, ndër të tjera shkruan:
“Amarcord është një neologjizëm i ujdisur nga Fellini, që i afrohet më së shumti frazës së dialektit Emiliano-Romagnolo mi ricordo (më kujtohet, ose mbaj mend). Fellini, një gënjeshtar i madh, e mohoi origjinën (e neologjizmit të vet), duke pretenduar se ishte një fjalë misterioze, kabalistike, lidhur me shpikjen më parë sesa me kujtesën.”

“Amarcord mishëron këtë ekuivokim mes kujtesës dhe shpikjes (imagjinatës), në mes të një bote që përfaqësohet (si mbamendje, kujtesë) dhe një bote të krijuar enkas (imagjinare, të paqenë). Amarcord nuk është kujtesë – ose nëse është, atëherë është kujtesë fals – (amarcord-et) nuk janë fragmente të asaj që dikur ishte (realisht), por fragmente të asaj që imagjinohet të ketë qenë…”