Faoni, Afërdita, Kleonika, Safoja, Ndëshkimi, Dashuria…

Senad Guraziu – Ars Poetica, Prill 2025

Dashuria si “dënim”, apo dhe si “shpërblim”! – Në mitologji (anise jo gjithmonë : ) gjërat nuk ndodhin tek ashtu kot, “shkaku – pasoja” janë kushtimisht të lidhura. Derisa rasti i Helenës së Spartës që dashurohet në Parisin (si shembull) ishte diç si “shpërblim” ndaj Parisit – Afërdita do e mbante fjalën, do e realizonte premtimin, meqë Parisi pati “gjykuar” drejtë, sipas tij Afërdita ishte më e bukura nga perëndeshat. Do vinte pastaj rrëmbimi i Helenës, do njollosej nderi i gjithë Greqisë, do mobilizoheshin ushtritë, mijëra anije do ia mësynin përtejdetit, do vinte lufta dhe tragjedia e madhe e Trojes… por aq i bënte Afërditës.

[ ngjitur: Sky Division – “Ars Gratia Artis – Faoni dhe e dashura e tij, Kleonika“, 2025 ]

Në rastin tjetër, dashuria e Fidrasë ndaj Hipolitit ishte diç si “dënim” për Hipolitin, sepse ky nuk e kishte “çuar në vend” dëshirën e Afërditës që të dashurohej në të (dmth. në vetë Afërditën). Paçka se e bukur sa vetë Bukuria, paçka se vetë perëndeshë e Dashurisë, të gjitha fijet e “dashurisë” i mbante në dorë, gjithë shigjetat e Erosit, Amorit a të Kupidonit i përkuleshin vullnetit të saj, ja që ndonjë zemër djaloshare ngelet kryeneçe, nuk gjunjëzohet as ndaj vetë perëndeshës së dashurisë : )

Afërdita ndjehej e fyer që Hipoliti nuk ndjente për të, por vazhdoi si ndjekës i devotshëm dhe virgjëror i perëndeshës Artemisa. Si dënim, si revanshim Afërdita e “bëri” Fidranë të dashurohet në Hipolitin – e cila pastaj, duke qenë e refuzuar nga Hipoliti, do ndjehej e fyer, do t’shpifte për të… se ky e kishte dhunuar, dhe tutje “refuzimin” Hipoliti do ta paguante me jetën e vet. As miti i manipulimit të Fidrasë dhe i ndëshkimit të Hipolitit nuk është ndonjë “pasqyrim” i lavdishëm i femrës, i veseve joracionale, ego-istike femërore… mirëpo rishtas, ehuu aq i bënte Afërditës : )

Mitologjia ka dhe tjerë shembuj të çuditshëm rreth dashurisë, “ndëshkohen” me dashuri madje dhe hyjnorët, bie fjala Erosi e pati “ndëshkuar” vetë Apollonin me dashurinë ndaj Dafinës. Ai Apolloni i madh, e pësoi dhe ai, e ndoqi gjithandej Dafinën por ajo ikte kah sytë këmbët dhe më në fund u drurëzua, u metamorfizua, nuk iu dorëzua. Apolloni pastaj zor t’jetë tallur ndonjëherë me shigjetat e Erosit, hyjnor nga më të rëndësishmit e më të bukurit, por do mblidhte mend dhe ai, leksion i paguar shtrenjtë : )

Po ashtu, njëri nga rastet e “ndëshkimit” me dashuri nga Afërdita, është dhe rasti i poeteshës nga Mitilena, i Safosë. Ky “ndëshkim” i Safos nga perëndesha ndoshta pikërisht për shkak të pëllumbave (se si “lidhet” me pëllumbat), të cilët poetesha do duhesh t’i kishte vrarë, e jo mëshiruar. Duhej t’i flijonte për Afërditën, por Safoja e ndjeshme dështon, andaj perëndesha e dënon. Dhe ky detaj sikur e “shton absurdin” rreth zogjve të shenjtë të perëndeshës.

***
Piktura e neoklasicizmit francez, e punuar në v. 1809 nga artisti Jacques-Louis David, e titulluar “Kupidoni, Safoja dhe Faoni” e paraqet Kupidonin (dmth. Amorin, Erosin), peoteshën Safo dhe të dashurin e saj, Faonin. Sidoqoftë, po i ngjes dhe “pikturat e mia” realizuar me ndihmën e IA, jo për t’u shtyrë gjoja me piktorin francez : ) por si plotësim me figurat e Faonit dhe të bukuroshes Kleonika, të dashurës së Faonit.

[ ngjitur: Jacques-Louis David – “Kupidoni, Safoja dhe Faoni“, 1809 ]

Piktura e Jacques-Louis David e ka një detaj që na duhet, i paraqet “përllumbat”, andaj le ta përshkruajmë pakëz. Poetesha Safo paraqitet e ulur në një dhomë të dekoruar sipas stilit klasik, shihet një peizazh rural përjashta (me zogjtë e Venerës (Afërditës – thashë Venerës, meqë titulli i pikturës thotë Kupidoni, dmth. piktori i referohet mit. romake), pëllumbat e bardhë, në sfond tek diç si prag), Faoni qëndron pas karriges duke mbajtur një shtizë, në krahët e ka dhe një hark, në gjunjët e Safosë shihet një rrotullamë gjoja me vargjet e saj, lavdithurje mbase Faonit, dashurisë së vet, majtas shihet Kupidoni i gjunjëzuar duke mbajtur lirën e saj në duart, të cilën Safoja sikur zgjatet ta prekë me dorën e djathtë, ndërsa shlirshëm e mbështet kokën prapa, Faoni shihet sikur e mban kokën e saj në krahun e vet, prapa tyre shihet një shtrat… etj. etj.

I përmendëm zogjtë e Afërditës, pëllumbat e bardhë, që piktori David nuk i ka “harruar”. Pëllumbat janë veçanërisht të rëndësishëm rreth miteve të Afërditës, duke e përfaqësuar rolin e saj si sjellëse, si nxitëse e dashurisë. Pëllumbat konsiderohen si simbol i dashurisë, i paqes, i lidhjes emocionale gjatë gjithë historisë dhe mitologjisë. Fluturimi i tyre i hijshëm, bardhësia dhe sjellja e butë mishërojnë thelbin e komunikimit romantik dhe të lidhjes emocionale.

Duke qenë se janë përfaqësim i dashurisë, i dhimbshurisë, i butësisë, i harmonisë, në mitologjitë e ndryshme pëllumbat zakonisht i shoqërojnë hyjnitë. Jo vetëm në mitologjinë greke, në shumë kultura të lashta pëllumbat paraqiten si simbole të paqes dhe të dashurisë. Në sferën e mitologjisë greke pëllumbi ka një vend të veçantë si emblemë e shenjtë e hyjneshës. Është ndoshta më i njohuri nga zogjtë shoqërues të perëndeshës. Shpesh përshkruhet duke fluturuar rreth saj, ose tek rri në dorën e saj.

Meqë, siç thamë, pëllumbi simbolizon dashurinë, paqen, pastërtinë, përkushtimin – kjo simbolikë sikur e “asocionon” zogun e bukur t’jetë diç si lajmëtari i dashurisë së perëndeshës. Lidhja e thellë e pëllumbit me Afërditën e pasuron kuptimin e njeriut kur bëhet fjalë për marrëdhëniet romantike. Ndërsa reflektojmë mbi trashëgiminë e qëndrueshme të Afërditës dhe të pëllumbave të saj, sikur na përkujtohet rëndësia e dashurisë në jetën tonë. Nëpër imazhet, grafikat, pikturat, në gjithçka artistike, pëllumbat shpesh shihen duke fluturuar rrotull të dashuruarve, duke simbolizuar dhënien e shenjave, sinjaleve të dashurisë, lidhjen midis dy zemrave.

Shkurt, natyra e butë e pëllumbave sikur na i përkëdhel zemrat e ndjenjat, i shohim si simbolikë që përfaqësojnë paqen, dashurinë, miqësinë, sikur e pasqyrojnë dinamikën dhe gjithçka të marrëdhënieve romantike. Prania e tyre sikur nënkupton bekimin e dashurisë nga perëndesha Afërdita.

Po ashtu, kur është fjala për vetë Afërditën (Venerën, për romakët), duke qenë perëndeshë e bukurisë dhe e dashurisë, natyrisht që Afërdita përshkruhet si një femër jashtëzakonisht e bukur. Perëndesha e mishëron idealin e joshjes femërore, e mishëron bukurinë, feminizmin universal, dëshirën dhe pasionin. Perëndesha shpesh përshkruhet me një pasqyrë, apo me një guaskë dhe apo, siç thamë, me pëllumba. Secili prej këtyre elementëve e thekson lidhjen e saj me dashurinë dhe bukurinë.

Perëndesha njihet për lidhjet e saj të shumta të dashurisë, sa me perëndi po ashtu dhe njerëz të vdekshëm, duke ndikuar në shumë rrëfime rreth amoriadave, romancave të idealizuara, dashurive të vërteta, të trilluara, ndodhive të panumërta rreth dashurisë – madje dhe të dështimeve, madje duke i nxitur dhe luftrat e tragjeditë (Troja homerike psh.), madje dhe duke “ndëshkuar” me fuqinë e dashurisë, siç i përmendëm rastin e Safosë, dhe të tjerërve më lart.

***
Qasjes së vet eseistike rreth Safosë (“Reflecting Sappho“), autori Glenn W. Most ia fillon duke thënë se Alessandro Verri, në romanin e vet “Aventurat e Safosë, poeteshës nga Mitilena” (Le Avventure di Saffo, poetessa di Mitilene), botuar në v. 1781, pati shkruar se Safoja u dashurua në Faonin sapo e pa, për herë të parë. Kjo ndodhi kur ai u zhvesh, i hoqi pothuaj të gjitha rrobat për t’marrë pjesë në garat e mundjes, gjatë lojërave atletike të Mitilenës.

Sipas Verrit, Safoja si fëmijë kishte lexuar shumë, mirëpo s’kishte dhënë kurrë ndonjë shenjë të prirjes apo të talentit për t’shkruar dhe vetë poezi. Dmth. sipas tekstit të Verrit, ne duhet kuptuar që derisa nuk e pati takuar Faonin, Safoja kurrë s’kishte shkruar poezi më parë. Anise e dimë që nuk është ashtu, e dimë që teksti i Verrit ishte roman, trillim derivativ, ia vlen imagjinata.

Dhe kështu, Verri na thotë se mrekullia do ndodhte gjatë garave të Mitilenës. Për garat e mundjes garuesit e lashtësisë lakuriqoseshin (se mos vetëm për ato të mundjes, pothuaj për të gjitha sportet e lashtësisë). Trupi praktikisht lakuriq i Faonit, i cili ishte ‘fatalisht’ i bukur, thuase vëllai binjak i Apollonit, do i bënte shumë përshtypje Safosë. Aq sa vrapoi drejt tij dhe ia recitoi 2-3 vargje elegante që i kishte ideuar enkas për nder të tij. Sipas Verrit, shpaloset bukuria e Faonit, dhe Safoja ia fillon me “poetikat” : )

E dimë që nuk është ashtu, përveç si imagjinatë, por sidoqoftë, e dimë po ashtu që bukuria e Faonit vërtet ishte mahnitëse, e kishte magjepsur Safonë, kishte stepur në vend, e ngrata s’kishte asnjë grimë faj. Bukuria e tij nuk ishte e rastësishme, por diç si efekt-rezultat i një vaji magjik që Afërdita (vetë perëndesha e bukurisë, me qëllim për ta bërë të bukur) ia kishte dhënë dikur në shenjë mirënjohjeje. Perëndesha i ishte mirënjohëse sepse ky (siç thonë ca burime të mitologjisë) ia pati bërë një favor pa pagesë, favori kishte t’bënte me transportin, e pati çuar me varkën e vet nga Lesbosi në Qipro (ca burime thonë jo në Qipro, por në Asia Minor).

Kushedi ç’punë do ketë patur Afërdita andej, pavarësisht se perëndeshat mund të shfaqeshin spontanisht, s’do zgjaste por sa një e pulitur qepalle dhe do shfaqeshin ku të donin – ja që kësaj radhe kishte zgjedhur të udhëtonte ngadalë dhe qetësisht, pikërisht në lundrën e tij. Faoni do e shihte por s’do ngurtësohej, edhe ky “ligj hyjnoresh” do lihej si përjashtim nga perëndesha.

Zakonisht, dënimi për vdekatarët, për shpirtrat e “rëndomtë” nëse ta shihnin një perëndi a perëndeshë ishte të ktheheshin në gur. Mirëpo kjo nuk ndodhte nëse t’mos ishte vullnet i perëndive / perëndeshave, secili vendoste për vete, e kishin njëfarë “sigurese” përjashtimesh. Aty-këtu do i falnin vdekatarët (sidomos të dashurit, të dashurat – Ankhise psh. qe falur nga Afërdita, bariu trojan i kaçuboreve në Ida, i dashuri i saj vdekatar, “babai” i romakëve, sikur që faleshin dhe panumër fatlumër të tjerë mitologjikë).

Sidoqoftë, sipas mitologjisë Afërdita dhe na qenkësh surprizuar pakëz kur lundërtari plak, i leckosur (siç ishte Faoni ashtu e pati njohur Afërdita për herë të parë, duke hipur në varkën e tij) s’donte shpërblim. Faoni plak, pothuaj shëmtaraç por qe shpërblyer aq bujarisht, qe rinuar dhe qe bërë jashtëzakonisht i bukur.

Ndërsa për fat të keq, e njëjta perëndeshë, vetë Afërdita, pati vendosur ta ndëshkonte Safon. Ndëshkimi do vinte për shkak të ndjeshmërisë së madhe të Safosë; dikur poetesha kishte ndjerë keqardhje të tepërt, ishte ligështuar për shpirtrat e zogjve, jo vetëm se poeteshë (kjo afërmendsh) por hiper-ndjeshmëria e saj e kishte shtyer t’i lironte dy pëllumba, të cilët pati qenë supozuar t’i flijonte për Afërditën.

Dhe kështu, perëndesha ishte prekur, do ishte e pamëshirshme ndaj saj (Afërdita shpesh i dënonte subjektet e mitologjisë me dashuri të pakthyeshme), dhe s’ishte për t’u çuditur, jomëshira ishte diç si “ves tipik” i hyjnorëve. Dhe “absurdi” i ndëshkimit të Safosë, përveç që lidhet me mëshirimin e saj të pëllumbave, me ndjeshmërinë e saj, sikur nuk përputhet as me faktin e ashurimit të kulluar, me devotshmërinë ndaj perëndeshës nga Safoja.

Dihet se Safoja ishte shërbëtorja e perëndeshës, e ka dëshmuar dhe me vargjet e veta, në poezinë e vet, në Himnin e saj për Afërditën (e vetmja poezi e saj që ka mbijetuar në tërësi), Safoja i bën thirrje perëndeshës që të shfaqet, dhe t’jetë aleatja e saj në bindjen e një vajze që ajo ka dëshirë ta dashurojë.

Po ashtu, “…imazhet e shpeshta figurative në poezinë e Safos përfshijnë lule, kurora, skena natyraliste, altarë që tymosin me temjan, pastrues të parfumuar për spërkatjen e trupit dhe për larjen flokëve – dmth, gjithçka nga elementët e ritualeve të Afërditës” – thonë editorët e Britannica në tekstin e tyre.

Dmth. vullneti i Afërditës dhe Faoni do ishte i bukur, lumturisht i dashuruar në bukuroshen Kleonika. Nga ana tjetër Safoja e ngratë do dashurohej marrëzisht në Faonin. Mirëpo aq i bënte Faonit, ashtu-kështu në gjithçka kishte “dorë” perëndesha e dashurisë. Faoni e pati dashur për një kohë Safonë, në mënyrën e vet, por tashmë ishte ftohur nga ajo. Bukurosh Faoni tashmë qe dashuruar në dike tjetër, as që i shkonte ndërmend t’ia kthente dashurinë Safosë së vogël, Safosë shkurtaqe, Safosë esmere, pothuaj një shëmtaraçe tashmë (me trukun e Afërditës, nëse nevoja mund të dukej dhe e “shëmtuar”).

[ ngjitur: Sky Division – “Ars Gratia Artis – Faoni dhe e dashura e tij, Kleonika“, 2025 ]

Nuk ndjente tutje për të, madje ndoshta as nuk i dhimbsej. Jo mbase ekzaktësisht si Narcisi dikur, ky s’ishte i dashuruar as në Kleonikën, as në Ehon e bukur, por në bukurinë e vet, ves narcisoid – pa qenë fare i “zënë” (dmth. i dashuruar në ndonjë bukuroshe tjetër). Derisa shpërfillja e Narcisit ndaj Ehosë pothuaj e “pafalshme”, në rastin e Faonit ndryshe, tashmë ky s’kishte si ia kthente ndjenjën… qëkur ishte dashuruar gjer’ n’veshët në Kleonikën. Shkurt, të gjitha fajet ashtu-kështu i takonin vetë perëndeshës së dashurisë, s’mund t’i vishet ndonjë faj Faonit për pafatësinë e Safosë.

Një ditë Faoni do lundronte drejt Siçilisë, mbase i pati dalur ndonjë punë, edhe Safoja e pati ndjekur. Me gjasë Safoja qe informuar saktë për destinacionin e tij dhe do ta ndiqte fshehurazi. Kishte të njohur atje, do strehohej në shtëpinë e Eutikut, një mik ky i babait të saj. Dhe kështu dmth. e mirëpitur në shtëpinë e mikut, s’kishte si e “spiunonte”, si ta përcillte Faonin, s’ishte as nevoja mbase, por thjesht priste, e kaloi kohën duke lexuar Homerin, duke i imagjinuar qafimet e Faonit, duke shkruar poezi etj.

Më në fund Faoni do kthehej, miku i babait të Safosë duke u solidarizuar me ndjenjat e poetes, provoi t’i ndihmonte, Eutiku ngulmoi që Faoni ta vazhdonte dashurinë ndaj saj, të martohej me Safon. Mirëpo, siduket Faoni vetëm sa qe “frikësuar” nga idetë e tij, nga insistimi i tij – thjesht pati preferuar të ikte fshehurazi, të kthehej në Mitilenë.

Safoja e ngratë më në fund e kuptoi që dashuria e Faonit ishte e paarritshme. Kështu që vendosi ta ndiqte këshillën që, derisa ishte në Lesbos, ia pati propozuar një shtrigë a fallxheshë e atjeshme. Fjala do jetë mbase për “vendkërcimin” në Lefkada, i cili besohej se u jepte fund dëshirave të dashurisë dhe vuajtjeve. Shtriga nga Lesbosi mbase do e ketë këshilluar të “kërcente” dhe t’u jepte fund vuajtjeve të veta për Faonin, meqë nuk do mbytej, do e kishte dhe ndihmën hyjnore, vetëm do “çlirohej”.

Straboni thotë se, siç ka lexuar ai nga Menaderi, “Safoja ishte e para që kërceu, nga dashuria e paskajshme për Faonin mospërfillës, u hodh në det me një kërcim nga shkëmbi. Mirëpo, anise Menanderi thotë se Safoja ishte e para që e bëri kërcimin – vazhdon Straboni, të tjerë kronistë më të ditur se ai të antikitetit thonë se Kefali ishte i pari…”

Safoja shkoi tek shkëmbi në Lefkada dhe u hodh në det. Verri aludon se, nëse Safoja t’kishte pasur besim të mjaftueshëm tek perënditë, ajo padyshim do ta kishte mbijetuar rënien dhe njëkohësisht do ishte “çliruar nga dhimbja” e dashurisë. Mirëpo siç ndodhi, për fat të keq ajo hezitoi në buzë të greminës, dhe kështu u shërua nga dashuria në një mënyrë tjetër, dmth. duke u mbytur përnjëmend.

[ Referencat: S. Guraziu – Dashuria si “dënim”, apo dhe si “shpërblim”!, 2018 / P. Ovidius Naso / Perseus / Strabo, “The Geography of Strabo”, 1924 / Enc. Britannica / Alessandro Verri, “Le Avventure di Saffo, poetessa di Mitilene” (1781) / Jacques-Louis David – “Kupidoni, Safoja dhe Faoni”, 1809 / Glenn W. Most – “Reflecting Sappho”, 1995 ]