E diela mëngjesore-kristalore!

(sguraziu, dhjetor 2018 – skicë)

(bora e parë… por aq pak, aq sa borë i thënçin – madje dhe tokës sikur i “buzëqeshet”, vende-vende thuase është shkrirë nga vetë ngrohtësia e buzëqeshjes tokë-sore 🙂

…nëse në vendin tuaj bora shihet aq rrallë e përmallë, dhe hëpërhë nëse jeni zgjuar në 6-e-gjysmë të mëngjesit (paçka se e dielë, gjumashët dhe ata që janë kthyer vonë pas delireve të “saturday night fever” do t’i përkundin ëndrrat tutje dhe për disa orë të tëra), për të vajtur pas ritualeve të zbukurimit në banjo (dmth. pasi t’i keni krehur flokët e këso : ) drejt e në kuzhinë që ta vëni kafenë, dhe nëse xhami i derës e prekë dyshemenë e “nivelizuar” me kopshtin tuaj… ku, se nga ku bien lloj-lloj nuancash të dritës, do të mahniteni nga bukuria e papritur dhe aq e pastër kristalore, mund të ndodhë i humbni disa minuta duke u mrekulluar me bardhësinë përjashta – diç që s’e keni parë aq gjatë, që keni harruar kur ishte për t’fundit herë, s’ka shans t’ju shmanget dhe s’ka shans ta mohoni “veçanësinë” e një mëngjesi të tillë, po, po… një mëngjes i tillë mund t’ju mashtrojë madje dhe me nostalgjinë, mund t’ju kthejë deri laaaarg… mund t’ju kujtohet ai “padurimi” i dëborës së fëmijërisë, se ç’mund të ketë diç “mistike” ajo bardhësi e larë me lloj-lloj nuancash, por kryesisht me dritën e argjendtë qiellore – shkurt e troç do t’ngeleni duke u mrekulluar me atë “uaaa-në” e pazëshme, vetëm aroma e kafesë mund t’ju këndell mirëfilli (njësoj si dhe puthja e engjëllit të zemrës suaj, nëse helbete ta keni aty pranë, nëse jo kuptohet mjafton aroma e kafesë), dhe pastaj, natyrisht, mund të kënaqeni me kafenë e me gjysmë gote mangoje akull të ftohtë, aso “keep it cool” 🙂